Julian Assange godet përsëri. Edhe i bllokuar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër si i strehuar politik, ai ka gjetur mundësi e mënyra për të publikuar dhjetëra mijëra kabllograme të diplomatëve amerikanë, që hedhin dritë edhe mbi historinë, jo shumë të largët, të vendit tonë.
Në mesazhet që publikohen sot, ajo që të bën përshtypje është, sidomos, mënyra se si arrinin të merrnin informacione diplomatët amërikanë, në mungesë të një selie diplomatike në Tiranë, nga një shoqëri e mbyllur deri në paranojë. Kjo bëhej e mundur nëpërmjet kanaleve diplomatike të pranishme në Shqipëri, duke nisur nga ato të vendeve fqinjë.
Një prej këtyre kabllogrameve pohon se ish-kryeministri Mehmet Shehu ka marrë kontakte me homologun e vet francez të atyre viteve, Jacques “Shaban” Delmas, gjë, që deri tani, nuk dihej. Sa më poshtë vijon kabllogrami në fjalë.
16 mars 1973
Kryeministri shqiptar në Paris
Konfidencial
Ambasada Paris
Zyrtarë të Ambasadës kanë mësuar në dy biseda të ndryshme më 16 mars nga diplomati francez De la Coste dhe nga sekretari i parë i Ambasadës sovjetike në Paris Sushkov se kryeministri shqiptar Shehu ka ardhur në Francë për trajtim mjekësor.
Sipas De la Coste-s, Mehmet Shehu kishte kontaktuar në telefon me kryeministrin francez Shaban Delmas vitin e kaluar, pas një trajtimi të ngjashëm në Paris (7 prill 1972), por shtoi se Ambasada shqiptare nuk kishte dijeni në se Shehu do të komunikonte zyrtarisht me zyrtarë qeveritarë francezë para se të përfundonte vizitën aktuale.
Shehu duket se ka mbërritur në Paris më 14 mars. Që prej asaj dite, atasheu detar ka parë disa makina me targa diplomatike shqiptare, të shoqëruara nga punonjës të shërbimit francez të sigurimit. Në makinën më të ruajtur ndodhej një burrë dhe një grua, që mendohet se ishin zoti dhe zonja Shehu.
DIPLOMATËT SHQIPTARË
Një kabllogram tjetër njofton pajisjen me viza për të hyrë vetëm në Nju Jork të delegacionit zyrtar shqiptar, që do të merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara
14 shtator 1973
Delegacioni shqiptar në OKB
Për përdorim zyrtar të kufizuar
Ambasada Paris
Janë pajisur me viza për në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara pjesëtarët e delegacionit shqiptar si më poshtë: Nesti Nase, ministër i Punëve të Jashtme, lindur më 14 prill 1922 në Korçë, mbajtës i pasaportës diplomatike nr. 002186;
Reiz Malile, zv.ministër i Punëve të Jashtme, lindur më 12 gusht 1924 në Leskovik, mbajtës i pasaportës diplomatike nr. 001651; Anastas Shuke, drejtor në ministrinë e Punëve të Jashtme, lindur më 7 janar 1940 në Pogradec, mbajtës i pasaportës diplomatike nr.
003419; Abdi Baleta, drejtor në ministrinë e Punëve të Jashtme, lindur më 18 prill 1941 në Tiranë, mbajtës i pasaportës diplomatike nr. 003423; Javer Malo, ambasador në Paris, lindur më 1 janar 1920 në Delvinë, mbajtës i pasaportës diplomatike nr. 002251;
Servet Backa, zyrtar i ministrisë së Punëve të Jashtme, lindur më 10 tetor 1930 në Korçë, mbajtës i pasaportës diplomatike nr. 001539; Thoma Haxhi, zyrtar i ministrisë së Punëve të Jashtme, lindur më 3 shtator 1946 në Tiranë, mbajtës i pasaportës diplomatike nr. 003425.
ELIMINIMI I BALLUKUT
16 shtator 1974
Është zhdukur ministri shqiptar i Mbrojtjes
Konfidencial
Ambasada Romë
Sipas një zyrtari të ministrisë italiane të Punëve të Jashtme që mbulon Shqipërinë, ambasadori italian në Shqipëri ka njoftuar Romën se tashmë është një fakt i pranuar nga të gjithë në Tiranë se ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku është shkarkuar nga detyra.
Megjithatë, ambasadori ve në dukje se nuk ka asnjë konfirmim zyrtar lidhur me këtë nga burime zyrtare shqiptare. Sipas ambasadorit, lidhja që bëhet në Tiranë me heqjen e Ballukut ka të bëjë me dëshirën e këtij të fundit për të përmirësuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik.
PIKËPYETJET LIDHUR ME RAMIZ ALINË
16 qershor 1975
Udhëheqja shqiptare
Për përdorim zyrtar të kufizuar
Mynih
Radio Evropa e Lirë tërheq vëmendjen lidhur me përmendjen për herë të parë në listën e Byrosë Politike të Llambi Gegpriftit. Ai u bë zv.ministër i Mbrojtjes gjatë ndryshimeve më të fundit në ekipin më të lartë drejtues ushtarak në Shqipëri, gjatë të cilit Mehmet Shehu zëvendësoi Beqir Ballukun.
Ndërkohë, është vënë re një mungesë e Ramiz Alisë, sekretar i KQ dhe anëtar i Byrosë Politike, nga aktivitetet zyrtare. Media shtetërore shqiptare nuk e ka përmendur emrin e tij ndërmjet personaliteteve që ishin të pranishëm në festimet e 1 Majit në Tiranë, si dhe në festivalin e përvitshëm të muajit maj, ku ndodheshin 13 anëtare dhe kandidatë të Byrosë, po jo ai.
Si kryeideologu i partisë dhe ekspert në fushën e kulturës, ai duhej të ishte i pranishëm. Për herë të fundit, Alia u pa në mbledhjen e Bashkimeve Profesionale në 29 mars 1975, ku mbajti fjalën kryesore.
(Në foto: Faksimilet e kabllogramëve të Wikileaks)
Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 09.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)