Forcat e sigurisë së Meksikës njoftuan vrasjen e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, themelues dhe lider i kartelit Jalisco Nueva Generación (CJNG), banda kriminale më e frikshme në vend. Lajmi u konfirmua pas orësh tensioni në shtetin e Jaliscos, të shkaktuara nga nisja e operacioneve të ushtrisë. El Mencho akuzohej nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe nga autoritetet meksikane për trafik droge dhe krim të organizuar.

I lindur në vitin 1966, Oseguera Cervantes ishte përfshirë nga administrata amerikane në listën e kriminelëve më të kërkuar, me një shpërblim miliona dollarësh për informacione që çonin në arrestimin e tij. Administrata Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA) e përshkruan CJNG si një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë. Sipas raporteve publike të agjencisë, grupi ka përdorur taktika ushtarake, armë të kalibrit të lartë dhe strategji propagande për të rritur dhe konsoliduar pushtetin e tij. Për kapjen e tij ishte vendosur një shpërblim prej 15 milionë dollarësh.

Brian McKnight, drejtues i DEA-s amerikane, e kishte cilësuar Cervantes si “armikun publik numër një” të ri, i aftë të kontrollonte 80% të drogës që mbërrin në një qytet si Çikago dhe një të tretën e të gjithë importit të narkotikëve në SHBA (kokainë, metamfetaminë, fentanil). Sipas McKnight, El Mencho ishte një vrasës i pamëshirshëm miliarder, në krye të kartelit meksikan që u shkëput nga grupi i Sinaloas i El Chapos, kishte krijuar rrugë trafiku droge në gjashtë kontinente dhe kishte një bastion në Çikago, sipas hetuesve të DEA-s.

Deri tani janë bërë publike pak detaje mbi vrasjen e kriminelit të rrezikshëm: ai dyshohet se u vra në komunën Talpa de Allende, një zonë e identifikuar historikisht si bastion i kartelit të Jaliscos. Pas operacionit janë raportuar bllokime rrugësh në të paktën gjashtë qytete të Meksikës, Jalisco, Michoacán, Colima, Tamaulipas, Guanajuato dhe Aguascalientes duke shkaktuar një mobilizim të gjerë të autoriteteve federale dhe shtetërore, një taktikë e zakonshme e përdorur nga organizatat kriminale si reagim ndaj arrestimeve ose vrasjeve të figurave të profilit të lartë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:46
Vrasja e ‘El Menchos’ shkakton kaos në Meksikë! Re tymi në qiell, ‘narcot’-t bllokojnë rrugët dhe djegin automjetet (VIDEO)

Në shenjë të ndikimit të madh të El Menchos në të gjithë Meksikën, si edhe në pjesë të tjera të Amerikës Latine, vrasja e tij shkaktoi menjëherë shpërthim trazirash në rajonin që ai kontrollonte.

Sipas raportimeve të mediave, të dielën në mesditë bllokada të vendosura nga “narco”-t, me makina, autobusë dhe kamionë të djegur, në të paktën pesë qytete të Meksikës: Jalisco, Guanajuato, Nayarit, Michoacán dhe Tamaulipas.

Pamjet pas vrasjes së El Menchos treguan re të mëdha tymi që ngriheshin në qiell mbi Puerto Vallarta, një qytet i madh turistik në bregun perëndimor të Meksikës, i njohur për plazhet spektakolare në Oqeanin Paqësor.

Pati skena kaosi në kryeqytetin e Jaliscos, Guadalajara, një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës 2026 ku pasagjerë të frikësuar vraponin për t’u strehuar, duke pasur frikë nga sulme hakmarrëse të përkrahësve të El Menchos. Burra të armatosur u panë duke u vënë flakën automjeteve në zemër të qytetit.

Guvernatori i shtetit Jalisco, Pablo Lemus Navarro, u bëri thirrje 8 milionë qytetarëve të qëndronin në shtëpi “derisa situata të vihej nën kontroll”. Lemus njoftoi pezullimin e shërbimeve të transportit publik dhe u kërkoi banorëve të mos qarkullonin në rrugët e shtetit për shkak të “ngjarjeve të dhunshme” që ishin përhapur në të paktën pesë pjesë të vendit.

Ambasada e SHBA-ve në Mexico City lëshoi gjithashtu një alarm sigurie, duke u bërë thirrje qytetarëve amerikanë të “qëndrojnë të strehuar” në zonat e prekura për shkak të “operacioneve të vazhdueshme të sigurisë, bllokimeve të rrugëve dhe aktivitetit kriminal”.