Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç  nga kazerma ushtarake “Mija Stanimiroviq” në Nish ka falënderuar  se Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin për dhurimin e tankeve dhe automjeteve të blindura.

Në këtë qytet janë prezantuar 11 tanke të llojit T-72MS dhe 10 automjete të blinduara BRDM-2.

Vuçiç ka theksuar se qëllimi i këtij donacioni është që Serbia të forcojë edhe më tej ushtrinë dhe, siç ka thënë ai, pozicionin e neutralitetit ushtarak, në mënyrë që të mund të parandalojë çdo agresor të mundshëm.

Përveç Vuçiç, prezantimi i tankeve është ndjekur nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Gjenerali Millan Mojsilloviç dhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko.

"Ky nuk është fundi i bashkëpunimit tonë, por vetëm fillimi i një faze të re. Rusia do të vazhdojë të dorëzojë automjete të blinduara dhe lloje të tjera armësh në mënyrë që Serbia të forcojë sovranitetin e saj," ka thënë ambasadori rus Bocan-Kharcenko.

Në fillim të muajit nëntor, ministri serb i Mbrojtjes Nebojsha Stefanoviq, konfirmoi se tanket do të mbërrinin nga Rusia, brenda një kohë të shkkurtër.  

"Tridhjetë tanke moderne T-72 duhet të mbërrijnë, si pjesë e marrëveshjes 'Vuçiç-Putin' në Soçi. Ato forcojnë ndjeshëm aftësitë tona luftarake," pati deklaruar ai për Pink TV më 1 nëntor.

Ende nuk dihet se kush do të paguajë shpenzimet e transportit të armëve dhe pajisjeve ushtarake që Rusia i ka dhuruar Serbisë apo se sa është paguar transporti.