Vrojtimet e BSH/ Rritja ekonomike në 2018-ën mbi 4%, por bizneset janë pesimistë

Vrojtimet e BSH/ Rritja ekonomike në 2018-ën mbi 4%, por bizneset janë pesimistë

Foto ilustruese

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ka rënë 1.2 pikë përqindjeje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, njoftoi Banka e Shqipërisë, duke iu referuar Vrojtimit të saj tremujor të Biznesit dhe Konsumatorit. Me një tendencë që po vazhdon në rënie, gjithsesi, TNE-ja mbetet lehtësisht mbi mesataren e saj afatgjatë.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) ra me 0.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Treguesi vazhdon të qëndrojë mbi mesataren historike të tij, me 6.1 pikë përqindje. Ecuria e TBI–së u përcaktua nga rënia me 11.3 pikë përqindje e balancës së prodhimit. Po kështu, balanca e gjendjes financiare shënoi rënie gjatë tremujorit në analizë. Përsa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo shënoi rritje tremujore me 1 pikë përqindje, duke qëndruar rreth vlerës 75.8%. Kjo normë mbetet mbi nivelin e shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë dhe mbi mesataren historike të saj.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) u rrit me 5.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, por ai vijoi të mbetet poshtë mesatares historike të tij. Përmirësimi i TBN–së pasqyroi rritjen e dy balancave përbërëse të tij, aktivitetit ndërtues me 6.1 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 4.1 pikë përqindje. Për sa u takon balancave të tjera të vrojtimit, gjendja financiare u përmirësua gjatë tremujorit të katërt, ndërsa punësimi dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie. Me gjithë dinamikën rritëse, niveli i saj prej 62.4% rezulton rreth 1.4 pikë përqindje nën mesataren historike. Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) vijoi tendencën rënëse edhe gjatë tremujorit të katërt. Me gjithë rënien me 3.4 pikë përqindje, treguesi mbetet mbi mesataren historike të tij. Punësimi, pritjet për të në tremujorin e ardhshëm dhe gjendja financiare rezultuan të përmirësuara.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) vijoi të ndjekë prirjen rënëse. TBT–ja ra me 5.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar edhe më poshtë nivelit të mesatares historike të saj. Dinamika tremujore e treguesit u ndikua nga rënia e të dyja balancave formuese të tij. Më konkretisht, balanca e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm ra me 6 pikë përqindje dhe balanca e ecurisë së biznesit ra me 4.4 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe balanca të tjera të vrojtimit si: gjendja financiare, punësimi në tremujorin në analizë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm.

Në një prirje tjetër, treguesi i besimit konsumator (TBK) ndërpreu prirjen rënëse në tremujorin e katërt. TBK–ja u rrit me 0.7 pikë përqindje, duke qëndruar pranë mesatares historike të saj. Në përmirësimin e besimit konsumator ndikuan rritja e balancave të situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve, e blerjeve të mëdha, dhe e situatës financiare të pritur të familjes, me përkatësisht 1.3, 1.2 dhe 1.2 pikë përqindje.

Ndërkohë, balanca e katërt formuese e TBK–së - situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend - shënoi rënie me 1.1 pikë përqindje.

Bankat/ Në rënie 1.3% kreditimi i sektorit privat në vend, dominojnë hotelet

Kredia për sektorin privat vlerësohet në rreth 35.3% ndaj PBB-së, në fund të tremujorit të tretë të vitit, por ky raport po shfaqet në një trajektore rënëse, njoftoi BSH në analizën e publikuar dje lidhur me tendencat në kreditim gjatë tremujorit të tretë të vitit të kaluar. Sipas analizës, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, kredia për sektorin privat ndaj PBB-së ka shënuar tkurrje me rreth 1.3 pikë përqindje, duke evidentuar performancën relativisht të dobët të kredisë për biznese gjatë kësaj periudhe.

Biznesi

Raporti i saj ndaj PBB-së i kredisë për biznesin vlerësohet në rreth 23.2% në fund të muajit shtator, ngjashëm me një tremujor më parë, por rreth 1.3 pikë përqindje më i ulët se në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Në një këndvështrim afatgjatë, rritja e moderuar e kredisë për biznese në vitet e fundit është ndikuar si nga faktorë të kërkesës, ashtu edhe nga faktorë të ofertës. Portofoli i kredisë për biznese dominohet nga kredia për sektorin “Tregti, hotele dhe restorante”. Ky portofol përbën rreth 45% të tepricës së kredisë për sektorin privat në fund të tremujorit të tretë të vitit dhe ndiqet nga kredia për sektorin e industrisë, me rreth 23.7%.

Portofolet e kredisë për sektorin e ndërtimit dhe “shërbimet e tjera” përbëjnë përkatësisht 14.6% dhe 15.2% të kredisë në total. Sektori më pak i kredituar në ekonomi mbetet ai i bujqësisë, për shkak të shkallës së ulët të formalizimit, rrezikut të lartë dhe vetë problematikës që e karakterizon këtë sektor.

Kredia për biznese sipas qëllimit të përdorimit evidenton tepricë më të lartë të kredisë për investime. Ky portofol përbën rreth 38% të totalit të kredisë për sektorin privat.

Individët

Nga ana tjetër, kredia për individë vlerësohet në rreth 12.1% si raport ndaj PBB-së në fund të tremujorit të tretë të vitit, duke ruajtur peshë të ngjashme me një vit më parë. Ecuria e këtij portofoli shfaqet relativisht e qëndrueshme. Në një këndvështrim afatgjatë, zhvillimet pozitive në këtë segment janë mbështetur nga rritja e vazhdueshme e kërkesës, e cila ka reaguar në vijim ndaj kushteve të lehtësuara të kreditimit për këtë segment. Megjithatë, financimi i këtij segmenti me mjete monetare nga sistemi bankar vijon të mbetet i ulët, krahasuar edhe me vendet e rajonit.

Në terma të monedhës, ndryshe nga kredia për biznese, portofoli i kredisë për individë dominohet nga kredia në lekë. Në fund të tremujorit të tretë, kredia në monedhë vendase përbën rreth 61.5% të tepricës së kredisë për individë. Krahasuar me një vit më parë, ky raport është rritur me 2.8 pikë përqindje.

Sipas qëllimit të përdorimit, pjesa më e madhe e kredisë së dhënë nga sektori bankar përbëhet nga kredia hipotekare dhe një pjesë më e vogël shkon për financimin e konsumit. Në fund të tremujorit të tretë të vitit, kredia hipotekare përbën rreth 69.2% të kredisë totale të dhënë për individët. Kredia konsumatore ka peshë më të ulët në tepricën e kredisë për individë, rreth 30.8%. Megjithatë, ky është një portofol që ka shënuar rritje të shpejtë vitet e fundit.

rritja ekonomike (1).jpg" style="height:266px; width:780px" />

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër