Lëvizja Vetëvendosje, përmes një reagimi dërguar mediave, arrestimin e deputetit të radhëve të saj, Driton Çaushi, e ka quajtur arrestim me urdhra politikë.

“Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Kuvend, deputetin Driton Çaushi për shkak të aksionit të tij politik për ta ndalur procedimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Këto urdhra të përndjekjes politike për Vetëvendosjen po zbatohen në kohën e lulëzimit të krimit dhe korrupsionit nga Qeveria. Organet e Drejtësisë kanë shumë punë për të bërë. Ata do të duhej të hetonin vetë Komisionin e Murat Mehës që e ka propozuar këtë marrëveshje, aferën ‘Pronto’, ‘dosjen e shefave’, skandalin e pasaportave e shumë skandale të tjera”, thuhet në reagimin e VV-së.

Ky subjekt politik kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Driton Çaushi.

“Po ashtu, e paralajmërojmë qeverinë kuislinge që nuk mund të vazhdojë me kalimin e kësaj marrëveshjeje. Kosova nuk ka tokë për të falur, kurse veprimet e tyre nuk mund të na ndalin e as frikësojnë në mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të Republikës”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes. 

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com