Informaliteti në fushën e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme është në nivele të larta, madje në terren nëse shkoni për të parë një pronë, agjenti mund të mos jetë fare i licencuar.
Një vrojtim i parë i bërë nga Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) tregon se profesioni është i formalizuar në dokumente por jo në terren.
Sipas këtij vrojtimi 9 në 10 agjenci të përfaqësuara në kampion, deklarojnë se janë të licencuara sipas Ligjit nr. 9/2022, ndërsa shumica e të anketuarve zotërojnë licencë personale.
“Sipas vlerësimit të tyre për tregun ku veprojnë, vetëm rreth 4 në 10 agjentë janë tërësisht të formalizuar dhe të licencuar. Pothuajse të gjithë profesionistët ndeshen me operatorë të palicencuar, dhe gati gjysma i hasin ata të paktën një herë në muaj”, thuhet në njoftimin e NAREA.
Informaliteti në sektor sipas NAREA po cenon profesionistët pasi të rregulltit paguajnë detyrimet tatimore dhe nëse kryejnë shkelje ndëshkohen, ndërsa të pa-licencuarit ushtrojnë aktivitet pa pasur kosto.
“3 nga 4 të anketuar identifikojnë konkurrencën e pandershme si shkakun kryesor të informalitetit. Ky rezultat e zhvendos debatin përtej përgjegjësisë individuale të agjentëve. Kur operatorët informalë shmangin kostot e licencimit, tatimeve, dokumentimit, trajnimit dhe pajtueshmërisë, subjekti i rregullt përballet me një disavantazh ekonomik. Në këtë mënyrë, informaliteti nuk dëmton vetëm administrimin publik: ai krijon një treg ku profesionalizmi dhe korrektësia ndëshkohen, ndërsa mosrespektimi i rregullave shpërblehet”, thuhet në njoftim.
Shoqata NAREA kërkon nga institucionet të shihen me prioritet sfidat dhe reformat në këtë sektor.
“Sektori nuk kundërshton kontrollet apo sanksionet. Përkundrazi, rreth 6 në 10 profesionistë kërkojnë forcim të kontrolleve ndaj operatorëve informalë. Por përgjigjja e tyre është e qartë: zbatimi duhet të nisë me transparencën, standardizimin dhe identifikimin e qartë të operatorëve të ligjshëm”, vijon më tej NAREA.
Shoqata kërkon një regjistër publik online i ndërmjetësve dhe agjencive të licencuara, së dyti propozohet kod Etik i detyrueshëm për të gjithë profesionistët, më tej kërkohen kritere më të qarta për licencimin dhe ushtrimin e profesionit si dhe kontroll më efektiv ndaj operatorëve të palicencuar.
Pothuajse të gjithë të anketuarit mbështesin një kod etik të detyrueshëm, ndërsa rreth 7 në 10 shprehin gatishmëri për krijimin e një Dhome Kombëtare të Profesionit të Ndërmjetësit të Pasurive të Paluajtshme.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë






Komente
Komento