Kosova do të luajë sonte ndeshjen e fundit në grupin e Ligës së Kombeve, që është vendimtare për të përcaktuar fatin e saj. ‘Dardanëve’ i duhet vetëm një barazim në përballjen me Irlandën, me këta të fundit që nuk kanë opsion tjetër veçse fitores për të marrë vendin e dytë, që të dërgon në ‘play-off-in’ e Ligës A.
Aktualisht në grupin 3 të Ligës B Austria ka siguruar vendin e parë me 11 pikë, ndërsa Kosova e vendit të dytë ka 6 pikë, 1 më shumë se Irlanda. Grupin e mbyll Izraeli me 3 pikë dhe për rrjedhojë të besuarve të Franco Foda-s do t’u mjaftonte edhe 1 barazim.
“Për ne është ndeshje e vështirë dhe jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij dueli. E dimë se Irlandës i bën punë vetëm fitorja, por çdo ekip futet në fushë vetëm për 3 pikët. E rëndësishme është që Kosova të imponojë lojën e saj dhe do të tentojmë fitoren përmes kundërulmeve,”-u shpreh Franco Foda, trajner i Kosovës.
Në duelin e parë në Prishtinë të zhvilluar në muajin shtator Kosova fitoi me rezultatin 1-0, por sonte në orën 20:45 referuar koeficientëve Irlanda është favorite.
“Është një ndeshje ndaj një kundërshtari të fortë edhe pse e kemi mundur në Prishtinë. E dimë që ata kërkojnë fitoren dhe ne me një barazim kalojmë si vend i dytë, por siç e tha trajneri ne hymë në fushë vetëm për fitore,”-tha Fisnik Asllani, futbollist i Kosovës.
Për këtë duel Kosova nuk ka në dispozicion Edon Zhegrovën të dëmtuar kundër Izraelit, ndërsa mungon për shkak kartonësh edhe Hoxha. Për t’u theksuar që pjesë e Irlandës është edhe mesfushori me origjinë shqiptare Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të kombëtares shqiptare Rudi Vata.









Komente
Komento