Xhaxhai i Aleks Nikës për Report Tv: SPAK të hetojë 21 janarin, Prokuroria e Tiranës e mbajti dosjen peng 13 vite! Qeveria Berisha fshiu provat

Xhaxhai i Aleks Nikës, vrarë 13 vjet më parë në bulevard në 21 Janar, nuk ka reshtur kurrë së kërkuari drejtësi për nipin e tij. Në një intervistë dhënë për Report Tv, Mark Nika thotë se drejtësia nuk ka funksionuar kurrë dhe se qeveria e Berishës fshehu provat e vrasjes së katër protestuesve.

Ndërsa komenton edhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut për Aleks Nikën, duke thënë se u dha të drejtë, ai i bën thirrje SPAK që të nisë hetimet. Mark Nika thekson se Prokuroria e Tiranës e ka zvarritur prej 13 vitesh këtë çështje dhe se shpresën për drejtësi e ka vetëm tek organet e reja të drejtësisë.

Ai thotë se vendimi i Gjykatës së Strasburgut, e thotë se qartë se organizatorët e vrasjes janë ish-kryeministri dhe ministri i Brendshëm bashkë me drejtorin e Gardës.

Intervista e plotë e Mark Nikës

Elvis Hila: z.Mark, 13 vite nga 21 janari, kur nipi juaj u vra në bulevard në atë protestë, si ka qenë ajo ditë për ju si familje?

Mark Nika: Tragjedi ishte për ne! Kemi pritur 13 vjet që çështja të hetohet dhe të gjykohen vrasjet dhe organizatorët e vrasjeve. Me thënë të drejtën drejtësia nuk ka funksionuar. U varros nga drejtësia e vërteta e kësaj vrasje makabër. Kemi pritur për drejtësi, dhe presim, vazhdojmë presim. Ne vazhdojmë të lotojmë për atë drejtësi, por deri tani nuk e ka zbardhur çështjen e Aleksit që është vrarë në bulevard. Drejtësia siç e dimë ne, nuk ka patur vullnet për ta zbardhur çështjen. Ajo ka qenë në shërbim të së keqes, drejtësia. Ne jemi shumë të pezmatuar sepse ajo edhe sot e kësaj dite nuk po funksionon. Drejtësia e re sot vuan ende nga e kaluara, nuk ka kurajo të merret me çështjen tonë. Kohët e fundit ne siç është e njohur botërisht kemi fituar gjyqin në Strasburg, na dha të drejtë dhe i konsideroi vrasjet si “vrasje shtetërore”. Rrjedhimisht për këtë duhet të merret SPAK-u, por SPAK-u i ka hezituar, është tërhequr nga kërkesa jonë dhe ne kemi bërë një padi një rekurs në Gjykatën e Lartë, besoj se ajo do gjykohet nga fundi i muajit (janar) dhe për shkak të provave që kemi duhet patjetër që ato ta ngarkojnë SPAK-un për hetimin e këtij krimi shtetëror.

Elvis Hila: Kush mendon se janë përgjegjës për këtë krim shtetëror?

Mark Nika: Në vendimin e Gjykatës së Strasburgut, ashtu siç kemi thënë edhe ne, organizatorët e vrasjes janë ish-kryeministri dhe ministri i Brendshëm bashkë me drejtorin e Gardës. Ato janë zinxhiri komandues. Këtë e ka nënvizuar edhe gjykata e Strasburgut e cila thotë se përgjegjësia është e kuadrit komandues. Këtu përfshihen siç thashë, kryeministri, ministri i Brendshëm dhe drejtori i Gardës.

Elvis Hila: Ju keni edhe një kasetë që ka të bëjë me 21 janarin, a e keni vënë në dispozicion të drejtësisë, dhe a ka fakte dhe prova ajo kasetë?

Mark Nika: Ne kemi siguruar një kasetë ku është e regjistruar e gjithë biseda dhe urdhrat që janë dhënë ditën e 21 janarit. Veç të tjerave, është një moment kur komandanti i Gardës urdhëron vartësit e tij të qëllojnë në mish. Ajo do dorëzohet vetëm në SPAK sepse SPAK-u është kompetent për trajtimin e kësaj çështje. Duke qenë se implikohen qeveritarë, që janë subjekt i hetimit, ministrat dhe kryeministri, aty varet si do dali nga hetimi i çështjes, ne presim hetimin dhe zgjidhjen e sa më shpejt të çështjes sepse do na lehtësojë shumë.

Elvis Hila: Po ajo çfarë është hetuar nga Prokuroria e Tiranës, si e vlerësoni?

Mark Nika: Prokuroria e Tiranës ka 13 vjet që e mban çështjen, merret me riekspertimin e një plumbi i cili është i pavlerë, sepse mund të mos ishte plumbi. Fakti që e riçojnë për riekspertim, siç është thënë, do të thotë që nuk janë shumë të predispozuar për të hetuar çështjen deri në fund.

Elvis Hila: E keni pasur mbështetjen e qeverisë socialiste gjatë këtyre viteve?

Mark Nika: Ne s’kemi kërkuar dhe nuk kemi pritur nga qeveria për hetimin e çështjes. Qeveria është organi i ekzekutivit, por nëpërmjet Ministrisë së Brendshme, aq sa kanë pasur kompetencë e kanë trajtuar çështjen, kanë ndihmuar prokurorinë për identifikimin e dëshmitarëve apo provave që ishin atë ditë. Por ata duhet të kishin bërë më tepër se sa u takon me ligj. Ka pasur një indiferentizëm nga Policia e Shtetit në atë kohë. Ndërsa për drejtësinë, Ministria e Brendshme ose Kryeministria nuk ka detyrim për t’u marrë me këtë çështje, dhe ne nuk ia kemi kërkuar as duam që qeveria të merret me hetimin e kësaj çështje.

Elvis Hila: A mendoni se shteti ka fshehur prova?

Mark Nika: Ajo dihet, është e njohur botërisht që aty janë fshehur provat nga qeveria e asaj kohe, qeveria Berisha, është shkatërruar vendi i ngjarjes, madje është prishur serveri, janë fshirë gëzhojat, gjurmët, megjithatë drejtësia e re, hetimi ka verifikuar, ka gjetur edhe prova që do fajësojnë vrasësit e 21 janarit. Janë të përfshirë shumë figura shtetërore, edhe nga media që kanë influencuar për të ndihmuar moszbulimin e së vërtetës, sepse është krim shtetëror, krim politik.

Elvis Hila: Si kanë qenë këto 13 vite për familjen Nika?

Mark Nika: Janë shumë të dërrmuar, presin që çështja të zgjidhet, të lehtësohet. Fëmijët janë rritur kërkojnë babanë. Në shkollë kur flitet për 21 janarin e ndjekin me vëmendje dhe kërkojnë nga drejtësia dhe ato që vrasësit apo organizatorët të shkojnë para drejtësisë.

Elvis Hila: Fëmijët e Aleksit kanë nisur të kuptojnë çfarë ka ndodhur?

Mark Nika: E dinë, shohin dëgjojnë, i kanë identifikuar edhe ata vrasësit se kush janë, madje me neveri i dëgjojnë emrat e organizatorëve, vrasësve.

Elvis Hila: Së fundmi, edhe Strasburgu ju ka dhënë të drejtë, si e shihni këtë vendim?

Mark Nika: Vendim i detyrueshëm për shtetin shqiptar, për drejtësinë, edhe për të gjithë. Ai ka karakterin e një akti shtetëror që gjykata dhe prokuroria janë të detyruara. Nuk është e nevojshme shumë të bëjmë propagandë sepse janë marrëveshje shtetërore që ato duhen patjetër të trajtohen. Në vendimin e Strasburgut dalin në mënyrë të përmbledhur të gjitha shkeljet ligjore, përgjegjësitë e qeverisë së asaj kohe. Shteti shqiptar që vrau njerëzit e vetë, kur duhet t’i mbronin jo t’i vrisnin, dhe i kanë hedhur në rrugë si plaçkë që ja hedhin në bulevard Edi Ramës, për t’i thënë “mos eja më këtu”, për të demonstruar qytetarët kundër korrupsionit të asaj kohe.

Elvis Hila: Cila është thirrja juaj për SPAK-un në lidhje me këtë çështje?

Mark Nika: Ne SPAK-ut i bëjmë thirrje dhe pretendojmë se duhet patjetër mbasi të shqyrtojë Gjykata e Lartë rekursin që kemi bërë ne dhe të trajtojë vendimin e Strasburgut, ta hetojë me shpejtësi duke ngarkuar edhe profesionistët më të mirë që ka. Sepse është e tmerrshme, është krim shtetëror. Ne na kanë vrarë, na kanë dëmtuar shumë, na ka krijuar një situatë të papërballueshme, për familjen e Aleksit. Të rriten vajzat jetime pa prind, prindërit pa djalë, motra pa vëlla, ndërkohë që nuk i kishin borxh askujt, kishin ardhur vetëm për të demonstruar kundër korrupsionit të qeverisë Berisha.

Elvis Hila: A keni besim?

Mark Nika: Po patjetër, sepse SPAK-u, nuk ka më qëndrime të njëanshme, partiake, janë të depolitizuar, profesionistë të klasit të parë, që besoj që çështjen do e hetojnë nga fillimi dhe vrasësit dhe organizatorët e vrasjes që për mua janë organizatë kriminale e udhëhequr atëherë nga Ministria e Brendshme e asaj kohe, për të vrarë njerëz në rrugë në bulevard. Ato përfituan edhe nga situata që ishte në Shqipëri se drejtësia dhe prokuroria ishte në favor të tyre. ne kemi bërë përpjekje 13 vjet, në Europë, në gjykatën e Strasburgut që çështja të hetohet, këtë kemi kërkuar dhe kërkojmë nga drejtësia.

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion