Një rast i panjohur nga publiku – i denjë për një film të Hollivudit - zbulohet në kabllogramet e publikuara këto ditë nga Wikileaks. Fjala është për dy qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare, të cilët kishin kërkuar dhe marrë vizë hyrjeje në Shqipëri në vitet ’70 për të takuar të afërmit e tyre. Por, pas hyrjes në Shqipëri u duk se ata nuk kishin mundësi të dilnin prej andej.
Një situatë e tillë alarmoi Departamentin amerikan të Shtetit, me sa duket, edhe pas kërkesave që vinin në adresë të qeverisë amerikane nga ana e familjarëve të tyre. Bën përshtypje se të gjitha kabllogramet e lëshuara nga Departamenti mbajnë siglën e vetë sekretarit të Shtetit Henry Kissinger, çka shpreh shkallën e lartë të angazhimit të zyrtarëve amerikanë për të zgjidhur problemin, por ky rezultoi shumë i vështirë për t’u zgjidhur.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë periudhë nuk kishin përfaqësi në Shqipëri dhe midis dy vendeve nuk ekzistonin marrëdhënie diplomatike. Vlen të theksohet se në vitet ’70 vetëm në Shqipëri dhe në Mongoli mungonin ambasadat amerikane.
Diplomacia amerikane i kërkoi ndihmë ministrisë italiane të Punëve të Jashtme për të marrë informacion rreth gjendjes së qytetarëve amerikanë. Sa më poshtë, vijojnë kabllogramet e shkëmbyera midis ambasadës amerikane në Romë dhe Departamentit të Shtetit lidhur me zgjidhjen e çështjes së James Litsikas, në atë kohë 76-vjeçar, qytetar amerikan që nga viti 1917, por lindur në Shqipëri dhe 55-vjeçarit Thomas Soter, lindur në Vithkuq dhe qytetar amerikan që në moshë të mitur, të cilët erdhën për të takuar familjarët, por nuk lejoheshin më të largoheshin nga Shqipëria e izoluar e asaj kohe.
Kabllogramet më pas kanë përfshirë edhe misionin amerikan në OKB.
Kabllogramet e zbuluara nga Wikileaks përfshijnë periudhën 1973-1976 dhe ato të mëparshmet 2003-2010. Fatkeqësisht, çështja që shtrohet më poshtë nuk do të mësohet se si ka përfunduar, të paktën nga këto dokumente të publikuara rishtas.
JAMES LITSIKAS, QYTETAR AMERIKAN NË SHQIPËRI
13 gusht 1975
Për përdorim zyrtar të kufizuar
Departamenti i Shtetit
I kërkohet ambasadës të kontaktojë ministrinë e Jashtme italiane për ndihmë lidhur me kontaktimin e z. James Litsikas, qytetar amerikan që ndodhet në Shqipëri. Vajza e personit në fjalë ka treguar se ai ka lindur në Shqipëri dhe është natyralizuar si qytetar amerikan në vitin 1917. Në vitin 1971 mori vizë në Itali për të vizituar Shqipërinë dhe kemi bindjen se ai ka dy vjet që përpiqet pa sukses të largohet nga ky vend, por rrethanat janë të paqarta.
Personi mendohet të jetë në Sopik, Poliçan, Gjirokastër. Kemi nevojë për informacion të saktë për gjendjen e tij aktuale dhe lidhur me shkaqet pse ai nuk ka mundur të largohet nga Shqipëria, si psh çfarë dokumentash kërkohen nga autoritetet shqiptare që ai të lejohet të largohet.
Do të vlerësonim shumë çdo asistencë që mund të na jepte ministria.
Kissinger
14 janar 1976
Për përdorim zyrtar të kufizuar
Ambasada Romë
Sipas kërkesës tuaj, ambasada i kërkoi me një notë verbale ministrisë italiane të Punëve të Jashtme më datë 19 gusht 1975 të hetojë lidhur me gjendjen e qytetarit amerikan James Litsikas, nëpërmjet ambasadës italiane në Tiranë. Ende nuk kemi asnjë përgjigje. Sot i kemi nisur edhe një notë tjetër ministrisë. Do të njoftojmë Departamentin menjëherë sapo të marrim një përgjigje për notat.
Volpe
QYTETARËT AMERIKANË NË SHQIPËRI, JAMES LITSIKAS DHE THOMAS SOTER
29 tetor 1976
Për përdorim zyrtar të kufizuar
Departamenti i Shtetit
Departamenti i Shtetit kërkon që një anëtar i misionit amerikan pranë Kombeve të Bashkuara të kontaktojë me delegacionin e Republikës Popullore të Shqipërisë lidhur me gjendjen e dy qytetarëve amerikanë të lindur në Shqipër, që raportohet të ndodhen në Shqipëri, por pa mundur të ikin prej andej.
Personat janë:
a) James Litsikas, rreth 76 vjeç, qytetar amerikan që nga viti 1919. Litsikas shkoi në Shqipëri në vitin 1971për një vizitë të planifikuar dyjavore pasi mori vizë nga ambasada shqiptare në Romë. Që prej asaj kohe, nuk ka patur mundësi të largohet nga Shqipëria.
Sipas letrave që ka marrë familja e tij në një korrespondencë të çrregullt, autoritetet kanë kërkuar prej atij të provojë se ai ka një vajzë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me vështirësi të mëdha, ai ka siguruar çertifikatën e lindjes së saj, por qendrimi ndaj tij nuk ndryshoi. Ai është pajisur me pasaportë amerikane, afati i së cilës skadon këtë vit. Gjatë këtij viti është shtruar në spital.
b) Thomas Soter ka lindur më 22 shkurt 1920 në Vithkuq të Shqipërisë. Familja tregon se ai është natyralizuar duke qenë i mitur, në një datë të panjohur. Në fund të shtatorit të 1975-ës ai ka marrë një vizë vizitori 45-ditëshe në ambasadën shqiptare në Romë dhe ka planifikuar t’i bëjë vizitë dajës së tij Josif Stratti në Korçë. Që nga nisja e tij nga Roma, familja nuk ka patur asnjë komunikim me të.
Departamenti i Shtetit ka kërkuar më parë asistencë nga qeveria italiane që kanë ambasadë në Shqipëri. Jemi informuar se ambasadori italian në Tiranë ka vendosur të mos merret me dy çështjet. Kjo, pasi ai ka vlersuar se nuk do të kishte rezultat, duke qenë se më parë ka patur përgjigje të prera ndaj përpjekjeve për të ndërhyrë në favor të qytetarëve italianë të burgosur dhe, nga ana tjetër, qeveria italiane nuk përfaqëson zyrtarisht interesat amerikane në Shqipëri.
Ambasada amerikane në Romë ka sugjeruar që të marrin në konsideratë mundësinë e kontakteve me shoqatën e shqiptarëve etnikë në Masaçusets, por familja e James Litsikas-it ka dështuar më parë në përpjekjet për të vepruar nëpërmjet shoqatës. E vetmja mundësi na mbetet, pra, të kontaktojmë misionin shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Mendojmë se trajtimi do të bëhej mbi baza humanitare, duke përmendur dëshirën e familjeve që këta persona të kthehen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pamundësinë e tyre për të mësuar se pse ata nuk janë kthyer. Fakti që me Litsikas-in ka patur shumë pak komunikim, ndërkohë që asnjë gjë nuk dihet lidhur me Soter-in, mund të thuhet se familjet janë të shqetësuara lidhur me gjendjen e tyre.
Kissinger
20 nëntor 1976
Për përdorim zyrtar të kufizuar
Misioni OKB
Nië zyrtar i misionit të SHBA pranë Kombeve të Bashkuara kërkoi takim me misionin shqiptar pranë OKB për të diskutuar lidhur me çështjet Litsikas dhe Soter. Ai kërkoi të fliste me atasheun e misionit shqiptar Hasan Dani, në mënyrë që të përgatitej një takim për çështje humanitare.
Një punonjës i paidentifikuar i misionit, që e cilësoi veten “asistent teknik”, u përgjigj se nuk ishte e mundur të flitej me Danin, duke qenë se misioni ishte në Nju Jork vetëm për të trajtuar vetëm çështje të Kombeve të Bashkuara dhe asgjë tjetër.
Ndoshta një nga punonjësit e ambasadave tona mund të kërkojë takim me homologë shqiptarë për ta shtruar çështjen ashtu si duan shqiptarët. Do të vazhdojmë përpjekjet për të gjetur mundësi për të përdorur persona të tretë në këtë process, si dhe mund të mendohet që familjarët e dy personave të përdorin rrugë privatisht për të kontaktuar këtu në Nju Jork.
Scranton
17 dhjetor 1976
Për pëdorim zyrtar të kufizuar
Departamenti i Shtetit
Departamenti i Shtetit kërkon që në rrugë jozyrtare një punonjës i ambasadës sonë në Romë të kërkojë takim me ambasadën shqiptare në Itali lidhur me çështjen Litsikas dhe Soter
Kissinger
21 dhjetor 1976
Për përdorim zyrtar të kufizuar
Ambasada Romë
Ambasada shqiptare reagoi në mënyrë të kujdesshme ndaj kërkesës sonë për një takim. Për zyrtarët që kërkuam të takojmë, na u tha se janë të gjithë “jashtë qytetit” dhe na u kërkua të telefonojmë sërish pas një jave. Këtë do të bëjmë
Beaudry
Shkrimin u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.04.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)