Këmbëngulja e Partisë Socialiste për të fituar mandatin e tretë në zgjedhjet e 25 prillit, po shpërfaqet çdo ditë e më fort përmes fushatës së saj elektorale. Pas 8-të vitesh në qeverisje, intensiteti dhe artikulimi politik i PS në fushatë, deri më tash nuk po “tradhëton” kurkund gjurmë të erozionit të vullnetit të saj për vijimësi. Përgjithësisht qeverisjet, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, pësojnë rotacion pas dy mandatesh. Arsyeja kryesore është konsumimi politik, që zanafillon prej shterpësimit në kohë të alternativave e nismave qeverisëse; mekja e vullnetit vjen edhe prej aksionit opozitar, që e ka të hipotekuar fitimin e terrenit politiko-elektoral edhe prej dështimeve, a moskryerjes së premtimeve të forcës në pushtet.
Vullneti “i pakrisur” i Partisë Socialiste për të fituar mandatin e tretë, ndër të tjera, vjen edhe prej suksesit me të cilën ajo përballoi katastrofën e tërmetit dhe sfidën globale të pandemisë. Megjithë rrekjet për ta dobësuar a sabotuar politikisht këtë sukses, ai është më se evident në sytë e shqiptarëve. Në këtë pikë, doemos, i duhet njohur merita kryeshërbëtorit në qeverisje, Ramës, i cili u “harxhua” personalisht shumë fort, ku, si dhe sa mundi për të përballuar suksesshëm të dyja këto beteja të pazakonta.
Nga ana tjetër, konsumimi politik i kësaj maxhorance, që gjithsesi, teorikisht e praktikisht është i pashmangshëm për çdo qeverisje, duhet vendosur kundruall arritjeve të saj, sidomos po të kihet parasysh ashpërsia e dy viteve të fundit: balanca shkon bindshëm në favor të vijimësisë dhe jo aventurës së ndërprerjes.
Ndërkohë, alternativa opozitare që tashmë po jetësohet dita ditës në fushatë, nuk po dëshmon një staturë besueshmërie të bazuar në elemente konkrete. Eshtë një listim premtimesh dhe akuzash, të flakura në ajrì, por që vështirë se mund të ngjisin. Sigurisht që në to ka edhe të vërteta, po sepse i gjithë fenomeni, pak a shumë, të shpie te fjalët e mprehta të prozatorit bashkëkohor spanjoll Serkas në romanin “Mashtruesi”: “Mashtrimi i madh ka gjithmonë nevojë për të vërteta të vogla”.
“Thyerja” e mundësisë së socialistëve, në këto dy vitet e fundit, për të konkretizuar normalisht për shqiparët projektin e tyre qeverisës, në të gjitha fushat, tashmë po shërben si një katalizator energjish në rritje për të garantuar mandatin e tretë.