Skender Krasniqi është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e djalit të tij, Albert Krasniqi. Gjykata shpalli fajtor Krasniqin për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, dhe ai dënua me 3 vite e 5 muaj burg.
“I akuzuari S.K është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre vite e pesë muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Koha e kaluar nën masën e paraburgimit për të pandehurin do të llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim prej datës 27.01.2021”, thuhet në njoftim.
Vrasja e rëndë ndodhi në Prishtinë më datë 27 janar 2021, në parkingun e ndërtesës në të cilën banonte Skënder Krasniqi. Menjëherë pasi ka kryer krimin, ai ka lajmëruar policinë “ejani se e vrava djalin”,dhe më pas ka fikur telefonin. Në vendngjarje ka mbërritur fill pas telefonatës policia, e cila ka arrestuar Skënder Krasniqin dhe ka sekuestruar armën e zjarrit me të cilën ishte kryer krimi.