Prokuroria Tiranës ka kërkuar 25 vite burg për ish-policin Tomor Çela i cili në vitin 1997 vrau Elton Danin e Ledian Hoxhën pas një debati për përplasjen e makinave.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 27 nëntor, në rrugën “Bajram Curri” në Tiranë. Sipas Gjykatës, tri-katër ditë para ngjarjes, i pandehuri ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij “Benz Mercedez” të llojit 240, dhe është përplasur me automjetin që drejtohej nga i ndjeri Ledian Hoxha, në të cilin ndodhej edhe shoku i tij, i ndjeri Elton Dani.

Kjo ka qenë fillesa e konfliktit që përfundoi me dy të vrarë. Tomor Çela u fajësua për këtë ngjarje në vitin 2009, kur u dënua me 24 vjet burg. Ky vendim u la në fuqi në Apel, por në vitin 2011 Gjykata e Lartë e ktheu dosjen për rigjykim.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon dënimin me 25 vite burg të shtetasit T.Ç. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 25 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 2103 të vitit 1997, rezultoi se i pandehuri T.Ç., ka punuar si punonjës policie në Komisariatin e Policisë Nr.4 Tiranë, detyrë nga e cila është liruar më datë 15.06.1997. Gjatë kohës që ka qenë në detyrë ai ka qenë i paisur me armën automatik model Kallashnikov të cilin nuk e ka dorëzuar por e ka mbajtur në banesë pa leje të organeve kompetente.

Ky shtetas, më datë 27.11.1997 rreth orës 20:30 në lagjen nr.9, rruga B.Curri ka qëlluar me armë zjarri automatike ndaj viktimave shtetasve L. H. e E.D. duke ju shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Viktimat në momentin e vrasjes kanë qenë duke udhëtuar me një mjet tip autoveture Volvo. Pas kryerjes së vrasjes i pandehuri T.Ç. është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nuk është përcaktuar qartë shkaku i ndodhjes së kësaj ngjarje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve E. D. dhe L.H. Nga sa doli gjatë gjykimit, rezulton se i pandehuri T. Ç. tre katër ditë përpara ngjarjes, duke drejtuar një mjet tip benz Mercedes 240 është përplasur me autoveturën ku udhëtonin shtetasit L.H. dhe E. D., ku për pasojë janë dëmtuar të dy mjetet. Pas aksidentit i pandehuri është konfliktar me shtetasit E. D. dhe L. H. dhe më pas duke mos u dakordësuar në lidhje me dëmet e shkaktuara kanë lindur kontradikta të cilat kanë çuar në ndodhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë me pasojë vrasjen e shtetasve L. H. dhe E. D.

Nga aktet e administruara në dosje rezulton se i pandehuri i është shmangur hetimit dhe gjykimit të çështjes në ngarkim të tij. Nga ana e të pandehurit nuk është paraqitur asnjë shenjë pendese për cfarë ai ka kyrer, vrasjen e dy shtetasve të cilët kanë qenë në moshë të re.

Duke patur parasysh rrethanat e çështjes dhe sanksionin që parashikon ligji për këtë vepër penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit, T.Ç. për veprën penale ‘Vrasje me paramendim’ në dëm të shtetasit E.D. dhe L.H. dhe dënimin e tij me 25 vite burg.