Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark është konfirmuar si dëshmitari i fundit në mbrojtjen e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale të Hagës. Kërkesa për dhënien e dëshmisë së tij është paraqitur zyrtarisht. Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, ka siguruar edhe një leje të posaçme nga qeveria e SHBA-së që të japë dëshminë e tij në seancë.
Ish-gjenerali i NATO-s konsiderohet dëshmitari më i rëndësishëm dhe dëshmia e tij do të jetë kyçe pasi ai drejtoi fushatën 78 ditore të bombardimeve të aleancës kundër Serbisë. Kjo do të jetë dëshmia e dytë e ish-gjeneralit amerikan në një proces gjyqësor në Hagë që lidhet me konfliktet e armatosura në Ballkan. Në vitin 2003 ai dëshmoi në gjyqin ndaj Sllobodan Millosheviç që akuzohej për krime lufte.
"Në përputhje me Urdhrin e Dhomës së Gjykimit të datës 2 shtator 2025, mbrojtja e z. Hashim Thaçi njofton se ka marrë autorizimin nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që lejon dhënien e deklaratës dhe dëshmisë së dëshmitarit të saj të fundit, 1DW-007, gjeneral Wesley Clark.", thuhet në shkresën e avokatëve të Thaçit.
Ish-ushtaraku amerikan është dëshmitari i pestë me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin. Pas tij dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje.
I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.Mbrojtja për ish-presidentin Thaçi pritet që të përfundojë në muajin nëntor.
Fushata e drejtuar nga Clark detyroi ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviç, të tërhiqte forcat serbe nga Kosova në qershor 1999, duke i hapur rrugë vendosjes së trupave të KFOR-it, mision i NATO-s, si dhe kthimit të refugjatëve.
Që nga 5 nëntori i vitit 2020, në paraburgimin e Hagës ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.


Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në dokumentin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara flet pak edhe rreth dëshmisë së Wesley Clark.
Në këtë dokument thuhet se Clark përshkruan ndërveprimet që ka pasur me UÇK-në, delegacionin e Rambujesë dhe konkretisht Hashim Thaçin.
Siç shkruan mbrojtja, Clark do të japë përshtypjet e tij për mungesën e strukturës dhe organizimit të UÇK-së dhe për mungesën e kontrollit të Hashim Thaçit mbi UÇK-në dhe se ish-presidenti ishte person politik, pa përvojë ushtarake.
“Së fundmi, 1DË-007 përshkruan ndërveprimet e ndryshme që ai pati me UÇK-në, delegacionin e shqiptarëve të Kosovës në Rambuje dhe konkretisht me z. Thaçi. Ai jep vëzhgimet dhe përshtypjet e tij në lidhje me mungesën e strukturës dhe organizimit të UÇK-së, dhe mungesën e çdo komande ose kontrolli funksional. Ai gjithashtu vëzhgoi mungesën e kontrollit që z. Thaçi kishte mbi UÇK-në, dhe se ai ishte vetëm një person politik pa përvojë ushtarake, si dhe përshkruan pse do të ishte e padrejtë t’i atribuohej sjelljes së keqe të të tjerëve z. Thaçi.”, thuhet në dokumentin e mbrojtjes.
Komente









