Presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord për rifillimin e bisedimeve trepalëshe të paqes me Ukrainën, të ndërmjetësuara nga SHBA-të, që mund të nisin pas 10 nëntorit. Sipas Kremlinit, negociatat mund të zhvillohen në Abu Dhabi dhe do të përqendrohen te garancitë e sigurisë për të dyja palët pas përfundimit të luftës.
Vendimi u bë i ditur pas takimit në Shën Petersburg mes Putinit dhe të dërguarit special amerikan Steve Witkoff, i cili zgjati afro tre orë. Në diskutime u trajtuan propozime të reja për një marrëveshje paqeje, ndërsa Uashingtoni po shton presionin ndaj Kievit për t’i dhënë fund konfliktit.
Megjithatë, palët mbeten larg një marrëveshjeje. Moska vazhdon të kërkojë kontrollin e plotë të rajonit të Donetskut dhe kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në NATO, ndërsa Kievi kërkon garanci të forta sigurie.
Takimi vjen në një periudhë tensionesh mes SHBA-së dhe Ukrainës, pas shqetësimeve për kufizime në shkëmbimin e inteligjencës dhe përdorimin e sistemeve satelitore Starlink nga ushtria ukrainase.
Gjatë bisedimeve, Putin ofroi gjithashtu bashkëpunim me administratën Trump për çështjen e Iranit dhe furnizimin e fermerëve amerikanë me plehra kimike ruse. U diskutua edhe mundësia e një takimi mes Trump, Putinit dhe presidentit kinez Xi Jinping në Kinë muajin e ardhshëm.







Komente
Komento