KAVAJË- Sheshi kryesor i Kavajës pritet të marrë një panoramë të re, pasi bashkia ka çelë konkursin për rikonstruksionin e qendrës së qytetit. 

Në një intervistë për shqiptarja.com, kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi deklaron se ka shpallur konkursin për projekt-idenë që do të ndryshojë tërësisht qendrën e qytetit. Një xhami e re, një shëtitore e re, një qendër pedonale e po ashtu dyqane të rikonstruktuara të sahatit të Kavajës. Këto janë disa nga elementët që bashkia e Kavajës ka shpallur për projektin e ri të qendrës së qytetit, një konkurs që do të përfundojë në 31 dhjetor të këtij viti. 

"Pikësëpari, ajo do të jetë një zonë tërësisht pedonale. Njerëzit mund të dalin lirshëm, të shikojnë qendrën e qytetit, të qëndrojnë në kafene, lulishte, shatërvan, mund t'i rikthehen shëtitjeve me këmbë. Qendra është planifikuar të bëhet me kalldrëm tradicional. Pamja e qendrës së Kavajës, do të ketë një fytyrë të re, që ti përgjigjet nevojave të kohës, sa tradicionale, aq edhe moderne. Në këtë konkurs parashikohet edhe ndërtimi i një xhamie të re për besimtarit musliman" -tha kreu i bashkisë së Kavajës për shqiptarja.com. 

Ai kërkon që për ndërtimin e xhamisë të marrin pjesë firma të mëdha projektuese për të dhënë idetë e tyre, si dhe të bëhet dhe rikonstruksioni i të gjitha dyqaneve që ndodhen rreth kullës së sahatit. 

Sipas tij, në zyrën e urbanistikës së bashkisë ka nisur puna prej disa ditësh për planifikimin e këtij projekti. Rehabilitimi i gjithë zonës së qendrës përfshin një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh. 
Po ashtu, sheshi kryesor parashikohet të jetë i shtrirë në mënyrë gjatësore nga gjimnazi "A.Moisiu" deri te rruga "Jurgen Trade".