Nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, tha se opozita gjithnjë e më shumë ka mbështetjen masive gjithëpopullore.
“Ne po shohim këmbënguljen e kësaj qeverie antikushtetuese që të vazhdojë në krye të pushtetit me çdo kusht, derisa t’i përmbushë të gjitha kushtet e marrëveshjes së koalicionit. Për pjesën e marrëveshjes së koalicionit me Listën Serbe, shkruan në Bruksel dhe na e sollën “Zajednicën”. Tash, pjesa tjetër e marrëveshjes së koalicionit është bërja e Hashim Thaçit President. Opozita do ta vazhdojë ballafaqimin brenda dhe jashtë Kuvendit, duke i qëndruar besnike kauzës sonë”, theksoi Dërguti.
Ajo shtoi se e vendosur përballë presionit në rritje të popullit, qeveria ka nisur të bëhet e dhunshme, dhe se dhuna u bë më se evidente në konferencën për shtyp të mbajtur pas protestës së 17 shkurtit, ku Hashim Thaçi e Isa Mustafa, kërcënuan opozitën me konflikt.
“Suspendimi i deputetëve, tërheqja zvarrë dhe arrestimi i tyre, e bën Kuvendin e Kosovës jodemokratik. Kjo Qeveri që po tenton ta shtypë opozitën, i ka ditët e numëruara në pushtet”, tha ndër të tjera Dërguti.