Ambasador Wollfarth, Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po i ofron mbështetje teknike KQZ-së, në mënyrë që kjo e fundit të luajë rolin e saj në mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me standardet e OSBE-së dhe ato ndërkombëtare. A mund të informoni audiencën tonë, ju lutem, se ku drejtohet kjo mbështetje?
Ndihma e Prezencës lidhur me zgjedhjet është përqendruar në ofrimin e mbështetjes teknike për të profesionalizuar administratën zgjedhore. Filluam me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në edukimin e zgjedhësve dhe në trajnimin e policisë lidhur me rolin e saj në zgjedhje. Përveç kësaj, Prezenca ka mbështetur aktivisht procesin këshillimor për reformën e Kodit Zgjedhor, në vitin 2012, duke dhënë këshilla e duke organizuar diskutime në nivel deputetësh dhe ekspertësh për aspektet teknike të reformës, përfshirë përdorimin e teknologjive të reja. Këto kanë shërbyer për t’i ndihmuar vendimmarrësit në hartimin e legjislacionit të duhur.
Fatkeqësisht, ngërçi në KQZ po vazhdon. A e rrezikon kjo situatë efektshmërinë e ndihmës teknike që OSBE-ja i jep KQZ-së?
Do të ftoja të bëhej një dallim. Nuk është faji i KQZ-së. Anëtarët e mbetur po bëjnë më të mirën. Është një vendim dhe mosveprim në nivelin politik, që dëmton një proces të rëndësishëm demokratik. Padyshim, është e parapëlqyeshme, madje e detyrueshme, nga aspekti teknik dhe politik, që KQZ-ja të jetë e plotë. Ne jemi këtu për të ndihmuar në ndërtimin e një demokracie akoma më të fortë në Shqipëri. Prandaj, puna jonë në trajnimin e zyrtarëve të administratës zgjedhore, të policisë dhe në mbështetjen e edukimit të zgjedhësve po vijon e papenguar.
Keni ndonjë sugjerim se si mund t’i jepet fund ngërçit në KQZ? A mendoni se funksionimi normal i KQZ-së, me të gjithë anëtarët, shërben si bazë për efektshmërinë e mbështetjes teknike të OSBE-së?
Nevojitet dialog dhe ndërveprim mes partive politike për të ndërtuar besimin dhe ligjshmërinë e KQZ-së. Ne e kemi mbështetur funksionimin profesional të KQZ-së që nga krijimi i saj dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Lejomëni të ritheksoj: efekti i ndihmës teknike që i japim KQZ-së nuk ndikohet negativisht nga ngërçi. Gjithsesi, unë do t’u bëja thirrje partive politike të heqin dorë nga zëvendësimi i vazhdueshëm i anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor të trajnuar nga KQZ-ja, pasi kjo mund të ketë një ndikim negativ serioz në punën e paanshme dhe profesionale të këtyre komisioneve.
Çfarë do të thotë të zhvillosh zgjedhje “në përputhje me standardet dhe angazhimet e OSBE-së”? Ju lutem, a mund të na e shtjelloni kuptimin e këtyre standardeve? Përmbushja e këtyre standardeve do të jetë një nga bazat kryesore ku Misioni i OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do ta mbështesë vlerësimin e tij për zgjedhjet e 23 Qershorit.
Çdo Mision i OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve i vlerëson zgjedhjet mbështetur në angazhimet e OSBE-së. Këto angazhime gjenden kryesisht në Dokumentin e Kopenhagenit të vitit 1990, i cili përcakton kriteret që përdor OSBE-ja, në mënyrë që të gjitha zgjedhjet, në të gjitha vendet, të vlerësohen në bazë të të njëjtave standarde. Ka
angazhime për zgjedhjet që të mbahen në intervale kohe të rregullta, lidhur me fshehtësinë e votës dhe ndarjen mes shtetit dhe partive politike – këto janë vetëm disa nga kriteret.
Ambasadori Wollfarth, cilat janë mundësitë dhe sfidat që paraqesin për Shqipërinë zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit?
Këto zgjedhje janë jetike për procesin e demokratizimit dhe, me siguri, do të ndikojnë në shpejtësinë e Shqipërisë në axhendën e reformave dhe, bazuar mbi këtë, në përparimin e mundshëm drejt integrimit evropian. Sikurse në proceset e shkuara zgjedhore, një nga problemet kryesore mbetet mungesa e shpeshtë e vullnetit politik për ta zbatuar plotësisht legjislacionin zgjedhor me mirëbesim. Ndërsa konkurrenca politike është e natyrshme dhe e dobishme për demokracinë, retorika dhe veprimet negative të udhëheqësve politikë rrezikojnë të minojnë besueshmërinë dhe legjitimitetin e procesit zgjedhor. Klasa politike shqiptare ka mundësinë të dëshmojë pjekuri dhe përkushtim për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për Shqipërinë. Ajo duhet të dëshmojë vullnet të mirë politik dhe të angazhohet në dialog konstruktiv për të adresuar çështjet me interes, sikurse është ajo e anëtarësisë së KQZ-së. Nëse kjo nuk ndodh, zhvillimi i Shqipërisë dhe përparimi i saj drejt integrimit evropian mund të ngadalësohet akoma më shumë – një rezultat i padobishëm për askënd. Në këtë kontekst, do t’ju rekomandoja të mos harroni që njerëzit e qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm zakonisht marrim më shumë fonde. Ky është një aspekt ku jeta private dhe ajo politike nuk ndryshojnë shumë.
Demokratizimi i Shqipërisë dhe konsolidimi i institucioneve të saj demokratike janë procese kyçe dhe jetësore në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Si mund të bëhet kontributi i OSBE-së më i dukshëm te qytetarët, në mënyrë që të rritet aktivizimi dhe pjesëmarrja e tyre në këto procese?
Prezenca e OSBE-së ka mbështetur zbatimin e Kartës së Shoqërisë Civile – një dokument që ofron bazën për bashkëpunim mes qeverisë dhe shoqërisë civile. Gjithashtu, ne kemi mbështetur reformën në edukimin qytetar, kemi ndërmarrë nisma për angazhimin qytetar të të rinjve dhe kemi krijuar mundësi që të rinjtë të takohen me përfaqësuesit e institucioneve kryesore, për të shkëmbyer pikëpamjet e tyre për demokracinë. Mbështetja e afrimit të deputetëve me qytetarët ka qenë një tjetër përparësi e veprimtarive tona në fushën e angazhimit qytetar. Forumet me deputetët kanë krijuar mundësi për ndërveprim dhe shkëmbim pikëpamjesh. Përveç kësaj, Prezenca ka ndihmuar pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në vendimmarrje, përmes mbështetjes që i ka dhënë Këshillit Kombëtar të Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Forumit Rinor të Aftësisë së Kufizuar. Pra, mendoj se mund ta shihni që jemi shumë të angazhuar në përfshirjen e qytetarëve dhe në ndërtimin e një shoqërie civile aktive dhe të efektshme. Më i rëndësishëm për ne është rezultati dhe këtë përpjekje e shohim në rrugë të mbarë.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)