RRESHEN- Burg pa afat është masa e sigurisë që Gjykata e Lezhës ka dhënë për të akuzuarin për vrasjen e dy vëllezërve Ndoka në Rrëshen, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë.

Luigj Mandreaj është paraqitur në gjykatë i shoqëruar nga avokati mbrojtës. Duke mos preferuar të shfaqë asnjë shenjë pendese, për vrasjen e 5 gushtit, Agustin (Luigj) Mandreaj ka zgjedhur të flasë përmes avokatit Ilia Bano, raporton korrespondenti i A1 Report.

Ngjarja e rëndë ndodhi në periferi të qytetit të Rreshenit, ku i akuzuari pas një konflikti të çastit qëlloi për vdekje vëllezërit Petrit dhe Eduard Ndoka, përkatësisht 30 dhe 33 vjeç.

Autori i krimit u arrestua vetëm pas 30 minutash nga forcat e policisë në ambientet shtëpisë së tij në fshatin Pshesh në periferi të qytetit të Rreshenit.

Mandreaj rezulton person me precendentë të mëparshëm penale pasi është dënuar nga gjykata e Rrethit Mirditë më 17 vjet burg për vrasjen e një personi në vitin 2000.
(sg/shqiptarja.com)