Paralelja që ngriti presidenti serb në lidhje me konfliktin Kosovë-Serbi dhe atë në Nogorno-Karabakh, shkaktuan një numër të madh reagimesh në Kosovë, megjithatë Aleksandar Vuçiç ka se deklarata e tij për Nagorno Karabakun, ka qenë “mjaft e saktë dhe precize”.

“Kam folur për nevojën që të shmangim politikën e konfliktit të ngrirë. Unë thashë që konflikti në Nagorno Karabak ka qenë i ngrirë dhe më pas është shkrirë dhe se kushdo në të ardhmen mund të na çojë drejt një katastrofe dhe deri te një konflikt, gjë që nuk na nevojitet”, u ka thënë Vuçiç gazetarëve në Batajnicë.

“Me këtë kam shprehur dëshirën që të krijojmë paqen dhe të bëjmë zgjidhjen me kompromis. Kjo ishte e qartë për të gjithë”, tha Vuçiç, i cili insistoi se të gjithë këto reagime po vijnë për shkak të politikave të brendshme dhe problemeve që ka pasur së fundmi Kosova.

 “Kosova i ka arsyet e veta dhe përplasjet e brendshme.  Për mua është e rëndësishme që të ruajmë paqen. Kjo është politika e Serbisë dhe kjo do të mbetet politika e Serbisë”, tha presidenti serb.

Të enjten, pas një takimi me ambasadorët e Kuintit, Vuçiç tha se në Kosovë mund të ndodhë një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.