Të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, e kanë nisur një takim në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin pas dy ditësh bisedime në Abu Dabi, ku përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës diskutuan mundësitë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.  

Takimi në Kremlin zgjati rreth dy orë dhe synimi i palës amerikane ishte të informonte presidentin rus mbi ecurinë e negociatave, si dhe të kërkonte mbështetjen e tij për vijimin e procesit diplomatik. Pas përfundimit të takimit, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të zhvillojnë bisedime edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara në Moskë ishte përfshirja e vendeve evropiane në negociatat për paqen dhe sigurinë e ardhshme të kontinentit. Jared Kushner bëri të ditur se një prej synimeve të takimit me Putinin ishte marrja e miratimit të tij për pjesëmarrjen e përfaqësuesve evropianë në tryezën e bisedimeve.

Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kërkojnë që vendet evropiane të caktojnë një përfaqësues të vetëm për të negociuar me Moskën. Por Rusia kundërshton përfshirjen e tyre, duke argumentuar se shtetet evropiane po financojnë dhe furnizojnë me armë ushtrinë ukrainase.

Ndërkohë, Putin përsëriti kundërshtimin e tij ndaj çdo pranie të trupave evropiane në Ukrainë pas një armëpushimi, duke paralajmëruar se Moska do ta konsideronte një dislokim të tillë si kërcënim për sigurinë e saj dhe trupat si objektiva legjitime. Sipas presidentit rus, në një rast të tillë lufta do të rifillonte menjëherë.

Një tjetër pengesë në negociata mbetet çështja territoriale. Putin kërkon që një marrëveshje e mundshme të njohë pretendimet ruse mbi katër rajonet ukrainase të aneksuara në vitin 2022, Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, të cilat Rusia nuk i kontrollon plotësisht.

Nga ana tjetër, Kushner deklaroi se delegacionet ruse dhe ukrainase kanë rënë dakord për disa prej parimeve të paqes, por vazhdojnë të kenë mospajtime për mënyrën se si do të realizohet marrëveshja. Bisedimet pritet të vijojnë në ditët në vazhdim, ndërsa Uashingtoni synon të afrojë qëndrimet e palëve për t'i dhënë fund konfliktit që po i afrohet vitit të pestë.