Xhamia e Fierit jep me qera
lulishten, s'ka lekë për administratën

Xhamia e Fierit jep me qera<br />lulishten, s'ka lekë për administratën
FIER - Xhamia e Fierit ‘ka rënë pre’ e mungesës së fondeve. Pikërisht për këtë arsye, kangellat rrethuese të lulishtes që ndodhej përpara objektit të kultit të myslimanëve të këtij qyteti, janë zëvendësuar me një kordon llamarinash ku janë ndërtuar disa kioska. Janë të rinjtë e Forumit Mysliman Shqiptar që e kanë bërë të ditur lajmin, në një shkrim të botuar në gazetën e tyre “E-zani i naltë”. Sipas tyre, besimtarët e kësaj xhamie u kanë thënë se gjithçka është bërë nga Komuniteti Mysliman. “Hapësira në territorin e xhamisë u është dhënë në përdorim disa tregtarëve të xhematit kundrejt një qiraje.

Aty tregtohen mallra konsumi dhe shërbime nga më të ndryshmet, që nga fruta-perimet (tranguj, domate, kunguj e shalqi) e deri tek dyqanet që riparojnë celularë, një nga aktivitetet “hallall” që plotëson panoramën stereotipike margjinale të krijuar këto vitet e fundit. Kioskat kanë prishur lulishten e oborrit të xhamisë, e cila jo vetëm që nuk duket më nga jashtë, por nuk ka më vlerë as nga brenda, përderisa bahçeja ndërpritet nga një mur llamarine”, - shkruajnë të rinjtë e forumit mysliman. Më poshtë ata madje nuk ngurrojnë të bëjnë një paralelizëm me objektet e kultit katolike dhe ortodokse në këtë qytete, që ndryshe nga xhamia, u ofrojnë besimtarëve të tyre një vend paqeje shpirtërore. “Nuk ndodh kjo aspak me kishat katolike e ortodokse. Duke kaluar pranë katedrales ortodokse në Fier nuk gjen asnjë shenjë të një barbarie të tillë. Përkundrazi, gjendesh në një mjedis të paqshëm qiparisesh të hijshëm dhe ftues për mëkatarët që kërkojnë strehë. Ndërsa ‘xhamia e llamarinës’, pak metra më tutje, nuk fton askënd, përveç atij që ka nevojë për tranguj, qepë, ndonjë palë këpucë apo një servis për celularin”, - përfundojnë të rinjtë myslimanë.
Xhamia e Tiranës

Ndërtimi i xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, ka kohë që është kthyer në epiqendër të debateve jo vetëm mes ambientalistëve. Kjo pasi, kryeministri Berisha i ka përdorur myslimanët, që të japë një leje ndërtimi për dy qendra biznesi, leje, e cila nuk është dhënë më vete, por i është bashkangjitur lejes për ndërtimin e xhamisë së re të myslimanëve. Ambientalistët i janë drejtuar gjykatës me një kërkesë për anullimin e kësaj leje dhe pezullimin e punimeve, por Ministria e Kulturës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që kanë për detyrë të zbardhin këtë vendim nuk pranojnë ta bëjnë publik. Ka qenë Instituti i Çështjeve Kombëtare(INA) dhe Shoqata “Për Një Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Racional”, që i janë drejtuar gjykatës me një padi ku kërkojnë marrjen e masës provizore për sigurimin e padisë: Ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, ndalimin e prerjes së pemëve dhe zënien/pushtimin e tortuarëve publikë nga subjektet e tyre të ndërtimit në kufij me këtë pronë, deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, sepse vazhdimi i mëtejshëm i punimeve do ta bëje të pamundur ekzekutimin e një vendimi gjyqësor të dhënë nga kjo Gjykatë. Më tej ata i kërkojnë gjykatës që t’i detyrojë këto institucione të zbardhin lejen. “Megjithë përpjekjet tona të vazhdueshme përpara institucioneve që disponojnë aktet administrative për të cilët kërkojmë pezullimin, nuk kemi mundur të sigurojmë as origjinalet e tyre dhe as kopje të njësuar me origjinalin. Këto përpjekje i kemi bërë si te Ministria e Turizmit dhe Kulturës ashtu edhe te Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit me shkresa të protokolluara. Prandaj, konform nenit 223 të K.Pr.C, i kërkojmë kësaj gjykate që të urdhërojë organet e sipërcituara, që disponojnë këto akte, të dorëzojnë  një kopje të tyre përpara kësaj gjykate”, - thuhet në argumnentimin etyre përpara gjykatës. Ndërkohë që gjatë ditës së sotme pritet që të jepet edhe masda e sigurisë së padisë së ambientalistëve.

HILEJA

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u premtoi myslimanëve xhaminë e re. Por në të vërtetë i përrdori ata për t’i dhënë lejen e ndërtimit për dy qendra biznesi 8 katëshe një subjekti privat. Lejen ua ka dhënë jo më vete, por të fshehur pas lejes për ndërtimin e kompleksit të Namazgjasë
 
Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.07.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Dyshohet se ngacmoi seksualisht një të mitur, arrestohet 71-vjeçari në Maliq

Dyshohet se ngacmoi seksualisht një të mitur, arrestohet 71-vjeçari në Maliq