50 vjet kanë kaluar që nga 15 gushti i vitit 1969, kur ajo që supozohej të ishte një ngjarje muzikore thjesht lokale, u bë pjesë e historisë së muzikës rock dhe u bë simbol i një epoke të tërë.

Gjysmë milion njerëz u mblodhën në Bethel (në shtetin e New York) për të marrë pjesë në tre ditët e paqes dhe muzikës që patën edicionin e parë të jashtëzakonshëm atë vit.

Organizatori i asaj që u bë një ndër etapat e rëndësishme të historisë së muzikës dhe kulturës hipi ishte 20-vjeçari Michael Lang.

Në pak kohë arriti të bënte bashkë emra të njohur të asaj kohe: Richie Havens, Swami Satchidananda, Sweetwater, Country Joe McDonald, John Sebastian, The Incredible String Band, Bert Sommer, Tim Hardin, Ravi Shankar, Melanie Safka, Arlo Guthrie e Joan Baez, protagonistë të ditës së parë.

Quill, Keef Hartley Band, Santana, Canned Heat, Mountain, Janis Joplin & The Kozmic Blues Band, Sly & the Family Stone, Grateful Dead, Creedence Clearwater Revival, The Who, Jefferson Airplane, interpretuan ditën e dytë.

Ndërsa për mbylljen u ngjitën në skenë The Grease Band, Joe Cocker, Country Joe and the Fish, Ten Years After, The Band, Blood, Sweat & Tears, Johnny Winter, Crosby, Stills, Nash & Young, Paul Butterfield Blues Band, Sha-Na-Na e Jimi Hendrix.

Ata që e jetuan atë ngjarje të jashtëzakonshme ishin pjesë e një revolucioni.

Woodstock gjithçka dukej e mundur: të jetoje në paqe, pa zotin e parave, pa policinë, përtej rregullave dhe ndalimeve, ku gjithçka shkoi pa probleme.

Woodstock mbetet fotografia gjigande e një brezi që ka shpresuar të hapë një fragment të parajsës jashtë botës.

Kujtimet, zërat, fytyrat, tregimet bashkohen me mirazhin e mijëra makinave, furgonave, biçikletave të braktisura nga hipitë, rrahjet dhe droga.

Woodstock ishte një utopi e një bote tjetër, e bashkuar dhe paqësore, e cila falë muzikës u bë realitet për herë të parë.

Rinia amerikane e viteve ’60-të

Ishte koha kur lufta në Vietnam po vazhdonte ende. Në vitin 1965 numri i ushtarëve amerikanë në Vietnam kishte arritur në 150.000.

Në anën tjetër deklaratat e qeverisë për qëllimet paqsore të SHBA binin në kontradiktë me investimet militariste.

Përhapja e televizionit në atë kohë, dhe veçanërisht atij me ngjyra i solli tmerret e luftës në shtëpitë amerikane realisht, ashtu siç po ndodhnin. Transmetimet televizive u treguan qytetarëve amerikanë se në Vietnam po vriteshin njerëz të pafajshëm kur në fakt Vietnami nuk përbënte asnjë rrezik për sigurinë e Amerikës.

Sa më shumë rritej nevoja për ushtarë për luftën në Vietnam aq me shumë rritej edhe protesta e të rinjve kundër kësaj lufte. Ata bënin çmos në mënyra të ndryshme të shmangnin detyrimin ushtarak. Të tjerë e refuzonin atë direkt dhe merrnin në sy të shkonin edhe në burg.

Rasti i kampionit Olimpik të 60 -tës, Cassius Clay që refuzoi hapur vajtjen në ushtri u bë i njohur brënda dhe jashtë vëndit. Ai madje ndërroi emrin në Muhamed Ali, iu bashkua fesë islame dhe deklaroi se kishte arsye religjoze për të mos shkuar në luftë. Qëndrimi i tij i egërsoi autoritetet, që i hoqën titullin e kampionit.

Të ndodhur midis kontradiktave, midis asaj çfarë u thuhej dhe realitetit, të rinjtë vunë në diskutim edhe vlerat e gjeneratës së prindërve të tyre. Ata filluan të depërtonin me thellë e seriozisht në jetën politike të vëndit. 

Në valën e protestave mjaft të rinj shkuan edhe më tej. Ata filluan te kundërshtojnë edhe kulturën amerikane të traditës. Ata u përpoqën të krijojnë një kulturë që të ishte krejt e tyrja e ngritur mbi idenë e bashkësisë dhe respektit reciprok. Kultura e re “e hippive”, siç u quajt, vinte në bazë idealet e paqes, dashurisë dhe vllazërisë.

Festivali  i mbijetoi tё gjitha vёshtirёsitë, sfidoi frikёn e ankthin  duke transmetuar triumfalisht mesazhin e paqes, dashurisё dhe shpresёs pёr njё shoqёri mё tё mirё.