Xhamia e Namazgjasë ka nisur të marrë jetë në terren me nisjen e punimeve për ndërtimin e saj.
 
Punimet për ndërtimin e Xhamisë kanë nisur në prag të Muajit të Ramazanit. Ylli Gurra Myftiu i Tiranës tregon për A1Report se kjo është vepra që e kanë pritur myslimanët prej 7 dekadash e që më në fund ka nisur të ndërtohet dhe pritet të përfundojë në një hark kohor prej tre vitesh.
 
“Me emrin e zotit mëshirë bërës dhe fuqiplotë. Përkundër lejes 48 mujore shpresohet që të mund të mbyllen punimet në harkun e 3 viteve,” – thotë Gurra.

Xhamia nuk do të jetë vetëm në funksion të bësimtarëve Myslimanë, por do të jetë një vepër që do ti shërbejë të gjithëve pasi është projektuar si një objekt multifunksional.
 
Kjo xhami nuk do të jetë thjesht një objekt i mbyllur në shenjtrinë e vet. Do të jetë një multi-kompleks, do të jetë një nga zonat referente të kryeqytetit  tonë,” – u shpreh myftiu i Tiranës.
 
Lidhur me konfliktin e pronësisë që deri më tani kishte penguar nisjen e ndërtimeve, Gurra thotë: "Toka për ndërtimin e xhamisë duhet dhe do të jetë vetëm dhe vetëm e dhuruar, e blerë ose e trashëguar siç është rasti i Namazgjazë që është afër një shekullore e dhuruar nga ish qytetarët musliman të asaj kohe".
 
Punimet në kantier bëhen gjatë të gjithë ditës ndërsa punonjësit dhe vetë myftiu shprehen se transporti i inerteve jashtë gjurmës së objektit bëhet gjatë natës për të shmangur trafikun.
 
Investimi prej 30 milion eurosh është një financim i qeverisë turke dhe do të përfshijë një gjurmë objekti prej 5200 metra katrorë.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)