TIRANE -  Pas takimeve të zhvilluara me autoritete të larta shtetërore në Tiranë, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka rrëfyer për "A1Report!" arsyet e vizitës në Tiranë, arsyet e kontestimit të tij si ministër, por edhe shkaqet që e mbajnë Maqedoninë larg familjes evropiane.

Sipas z. Xhaferi, pengesa e vetme është vetëm emri, ndërsa detyrimet e tjera, Maqedonia i ka plotësuar. Në një intervistë për "A1Report!", Xhaferi e anashkalon "incidentin" e ndodhur gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes Arben Imami, ku ky i fundit nisi të fliste në anglisht, ndërsa homologu i tij i Maqedonisë, i është përgjigjur në shqip. Xhaferi preferon të mos e trajtojë këtë temë, duke u shprehur se takimi ishte miqësor dhe nuk ia vlente të trajtohej kjo temë.

Z.ministër, po zhvilloni disa takime të ngjeshura me autoritete të larta shtetërore. Cili është synimi i këtyre takimeve?

Që nga emërimi si ministër i Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, një nga detyrat e mia është realizimi i vizitave të ndërsjellta me institucionet përkatëse të vendeve fqinje, paraprakisht dhe ministrive të tjera. Përpos takimit me zotin Imami, kam zhvilluar takime të radhës me Kryetarin e Parlamentit, atë të shtetit, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Synimi është që edhe njëherë të rikonfirmohet gatishmëria edhe e ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Maqedonisë, për vazhdimësi të bashkëpunimit të vendeve dhe mes dy ministrive në veçanti e këmbimit të informacionit të duhur në frymën e bashkëpunimit e trajtimit të çështjeve në mënyrë të përbashkët.

Republikat e Maqedonisë dhe Shqipërisë janë pjesë përbërëse të disa nismave rajonale, ku për vazhdën e punëve për ato iniciativa, ne duhet të kemi këmbimin e informacionit në mënyrë që të vazhdojmë objektivat në sajë të bashkëpunimit të ndërsjelltë.

Një nga këto iniciativa janë edhe kartat e A3-it të riformatuara në A5 -projekte ballkanike në mbikqyrje të hapësirës ajrore, një nismë ku qëndrimet janë të përbashkëta për të vazhduar punimet në atë projekt për një mbrojtje të mençur, e cila nënkupton bashkimin e resurseve të pjesmarrësve në ato projekte me resurse të përbashkëta, të cilët do të ulin kostot e investimeve për punët dhe obligimet që kanë.

Emri juaj është përfolur edhe më parë si ministër i Mbrojtjes, pasi ka pasur kontestime nga ana e maqedonasve...

Unë nuk do të kisha thënë më se ka pasur kontestime nga ana e maqedonasve; kontestime ka pasur nga ana e një partie të udhëhequr nga ish-pjesëtari i Forcave të Sigurisë të Republikës së Maqedonisë. Ai kontestim është bërë në fushatë zgjedhore kur në në atë kohë ishim në fushatë parazgjedhore për zgjedhjet në Republikën e Maqedonisë dhe çështja është tejkaluar dhe u demaskua se e gjitha ajo ishte iniciativë për të fituar pikë në fushatën parazgjedhore.

Fakti që emërimi është bërë, ku shumicën parlamentare e përbëjnë dy partnerë të koalicionit me 55 mandate dhe BDI me 15 mandate, ajo shumicë që ka votuar në mbështetjen time kuptohet që është edhe në mbështetje të maqedonasve, nuk bën konstatime se maqedonasit kontestojnë emërimin tim për ministër.

Cilat janë pengesat që nuk e lejojnë Maqedoninë të afrohet drejt familjes evropiane?

Republika e Maqedonisë krahas Republikës së Shqipërisë, që në samitin e NATO-s në 2008-ën e deri në Bukuresht, u vlerësua se ka mbushur të gjitha standartet që kërkohen për anëtarësim të plotfuqishëm dhe pengesë e vetme që u bë ishte çështja e emrit, si pengesë dhe e fundit, e cila pamundëson Maqedoninë të jetë anëtare e plotfuqishme.

Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara ka identifikuar veprimtarinë e gjetjes së mundshme të zgjidhjes oficialisht. Ka ofertën për emër të mundshëm për lidhje të mundshme dhe tani janë në fazë të propozimit të dy palët.

Patët një takim me ministrin e Mbrojtjes, z. Imami ku është krijuar një situatë disi e pakëndshme. Si ishte nderhyrja juaj?

Është situatë për të cilën nuk ka vend edhe të trajtohet. Ishte takim i miqve në institucionet përkatëse që nuk ka vend për trajtim ndryshe prej kësaj.

Redaksia online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)