ITALI- Pas një sherri në Artena të Italisë, është gjendur trupi i një shqiptari 32-vjeçar Fation Bylyshi.
Nga hetimet paraprake të policisë italiane, 32-vjeçari kishte tentuar t’u shpëtonte vrasësve.
Ai ishte goditur me thikë në qafë në një vilë pas një konflikti me dy persona të tjerë. Fation Bylyshi arriti të largohej, por për shkak të plagës së rëndë në qafë, u rrëzua përtokë. I riu kishte përshkuar vetëm disa metra. Por nuk përjashtohet as pista që viktima të jetë hedhur aty nga vrasësit. Trupi i pajetë u gjet nga një banor i lagjes, kur pa se jashtë portës së shtëpisë së tij gjendej i shtrirë në tokë një person.
Policia që shkoi në vendngjarje konstatoi vdekjen e të riut shqiptar për shkak të gjakderdhjes.
Aktualisht policia italiane ka arrestuar dy persona si të dyshuar për vrasjen e Fation Bylyshit. Ata janë shtetas rumunë, 27 dhe 30 vjeç, të dy banues në Arten. Për momentin nuk dihet ende motivi i vrasjes, bëhet e ditur vetëm se 32-vjeçari është vrarë në kulmin e një mosmarrëveshjeje. Të dy, të marrë në pyetje gjatë gjithë natës, u transferuan në burg në pritje të vërtetimit të arrestit.