PRISHTINË, 14 Nëntor /ATSH/- Komuna e Vushtrrisë ka filluar projektin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, ku do të trajtohen të gjitha kërkesat e qytetarëve të Vushtrrisë për legalizimin e objekteve të tyre.
"Ne si komunë kemi nisur legalizimin e ndërtimeve pa leje, ku kërkojmë nga qytetarët e komunës së Vushtrrisë, si në fshatra ashtu edhe në qytet, që të bëjnë kërkesë për regjistrimin e ndërtimeve pa leje", thotë drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit, Sami Istrefi.
Sipas KosovaPress, ai iu ka bërë apel qytetarëve të Vushtrrisë që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, bëhet e ditur në njoftimin për media dërguar sot nga komuna.
"Të gjitha ata që nuk aplikojnë për legalizim të objekteve të tyre pa leje, objektet e tyre do të hyjnë në regjistrimin e ndërtimeve për rrënim. Ne jemi duke i kushtuar vëmendje të posaçme ndërtimeve pa leje, sepse mos legalizimin e tyre pamundëson regjistrimin e tyre në regjistrat kadastral dhe për pasojë asnjë dokument në lidhje me to nuk mund të merret", thekson drejtori Istrefi.
Formulari i kërkesës për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të merret në Drejtorin për Urbanizëm dhe në Arkivin e Komunës, apo mund të shkarkohet në ueb faqen e komunës. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës për legalizim të ndërtimeve pa leje është 5 shkurti i vitit 2015./k.s/











