Xhafaj: Neni 13 për kufizimin
e lirisë së medias do të ndryshojë

Xhafaj: Neni 13 për kufizimin<br />e lirisë së medias do të ndryshojë
Mazhoranca qeverisëse pritet të tërhiqet nga neni 13 i draftit të ndryshuar për SPAK, i cili kufizon lirinë e mediave. Edhe pse nuk pranojnë autorësinë e nenit të shumëdebatuar, përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komisionin për Reformën në Drejtësi kanë konfirmuar se paragrafi do të riformulohet në mbledhjen e komisionit.

Burime zyrtare pranë komisionit thanë për Shqiptarja.com se versioni i fundit i draftit për SPAK do të diskutohet dhe ndryshohet në mbledhjen e komisionit të posaçëm, duke riformuluar edhe paragrafin e tretë të nenit 13. Tërheqja vjen pas keqkuptimeve që ka prodhuar ky paragraf, por edhe presionit të fortë mediatik dhe politik. Kështu, kanë mjaftuar 24 orë që përfaqësuesit e shumicës në pushtet të vihen në lëvizje, për t’u dhënë fund polemikave si dhe për t’u hequr edhe një alibi opozitës për bllokimin e SPAK. Sipas burimeve, paragrafi i tretë do të përputhjet me Kodin Penal, ndërsa fjala “media” do të hiqet.

Fatmir Xhafaj
Kryetari i komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, një intervistë për Report Tv, ka deklaruar se paragrafi i nenit 13 të ligjit të SPAK nuk ka lidhje me lirinë e medias dhe raportin që duhet të ketë me hetimin dhe prokurorinë. Xhafaj pohon se keqkuptimet janë një zhurmë e panevojshme, ndërsa thekson se ky paragraf i këtij neni duhet riformuluar. “Neni 13 i ligjit për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion është një zhurmë e panevojshme. Në vetvete neni nuk ka të bëjë me lirinë e medias dhe raportin që duhet të ketë me hetimin dhe prokurorinë. Ka të bëjë me pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme, që ka punë shumë delikate dhe me konflikt. Ndaj është e nevojshme që të mbrohen prokurorët nga çdo ndikim i paligjshëm që deformon hetimin. Futja e medias nuk kishte qëllim censurën, por ndalimin e përdorimit të medias si instrument për presion. Në mënyrën si është shkruar, mund të keqkuptohet. Ndaj duhet ndryshuar e riformuluar”, tha Xhafaj.

Roli i mediave
Xhafaj shtoi se roli i mediave në luftën kundër korrupsionit duhet nxitur më tej. “Nga mënyra se si është formuluar ka nevojë që të qartësohet kjo gjë. Kur përdoret si instrument është një gjë tjetër. Kur përdoret në ushtrimin e së drejtës së saj dhe të funksionit të saj kjo është një gjë krejt tjetër. Dhe kjo duhet të mbrohet fort sepse roli i medias, roli aktiv i medias, duhet nxitur më tej për luftën kundër korrupsionit. Ne jemi dëshmitarë të faktit që shpeshherë, informacione të medias kanë gjeneruar fakte të rëndësishme për zbulimin e së vërtetës”, tha Xhafaj.
 
 
Xhafaj
“Futja e medias nuk kishte qëllim censurën, por ndalimin e përdorimit të medias si instrument për presion. Në mënyrën si është shkruar, mund të keqkuptohet. Ndaj duhet ndryshuar e riformuluar”.
 
Vasili
“Ky paragraf nuk ka qenë në draftin e kaluar në komision dhe është i papranueshëm. Liria e medias përbën një dimension jetik në demokraci. Do të kërkoj në komision heqjen e këtij paragrafi të papranueshëm”.
 
 
Neni 13 varianti i parë
 
Pavarësia e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme
1. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë të pavarur nga çdo prokuror tjetër, përfshirë drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme.
2. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme nuk mund t'i udhëzojë prokurorët e Prokurorisë së Posaçme për thelbin e hetimit apo themelin e asnjë çështje.
3. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme apo gjyqtarë të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëse ka prova se prokurori apo gjykatësi është i korruptuar, mbështet një organizatë kriminale apo ka kryer një tjetër vepër penale brenda kompetencave të Prokurorisë së Posaçme.
4. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme drejtojnë punonjësit e Prokurorisë së Posaçme dhe atë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe shërbimet e policisë gjyqësore pranë saj për sa i përket hetimit dhe çështjeve të ndjekura prej tyre.
 
 
Neni 13 varianti i ndryshuar
Pavarësia e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme
 
1. Në ushtrimin e funksioneve të tyre, prokurorët veprojnë dhe marrin vendime në mënyrë të pavarur bazuar në parimet e ligjshmërisë, objektivitetit dhe paanshmërisë.
 
2. Prokurorët e Posaçëm zbatojnë udhëzimet e përgjithshme me shkrim të një prokurori më të lartë sipas këtij ligji. Një prokuror më i lartë nuk i jep udhëzime një prokurori të posaçëm lidhur me thelbin e hetimit apo çështjes.
 
3. Çdo lloj influence e papërshtatshme e ushtruar mbi punën e prokurorëve të posaçëm apo aktivitetin e tyre mbi çështje konkrete përmes autoriteteve publike, mediave apo çdo mënyre apo personi tjetër që ndikon mbi pavarësinë e prokurorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre ndalohet dhe dënohet me ligj.

Redaksia Online
(Al.Ç/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima

Rusia lëshon “shi” dronësh ndaj Kievit, Ukraina njofton se i asgjësoi! 6 orë bombardime, nuk raportohen viktima