Vritet në pritë aksioneri i kromit
Nika dyshohej vrasës me pagesë

Vritet në pritë aksioneri i kromit<br />Nika dyshohej vrasës me pagesë
FUSHE KRUJE – Ekzekutohet pak javë pasi u lirua nga paraburgimi Gjin Nika, aksioner në galeritë e kromit të zonës D në Bulqizë, dhe i dyshuar për dy vrasje e plagosje. Ngjarja ndodhi në Urën e Tapizës rreth mesnate,dhe bashkë me Nikën u vra edhe 28-vjeçari Fabio Xhunga nga Kamza që ndodhej në të njëjtin motor me të. Disa orë pas ngjarjes policia e Tiranës ka shoqëruar 37-vjeçarin Gentian K., si të dyshuar për ngjarjen. 37-vjeçari është plagosur në afërsi të Zogut të Zi një vit më parë dhe hakmarrja për këtë ngjarje, për të cilën ishte i dyshuar Gjin Nika, dyshohet të jetë motive i ekzekutimit të Nikës. 

Ngjarja ishte pa autor deri para arrestimit të Nikës në 20 janar nga Komisariati Numër 4. Pasi kishte mësuar për arrestin, Gentian K., denoncoi se ishte pikërisht Gjin Nika që e kishte plagosur, por edhe kjo akuzë për të nuk e ka bindur prokurorinë. Ndaj tij Gjykata e Shkallës së parë të rrethit gjyqësor Tiranë kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”,  por më pas Gjykata e Apelit e ka ndryshuar këtë masë, duke e lënë të lirë Gjin Nikën.

Në fakt, në një prononcim pas ngjarjes së mesnatës, nëndrejtori i Policisë së Durrësit, Jaeld Çela, tha se janë shoqëruar në total 21 persona dhe se ngjarja ka lidhje me të shkuarën e Nikës.

Gjin Nika dyshohej edhe si autori i ekzekutimit të biznesmenit të kromit, Hasan Talja mbrëmjen e 17 janarit të këtij viti, në rrugën “Bajram Allaraj”, pak metra mbi tregun elektrik në kryeqytet.  Emri i Gjin Nikës ka qenë edhe në listën e të dyshuarve për vrasjen e Shefqet Shehut në vitin 2013 në Bulqizë, ndërsa për të ka patur vetëm një dënim me 1 vit burg për plagosjen e Shkëlqim Shehut, vëllai i Shefqetit dhe falsifikim dokumentesh. Vrasje të cilat dyshohet se janë kryer për shkak të konflikteve në lidhje me menaxhimin e minierave të kromit në Bulqizë

Burimet thanë se Nika dyshohet të ketë qenë objekti i atentatit, dhe se ngjarja ka për motiv hakmarrjen .Të njëjtat burime e lidhin ngjarjen me një hakmarrje të mundshme për plagosjen e Shkëlqim Shehut dhe vrasjen më pas të vëllait të këtij Shefqet Shehu, ngjarje në cilën u plagos vëllai i tretë Vehadi.

Drejtoria e Përgjithshme të Policisë, duket se i kanë zgjeruar hetimet për Nikën pas vrasjes. Sipas burimeve pranë drejtorisë, Nika dyshohet edhe për kryerjen e vrasjeve me pagesë në të paktën 8 raste, në Tiranë, Mat dhe në rrethe të tjera. Të njëjtat burime shtuan se Nika ka qenë në vëzhgim edhe për lidhje të mundshme me grupet që kryenin rekrutimin e besimtarëve muslimanë nga Shqipëria për të luftuar në Siri

POLICIA E DURRESIT JEP DETAJE PER VRASJEN E DYFISHTE
Në datë 03.04.2013 rreth orës 23:40, në vendin e quajtur “Ura e Tapizës”, segmenti rrugor Fushë Krujë -Tiranë, teksa udhëtonin me një motocikletë tip “Yamaha” me targa “AA441”, janë vrarë me armë zjarri:
 
- Gjini Nika, 35 vjeç, banues në  Bulqizë, i dënuar në vitin 2010 me 1 vit burgim për veprat penale “Mbajtje pa leje të municioneve luftarake” dhe “Plagosje të lehtë me dashje”, i dënuar me 2 muaj burgim për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”,  si dhe i proceduar penalisht për vrasjen e mbetur në tentativë të datës 8 prill 2013 në Tiranë të shtetasit G.K.

- Fabio Xhunga, 33 vjeç, banues në Kamëz të Tiranë, i proceduar penalisht më parë për “Organizim të lotarive të palejuara”.
 
Nga tërësia e të dhënave të deritanishme hetimore të grumbulluara dyshimet kryesore lidhur me motivet dhe autorët e kësaj ngjarjeje bien mbi konfliktet që shtetasi Gjin Nika kishte pasur më parë për shkak të precendentëve të tij kriminalë.
 
Gjatë natës dhe paradites së sotme janë shoqëruar 21 shtetas si dhe po vijon puna për grumbullimin e të dhënave të dobishme për hetimin e çështjes.

EKZEKUTIMI NE UREN E TAPIZES RRETH ORES 23:45
Ekzekutohet me armë zjarri një nga aksionerët në galeritë e kromit në Bulqizë. Gjin Nika është vrarë afër mesnatës rreth orës 23:45 të së enjtes, tek Ura e Tapizës, në rrugën nacionale Fushë Krujë- Tiranë. Në atentatin ndaj biznesmenit ka mbetur i vdekur edhe 28-vjeçari, Fabio Xhunga nga Kamza, i cili udhëtonte me motor sëbashku me Nikën. Dy personave i është zënë pritë duke qëlluar me armë zjarrit tip automatik në drejtim të tyre dhe duke i lënë të vdekur në vend.

Nika u vu në pranga nga uniformat blu vetëm pak ditë më pas si i dyshuari kryesor për vrasjen në Tiranë të biznesmenit Hasan Talja, i cili në atë kohë u fol se bëhej fjalë për konflikte në lidhje me menaxhimin e minierave të kromit në Bulqizë. Gjin Nika ishte i dyshuar edhe për një ngjarje tjetër, ku janë përfshirë disa persona, të implikuar sërish me biznesin e kromit.

vrasja e gjin nikes me logo
(Foto: Vendi ku u vranë Gjin Nika e Fabio Xhunga dhe motori me të cilin udhëtonin) Shikoni foto të tjera

gjin nika dhe fabio xhunga me logo
(Foto: Majtas Gjin Nika; djathtas Fabio Xhunga; në qendër vendi ku u vranë) Foto të tjera


*Shkrimi u publikua fillimisht në orën 00:40 të së premtes

 Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)