PRISHTINË - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, priti sot në takim kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulakun, me të cilin biseduan për procesin e legalizimit të ndërtimeve, proces ky që nga të dy bashkëbiseduesit u cilësua si shumë i rëndësishëm.
Sipas KosovaPress, Agani njoftoi kryetarin Mulaku mbi punën dhe përgjegjësitë që i takojnë kësaj ministrie në procesin e legalizimit, ndërsa shprehu gatishmërinë për bashkëpunim edhe në fusha dhe projekte tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.
Duke folur për legalizimin e ndërtimeve, Mulaku tha se ky proces në Komunën e Vushtrrisë, po ecën në dinamikën e parashikuar.
Ai shprehu bindjen se i gjithë procesi i legalizimit do të përmbyllet në afatin e caktuar, ndërsa bëri të ditur se deri më tani janë dorëzuar mbi 2 mijë aplikime për legalizim të ndërtimeve./ATSH/