Letra që Aleksandër Vuçiç ka ditë që paralajmëron se do t'i nisë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, tashmë është dërguar. Presidenti serb tha sot se i ka kërkuar KFOR-it të ndalojë, sipas tij, "terrorin" ndaj serbëve në Kosovë, përndjekjen, arrestimet, prishjen e shtëpive të tyre, si edhe hapjen e urës mbi lumin Ibër.
Në një postim në Instagram, Vuçiç shkroi:
"Sapo i kam dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute, duke i kërkuar KFOR-it që, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të ndalojë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen e tyre, arrestimet dhe prishjen e shtëpive të tyre, si edhe hapjen e urës mbi Ibër, si dhe që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë hapa për të siguruar që Prishtina të zbatojë dispozitat kyçe të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013."
Një ditë më parë, Vuçiç akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe vendet perëndimore se, sipas tij, po ushtronin "terror" ndaj serbëve në Kosovë. Ai kundërshtoi edhe hapjen e urës mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve, duke paralajmëruar se do t'i drejtohej me një letër kreut të NATO-s.
Veç kësaj, ai e lidhi ngushtë të ardhmen politike të serbëve në Kosovë me një subjekt të vetëm politik që gëzon mbështetjen e Beogradit.
“Atë ditë që nuk do të jetë Lista Serbe, nuk do të ketë as serbë në Kosovë”, deklaroi Vuçiç
Në këto ditë të nxehta gushti, Vuçiç ka shtuar takimet në popull ndërsa thirrjet për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme shtohen. Në këto takime ai ka përsëritur qëndrimin se Serbia nuk do ta njohë Kosovën por edhe ka artikuluar ide të rrezikshme si ajo e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër që nxitën përplasje të ashpra mes Tiranës dhe Beogradit në rrjete sociale.









Komente
Komento