Berat, 25 Nëntor/ATSH-Flora Nikolla/.- Heshtja kishte mbetur pezull në sallë..., mbushur plot me njerëz të të gjithë brezave , të këtej dhe andej viteve ' 90-të.
Artistë , njerëz të qytetit të gurtë, të Beratit, fëmijë të shkollave të qytetit të Unesco-s, të gjithë qëmtonin në një ekran të madh, Zonjën e Madhe të kinemasë shqiptare , Artisten e Popullit Xhanfise Keko , e cila me një buzëqeshje të ngrohtë dukej sikur ju thoshte "Mirë se keni ardhur " .
I kishte mbledhur në këtë vjeshtë të tretë me diell, në këtë nëntor të kuptimtë të shqiptarëve, si për t'iu thënë me qetësinë e saj të përhershme dhe të bukur , "unë ju mirëpres gjithnjë me artin dhe me dashurinë time njerëzore".
Dhe ishte një mbrëmje plot me yje në qytetin e "Një mbi një dritareve", qytetit plot traditë dhe histori, të cilit Xhanfise Keko i dha sharmin dhe e jetësoi në filmin artistik për fëmijë "Tomka dhe shokët e tij ", një film i cili pas restaurimit në laboratorin e Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center), pas shfaqjes së tij në një sërë vendesh të Europës, në kuadër të një projekti botëror ku janë përfshirë 17 filmat më të mirë për fëmijë, në një mbrëmje nëntori mbërriti në Berat , aty ku lindi dhe u krijua 37 vite të shkuara .
Atëhërë, kur u shfaq për herë të parë ishte një natë dhjetori me shi në vitin 1977.
Më pas filmi "Tomka dhe shokët e tij" , u bë dashuria e fëmijëve të asaj kohe. Në vitet '92-'99, siç tregon regjisori Ilir Keko, i biri i Xhanfise Kekos, u ngujua në rrëzë të Dajtit, në arkivat e Kinostudios , për t'u rikthyer sërish pas vitit '99, në publik me të njëjtën dashuri .
Këtë natë , në një prag festash të identitetit kombëtar, filmi shfaqej në një kopje të 35 mm, pozitiv, bardhë e zi, me titra në gjuhën angleze, pikërisht në qytetin ku lindi dhe u krijua falë dashurisë së themelueses dhe mjeshtres së madhe të filmit shqiptar për fëmijë, si për të vërtetuar edhe një herë forcën e madhe që ka vlera , e cila di t'i thotë kurdoherë, " unë gjithnjë do të jem me ju ... !!!"
Ndaj edhe teta Xhano e të gjithëve , themeluesja e filmit shqiptar për fëmijë, e cila u la shqiptarëve një trashëgimi të vyer prej 11 filmash artistikë për fëmijë, ishte bashkë me ne në një natë plot yje nëntori.
Ishte ajo që kishte sjellë ne Berat, një vepër të realizuar aq bukur si, "Tomka dhe shokët e tij " tashmë plot vlerë e vyrtyt të ndërkombëtarizuar, ishte ajo që kishte sjellë ' çunat e saj', Artan Puto , Genci Mosho, por edhe Enean, Herionin, Fluransin, Selmën e vogël , te cilët me dashurinë e tyre të përhershme për regjisoren e madhe , ishin sërish bashkë më të gjithë miqtë dhe dashamirësit e artit të saj.
Por ishin bashkë në këtë natë, bashkëpunëtorët që realizuan këtë film, Prof. Nasho Jorgaqi , skenaristi i filmit, operatori Faruk Basha, miqtë e saj Mevlan Shanaj dhe Natasha Lako, Prof Pandeli Çina.
Të gjithë i kishte mbledhur Zonja e madhe e filmit shqiptar.
Unanimisht edhe në prag ditëlindjen e 85 të saj, e kishin nderuar falë kujdesit të kryetarit të Qendrës Kombëtare Kinematografike, Ilir Butka dhe vëmendjes dhe dashamirësisë së kryetarit të Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, Këshillit Bashkiak të Berat me titullin "Qytetare Nderi" e Beratit, për kontributin e saj në prezantimin e vlerave unikale të qytetit të Beratit si në planin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar .
Titullin e lartë ia dorëzoi Kryetari i Bashkisë, Fadil Nasufi, bashkëshortes së djalit të madh të regjisores së madhe , Teuta Keko, e cila si u shpreh , " pati fatin të jetojë për shumë vite së bashku me artisten, e cila bëri epokë në kinematografinë shqiptare".
Por, si për t'i dhënë falenderime për dijen e saj në zgjedhjen e bashkëpunëtorëve të saj, për t'i dhënë vlerë vlerës së ngritur prej saj, bashkë më Të ..., ishin nderuar nga Këshilli bashkiak edhe Prof. Nasho Jorgaqi , skenaristi i filmit, operatori i filmit Faruk Basha, kompozitori Aleksandër Lalo, piktori Shyqyri Sako, aktotët , Artan Puto, Genci Mosho, Herion Mustafaraj, Flurans Ilia, Enea Zhegu, Selam Sotillari.
Nderim mbi nderim , ishte odiseja e kësaj nate , kur të gjithë heshtnin duke parë sekuencat e filmit të Xhanfise Kekos, një film tipik neorealist, të goditur në të gjitha elementët që ndërtojnë një film, i cili pavarësisht kohës që kalon, merr vlera më të shumta e më të vyera jashtë trojeve të Shqiperisë për nga realizimi artistik që mbart.
Por ishte bukur kur qetësia e respektit, shprishej nga një duatrokitje, nga një e qeshur zemre, nga pika e një loti të dhembsur nga e madhja dashuri e njerëzishme që ju kishte dhënë Teta Xhano... !!!
Çdo kush nga të ftuarit e kësaj nate , foli, nderoi, foli, tregoi nje histori , një copëz jete , një histori profesionale, një histori suksesi, një histori dhimbje dhe dashuria, me një emërues të përbashkët respektin për Zonjën e Madhe të kinematografisë shqiptare, Xhanfise Keko..., sepse vlera nuk di ti ikë asnjëherë kohës. Ajo është e qenësishme bashkë me vrapimin marramendës të kohës që jetojmë, si teta Xhano, që mblodhi së bashku me qetësinë, dashurinë, artin e saj , një natë nëntori në Beratin e Unesco-s, miqtë e saj, artistë, breza të rinj dhe të vjetër, për t'i thënë buza gaz si përherë dinte të buzëqeshte ajo ; "une do të jem gjthnjë me ju ".








