PRISHTINË - Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u ka premtuar banorëve të Graçanicës se do të punojnë gjithnjë për ardhmërinë e popullit serb, siç u shpreh ai të "Kosovës dhe Metohisë".
Vuçiç u tha ministrave serbë që janë në qeverinë e Kosovës që të punojnë më shumë për popullin e tyre në të kundërtën të japin dorëheqje.
"Nëse populli juaj jeton në varfëri atëherë dilni nga ajo qeveri", u ka thënë Vuçiç, ministrave serbë që ishin prezentë si ministri Aleksandër Jabllanoviç dhe zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviç.
Vuçiç përsëriti premtimet e tij se "ndihma për zonat e banuara me serbë nuk do të mungojnë asnjëherë nga qeveria serbe. "Me këtë që po bëjmë duam të tregojmë se asnjë fshat se kemi harruar, sepse e dimë se sa vështirë jetoni, sa vuani ju këtu. Fëmijë serbë do të lindin përsëri jo vetëm në Pasjan, por në krejt Kosovën", tha Vuçiç.
Sipas tij, ajo çfarë dëshirojmë nga popullata serbe në Kosovë është që të mos i shesin shtëpitë e tyre dhe ta duan vendin për të ardhmen e fëmijëve. Vuçiç së bashku me zyrtarët e tjerë të qeverisë serbe kanë përuruar përmendoren e mbretit Millutin në qendër të Graçanicës. /ATSH/