PESHKOPI- Xhemile Skuka, nusja 24-vjeçare e cila akuzohet se vrau vjehrrën e saj, Naime Skuka me vaj të nxehtë në vesh është nënë e tre fëmijëve, më i vogli djali 6 muajsh dhe më e madhja vajza 4 vjeçe. Familja e së resë tregon se vajza e tyre shpesh ishte bërë pre e dhunës nga vjehrra e saj por dhe bashkëshorti Mondi Skuka. Ata tregojnë se Mondi pjesën më të madhe të kohës jetonte në Greqi por gjatë ditëve që kthehej në shtëpi , i nxitur nga e ëma dhunonte të nusen e tij.

I vëllai i saj Hajri Lleshi ka rrëfyer për A1 Report jetën e vështirë të motrës, që e ka nxitur të kryejë dhe krimin e tmerrshëm. “Anjëherë nuk e kemi parë të vinte tek ne, apo të ishte e qeshur pasi i shoqi e torturonte, ndërkohë që vjehrra e saj hidhte një mal me sharje saqë nga tortura e të shoqit ishte detyruar një ditë të braktiste fëmijët, por malli për ta e kishte detyruar të rikthehej pranë tyre e të pranonte fatin e saj te mjerë . Cdo gjë e ka pas të mbyllme në dryn, dhe fëmijët e vet vuanin për bukë se s’i linte ajo. Ka pasur vetëm grindje në atë familje, s’ka pas jetë normale,"- kështu është shprehur vëllai i Xhemiles.

Ndërsa e ëma e Xhemiles shprehet se vajza e saj s'ka pasur një jetë normale dhe kjo për faj të vjehrrës: " Ka 8 vjet që s’e kemi parë, as e kanë prurë as unë s’kam shku me e pa si fëmijë, s’na linte vjehrra, na kërcënonte sa herë që shkonim. Na fillonte shamatën. Ajo kishte tortura çnjerëzore."

Motra e të pandehurës shprehet se nuk e mbështet vrasjen, por jeta e saj ishte një torturë: "Ka pas tortura në atë shtëpi, hallet e asaj nuk qahen. Ajo s’ka qenë si gjithë shoqet e veta. Ajo as të hajë, as të pijë, as të lahet, as të ndërrohet, as të shohi nënë, as të shohi motër. Xhemilja nuk mund të them që ka vepruar mirë, por ka qenë shumë e torturuar. "

Gjykata e Rrethit Dibër ka lënë sot në burg dy nuset, të cilat në bashkëpunim me njëra-tjetrën vranë dhe më pas e groposën vjehrrën e tyre në kasollen e bagëtive. Dy të akuzuarat, Xhemile dhe Hike Skuka, përkatësisht 24 dhe 30 vjece kanë pranuar krimin, ndërsa kanë deklaruar se 67-vjeçarja, Naime Skuka, i kërcënonte dhe i torturonte vazhdimisht që ditën kur ishin martuar.

24 vjeçarja akuzohet për “vrasje me paramendim”, ndërsa kunata e saj për “vrasje në bashkëpunim”.  Dy nuset janë dërguar në dhomat e paraburgimit të grave në Tiranë, ndërsa djali 6 muajsh vajzat 2 dhe 4 vjeçe Leonora dhe Greta nuk do ta kenë pranë të ëmën e tyre për shumë kohë. Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e rrethanave të krimit.

Krimi ndodhi në fshatin Hatesh të komunës Luzni. Krimi u mësua më 15 shkurt, kur e reja ishte vetëdorëzuar në polici, ndërsa 67 vjeçarja ishte zhdukur para 3 ditësh. Në bashkëpunim me kunatën tjetër, (nuse shtëpie) Xhemilja kishte varrosur vjehrrën e saj në një kasolle bagëtish. Viktima jetonte vetëm me dy nuset, pasi të dy djemtë ishin emigrantë nmë Greqi. Xhemile Suka është vetëdorëzuar në polici ku ka bërë edhe kallëzimin e krimit.