Donald Trump nuk dëshiron sulme të tjera ndaj objekteve dhe impianteve energjetike të Iranit. Kështu raporton Wall Street Journal, duke cituar disa burime, sipas të cilave presidenti ishte informuar paraprakisht për sulmin e Izraelit ndaj fushës së gazit South Pars, më e madhja në botë.
Trump e ka konsideruar këtë sulm si një mesazh për Teheranin, në përgjigje të bllokimit të Ngushticës së Hormuzit. Sipas tij, Irani e ka marrë mesazhin. Për këtë arsye, tani – sipas disa zyrtarëve amerikanë – ai kundërshton sulme të tjera ndaj infrastrukturës energjetike iraniane.
Megjithatë, Trump mund të rikthehet të marrë në shënjestër këto impiante, pasi gjithçka do të varet nga veprimet e Teheranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit, e cila është bërë një element kyç i përplasjes me Iranin.
Sulmet ndaj impianteve të naftës dhe gazit iranian kanë shkaktuar rritje të çmimeve të naftës, duke vënë administratën amerikane në vështirësi. Trump ka pezulluar për 60 ditë Jones Act, i cili parashikon që transporti i naftës brenda vendit të kryhet me anije të ndërtuara në SHBA, në pronësi amerikane dhe me ekuipazh amerikan.
Administrata gjithashtu ka lehtësuar sanksionet ndaj naftës së Venezuelës. Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance do të takojë të enjten kompanitë e mëdha të naftës për të diskutuar mënyrat e përballimit të rritjes së çmimeve.
Lajmi kryesor:
Lufta/ Presidenti iranian: Sulmet ndaj objekteve tona energjetike kanë pasoja të pakontrollueshme! Teherani godet me raketa rafinerinë më të madhe të gazit në Katar






