/ATSH/.-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot kryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i cili e uroi për pozitën e re në krye të legjislativit, duke shprehur besim se, gjatë mandatit të tij, do të ketë intensifikim të marrëdhënieve me shqiptarët e Luginës, duke i bërë ato edhe më përmbajtësore.
Njoftimi i dërguar thekson se bashkëbiseduesit ishin të një mendjeje se ka vend dhe vullnet për përmirësimin e marrëdhënieve mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Luginës së Preshevës, me interes të gjithanshëm.

Veseli dhe Mustafa diskutuan për zhvillimet në vend dhe rajon, për dialogun ndërshtetëror aktual, bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Kuvendit dhe komunave të Luginës së Preshevës, respektimin e të drejtave të njeriut dhe implementimin e marrëveshjeve ndërshtetërore.

Ishte qëndrim i përbashkët i takimit se duhet të respektohen të drejtat e njeriut, si dhe të integrohen pakicat në institucione, në mënyrë që komunitetet pakicë të jenë vendimmarrës në nivele të ndryshme, të kenë qasje të papenguar në edukim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, ruajtjen e identitetit kombëtar etj., gjithnjë me ligje dhe praktika që përafrojnë vendet e Ballkanit me Bashkimin Evropian.

Kryetari i Kuvendit inkurajoi kryetarin e Preshevës, në veçanti për zhvillimet pozitive në fushën e edukimit, duke theksuar se me përkushtim do të përkrahë marrëveshjet e deritanishme të Kuvendit me komunat me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës.