Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka folur në lidhje me financat jo të shëndosha që klubi katalanas ka vitet e fundit. Performanca në fushë shpeshherë nuk është lidhur me emrat më të mirë që janë në botën e futbollit, ndërsa Barça nuk mundi të kthente në ekip Lionel Messin.
“Jemi në një situatë të ndërlikuar. Më thonë se po flas më shumë për paratë se sa për futbollin, por kjo është e vërteta. Nuk kemi privilegjin që të shkojmë të një futbollist, të flasim me të dhe më pas të hedhim firmën në kontratë. Ata nku vijnë, pasi mungojnë paratë”, u shpreh Xavi.
Trajneri thotë se sezonin e ri nuk do e kenë të lehtë, pasi edhe pse janë kampionë në La Liga, mungesa e buxhetit do bëjë të vetën në një kampionat me rivalitet.
“Na mungojnë ende mjaft lojtarë të fortë që duhet të përforcojnë këtë skuadër, ndaj nuk duhet të mburremi se jemi më të mirët. Mos mendoni se sezonin e ri do ta kemi të lehtë me që jemi kampionë në Spanjë”, tha Xavi Hernandez, duke nënkuptuar se Real Madrid është i privilegjuar për shkak të financave dhe mund të marrë lojtarët që dëshiron.
Kujtojmë se gjatë kësaj merkatoje, Barça ka siguruar shërbimet e Gundogan nga Man. City dhe Inigo Martinez nga Bilbao.