TIRANË – Sali Berisha nuk do ta mbajë zotimin e bërë pak muaj para se të rikthehej në PD, edhe pse demokratët pësuan humbjen më të thellë më 11 maj 2025, dhe mazhoranca kapi numrin më të madh ndonjëherë në parlament, 83 mandate. 5 muaj nga humbja e 11 majit, disa zëra demokratë, ndonëse të paktë, i kujtojnë Sali Berishës sërish statutin dhe nenin ‘ Basha’ duke i thënë se duhet të largohet. Kreu i PD-së ka sërish të njëjtin argument: se zgjedhjet ishin farsë. 

 Madje, deputetit të PD Besart Xhaferrit që vetëm një ditë më parë kërkoi largimin e tij nëse nuk vërteton farsën dhe nëse nuk e çon vendin sërish në zgjedhje, kryedemokrati i shuajti shpresën, duke thënë se do të rikandidojë edhe në 2026-ës kur sipas statutit i mbaron mandati. Demokratit të ri, i kujtoi se gara është e hapur. 

“Së pari, cilido që lexon raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe ka kulturën minimale në të drejtën elektorale, kupton se zgjedhjet kanë qenë farsë.  Janë zhvilluar në kushtet e partisë së shtet, e thotë këtë rekomandimi i Këshillit të Europës. Janë zhvilluar në kushte të pabarabarta e thotë raporti paraprak i OSBE-ODIHR. Që këtu zgjedhjet janë farsë dhe jo zgjedhje. Së dyti, ju garantoj se çdo deputet, anëtar, mbështetës i kësaj partie do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka.  Natyrisht interpretimi i nenit të statutit, duhet të jetë i saktë. Statuti bën fjalë për zgjedhje, e jo për farsa dhe tani që ta mbyllim këtë punë, do të jetë anëtarësia e PD-së që do ti bëjë interpretimin përfundimtar. Do të ketë një garë për kryetarin e PD-së”, tha Berisha.

I pyetur nga gazetarja e Report TV Daniela Maloku nëse do të kandidojë sërish në 2026-ën, ai tha: “Sigurisht që do të jem. Pyetje është kjo. Por e hapur ama, cilido.”

Sulmoi edhe ish-deputeten Zheni Gjergji, e cila u emërua një ditë më parë si drejtoreshë e Spitalit të Elbasanit. Sipas tij, Gjergji tradhtoi besimin e atyre që e kanë mbështetur dhe kaloi te partia e krimit. Ai shtoi se kushdo që do të shkelmojë besimin e qytetarëve do të përjashtohet automatikisht nga PD-ja.

“Nuk është kjo një raport i këtyre individëve me Sali Berishën. Kemi të bëjmë një raport me ata që i kanë votuar, me ata që i kanë mbështetur. Një gjë mund të them, për Sali Berishën, të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe atë mbështetje, janë automatikisht jashtë kësaj force politike. Sepse 99.9 përqind në mos më shumë, të atyre që i kanë mbështetur këta individë janë të papunë, janë në kushte të vështira, por nuk jepen. U kanë shërbyer këtyre pak, se janë shumë pak, 3-4 vetë janë gjithsej, kështu që bëjnë një vendim, kalojnë në partinë e krimit, në partinë që i përkasin dhe vetëm kaq. Pra, ky është komenti jo vetëm për atë, por për të gjithë ata. 3-4 janë në Shqipëri, mund të jenë edhe më shumë.”, shtoi ai.

Berisha mohoi të ketë dijeni për konsensusin e arritur me maxhorancën për ngritjen dhe përbërjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku nga maxhoranca do të jenë 7 anëtarë të PS dhe 1 i PSD, ndërsa nga opozita do të jenë 5 të PD, nga 1 i PL-së dhe PR, dhe një partia Mundësia e Agron Shehajt.

"Tani, nuk kam asnjë dijeni për përbërjet, për këtë që më thoni ju. Sepse fillimisht në një variant që më sollën mua ishte që Tom Doshin e kalonin në opozitë, e kalonin tek ne. Prit, se doli dje nga Skapi tani, a e ka ndryshuar apo jo, të shohim çfarë do thotë Toma vetë. Prandaj nuk mund të flas gjë. Për partitë e reja, ju siguroj se edhe jemi të hapur për ta, por pa asnjë diskutim që zëri i tyre do mbahet shumë parasysh. Po, nuk kemi ne, për ne është e rëndësishme të ndjekim një rrjedhë të përbashkët me opozitën.", tha kryedemokrati. 

Vijoi edhe akuzat që përfliten mes Behgjet Pacollit me ortakun e 2A Group, Valon Ademi për Aeroportin e Vlorës. Sipas tij nuk është një përplasje mes ortakëve por ka lidhje me shtetin.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:50
Berisha: Aeroporti i Vlorës nuk është aferë midis ortakëve por ka lidhje me shtetin, duhet hetim

 

Kreu i PD-së, Sali Berisha vijoi sërish akuzat teksa komentoi përplasjet që përfliten mes Behgjet Pacollit me ortakun e 2A Group, Valon Ademi për Aeroportin e Vlorës.  Në konferencën për mediat, Berisha tha se në dukje është një përplasje mes ortakëve por sipas tij në fakt është një përplasje që ka të bëjë me shtetin.

“Pra kemi të bëjmë jo thjesht me një përballje midis dy aksionerëve, por kemi të bëjmë me një përballje midis shtetit dhe aksionerëve. Kemi të bëjmë me një përballje të tillë, sepse nëse shfletoni arkivat e medieve, do gjeni se janë mediat ato që njoftuan fillimin e procesit kundër këtij e kundër atij, pa filluar procesi. Por janë breshëri të pafundme mesazhesh të pushtetarëve direkt të interesuar në këtë aferë që kanë vërshuar drejt aksionerëve. Cili është morali? Dora e zezë e atyre që kanë stisur këtë aferë të tmerrshme është e shtetit dhe e qeverisë.”, tha Berisha.

Kreu i PD kërkoi hetim ndërsa akuzoi ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku se ka transferuar aksionet nga kompania turke te ajo e Pacollit.

“Lubia, jo vetëm firmos kontratën për një siguri 140 milionë, por Lubia një vit mbrapa firmos transferimin, ja ku e keni zëvendëskryeministre dhe ministre. Firmos kalimin e aksioneve nga kompania turke, e cila është kompani me ekspertizën në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve, pa të cilën aeroporti nuk ndërtohej. Pra firmos kalimin e aksioneve nga kjo kompani tek Mabco Construction”, tha Berisha.

Ora 13:21
Zheni Gjergji u emërua drejtoreshë në spitalin e Elbasanit, Berisha e sulmon: Shkoi te partia e krimit, kush shkelmon besimin e qytetarëve përjashtohet nga PD

 

Në konferencën për mediat, Sali Berisha u pyet edhe për largimin e radhës nga PD, të ish-deputetes Zheni Gjergji, e cila u emërua drejtoreshë e Spitalit të Elbasanit. Kreu i PD-së e sulmoi ish-deputeten duke thënë se ka kaluar në partinë e krimit dhe se ka shkelmuar besimin e atyre që i kanë dhënë votën. Berisha tha se ajo dhe të tjerët që e kanë shkelur votën e qytetarëve janë automatikisht të përjashtuar nga PD-ja.

“Nuk është kjo një raport i këtyre individëve me Sali Berishën, por me ata që i kanë votuar e mbështetur. Një gjë mund të them se për Berishën të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe mbështetje janë automatikisht jashtë kësaj force politike sepse 99.9% të atyre që i kanë mbështetur ndërkohë janë të papunë në kushtë të vështira por nuk ikën. U kanë shërbyer këtyre shumë pak, 3-4 veta gjithsej kështu që bëjnë një vendim, kalojnë në partinë e krimit, të saj që i përkasin dhe vetëm kaq. Ky është komenti jo vetëm për atë por për të gjithë ata, 3-4 janë gjithsej në Shqipëri mund të ketë edhe më shumë.”, tha Berisha.