"Plani i Veprimit – Operacioni 'Forca e Ligjit', i miratuar së fundmi nga qeveria shqiptare, dëshmon vullnetin politik dhe institucional të qeverisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në vend, në luftën pa kompromis dhe ndëshkimin e ashpër ligjor të kriminalitetit në vend dhe veçanërisht ndaj krimit të organizuar", u shpreh Xhafaj.
Gjatë fjalës së tij në Konferencën Shkencore në Akademinë e Sigurisë, Xhafaj tha se për luftën kundër krimit të organizuar nevojitet më shumë bashkëpunim. Ai nuk kurseu kritikat në adresë të policisë se sa i takon hetimeve dhe dokumentimit të provave. "Punonjësit e ardhshëm të Policisë duhet ta mësojnë, këtu, në Akademinë e Sigurisë, abc-në e punës për zbulimin dhe ruajtjen e gjurmëve në çdo vend ngjarje dhe për çdo çështje me interes hetimor. Mbeten kritike për cilësinë e punës hetimore procedurat e kërkimit, marrjes dhe dokumentimit të provave, mënyra e përdorimit dhe rregullat e ruajtjes dhe asgjësimit të tyre, sipas procedurave të përcaktuara në ligj, si kusht që ato të përmbushin kërkesat shkencore dhe juridike për të qenë të pranueshme në gjykatë, por dhe si garanci për të respektuar të drejtat dhe liritë e shtetasve. Organet e hetimit duhen mbështetur me prova".
Xhafaj vlerësoi buxhetin e vitit të ardhshëm për Ministrinë e Brendshme, i cili siç tha ai, është më i madhi në histori. "Buxheti i alokuar nga qeveria për Ministrinë e Brendshme për vitin 2018 është gjithashtu një tjetër tregues i qartë i vullnetit të qeverisë dhe kujdesit personal të Kryeministrit të vendit për jetësimin e këtyre prioriteteve madhore të bëra publike tashmë. Ky është buxheti më i lartë i investimeve në fushën e rendit dhe sigurisë për të paktën 10 vitet e fundit, me një rritje prej rreth 70 % krahasuar me vitin që po mbyllim. Mbi 80 % e kësaj rritje fokusohet te Policia e Shtetit dhe kryesisht do të përdoret për investime te teknologjia në fushën e hetimit dhe pajisjet shkencore, një mungesë e ndjeshme që për vite të tëra ka ndikuar ndjeshëm në zbulueshmërinë e krimit dhe efektivitetin e procedimit penal të tyre”, theksoi ministri i Brendshëm.
Xhafaj e vuri theksin reformimi i Akademisë si garanci për të përgatitur studentë dhe punonjës policie të aftë dhe të motivuar për misionin e tyre fisnik në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarëve. "Kjo konferencë do ndihmojë në përmbushjen e misionit të policisë së shtetit. Roli i Akademisë së Sigurisë është kyç në luftën kundër krimit", tha Xhafaj.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com
VIDEO
kompromis krimit të organizuar









