Xhenaro Simini, një incident
diplomatik në Shkodrën e 1865

Xhenaro Simini, një incident <br />diplomatik në Shkodrën e 1865
Libri i sapobotuar në Itali për jetën e doktor Xhenaro [Gennaro] Simini [1812-1880], Giacinto Simini, NJë Atdhetar nga Leçe në Shqipërinë osmane [Un Patriota Leccese Nell’Albania Ottomana], botuar nën kujdesin e Mirella Galletti, Parathënia e Franco Cardini, Argo 2011, hedh dritë edhe mbi gjendjen dhe jetën e Shkodrës në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Atje jo vetëm që mësojmë më shumë për zakonet dhe traditat vendase, por gjejmë të pasqyruar nga një këndvështrim të veçantë edhe përplasjet diplomatike në trupin konsullor të qytetit verior në ato kohëra të turbullta për kontinentin.
Libri përmban një dorëshkrim me jetën e Dr. Siminit, i shkruar nga i biri, Xhaçinto Simini, që u gjet rastësisht në arkivat e familjes Simini prej stërmbesës, Roberta Siminit dhe koleges dhe redaktores së librit, studiues Mirella Galletti.
Doktoresha Galletti ka sjellë në libër edhe një studim të shkurtër dhe serioz, ku jepet sfondi historik i Italisë dhe Ballkanit në atë kohë, si dhe përcillen dokumente të tjera arkivore për veprimtarinë e Siminit. Sipas saj, në vitet e turbullta të zgjimit Italian [1821-1848) “dhe për t’i shpëtuar reaksionit burbon, …shumë italianë gjetën strehim të përkohshëm në trojet arbëre…përfshirë portet e Tivarit, Durrësit, Prevezës, Vlorës, për t’u ngulur më tej në Gjirokastër, Shkodrës, Tiranës, etj. Shumica vazhdonin më tutje, në Ishujt Jonianë, Greqi, Dalmaci e Stamboll”. [f. 15].
Ndër dokumentet është një letër në trajtë raporti e Dr. Siminit që përshkruan një incident të pashembullt diplomatik në vitin 1865 në Shkodër.

Jeta parashkodrane
Doktori Italian u lind në 6 dhjetor 1812 në Monteroni të Leçes [Lecce} me 6 dhjetor 1812. Ai studio në Universitetin e Napolit për letërsi mjekësi dhe u përfshi gjallërisht në lëvizjen atdhetare italiane për liri dhe bashkim kombëtar. I përndjekur nga regjimi burbon dhe i dënuar nga gjykata më 1848, tre vjet më vonë, me 4 qershor 1851 ai dhe disa veprimtarë të tjerë u strehuan në Korfuz, që ndodhej nën administrimin britanik.
Jeta e komunitetit Italian në Korfuz nuk ishte aspak e lehtë, kryesisht për shkak të propagandës nacionaliste që mbillte përçarje midis vendasve dhe të huajve. Për rrjedhojë, bashkë me dy shokë të tjerë – avokatin De Donno dhe Xhuzepe Vitiolin - në vitin 1853, dr. Simini largohet përgjithnjë nga Korfuzi dhe mbërrin në Durrës para se të vendoset në Shkodër. Fillon kësisoj jeta shqiptare e këtij patrioti italian, i cili u lidh aq shumë me Shkodrën dhe me atdheun e tij të dytë – Shqipërinë.
Tre italianët udhëtonin në trojet shqiptare me dokumente identiteti të lëshuara prej komisarit britanik të ishujve jonianë, Lord H.G. Uord [Ëard]. Në Durrës ata nuk e gjetën veten shumë të sigurtë dhe vendosën të nisen për Shkodër, të shoqëruar prej një udhërrëfyesi vendas që fliste pak italisht.

Një bajraktar vendas në Kurbin
Pasi kapërcyen “male të tmerrshme, pyje pafund dhe lumenj e përrenj të rrëmbyer” në mbrëmje mbërritën pranë kullës së një bajraktari vendas. Dorëshkrimi na e përshkruan vendin si diku “ndër hapësirat e gjera, të pamata, të braktisura dhe të veçuara midis Durrësit dhe Lezhës” [f. 97]. Gjeografikisht rajoni përfshihet midis Mamurrasit dhe Zejmenit, duke kapur kryesisht rrethin e Kurbinit.
Nuk është fort e qartë se cili ishte mikpritësi i tyre, dhe u takon historianëve ta përcaktojnë atë me saktësi. Gjithsesi, sipas të dhënave të dorëshkrimit, ai duket se ka qenë një drejtues i rëndësishëm i administrates lokale otomane, në gjendje të mirë ekonomike, i besimit mysliman, por me siguri vendas. Në origjinal ai jepet si “bej” dhe del si mik apo i njohur i besës me Sulejman Aga Hotin, personalitet i njohur në Shkodrën e asaj kohe nga bajraku i njohur i veriut të Shqipërisë.
Dorëshkrimi përshkruan kontaktin e parë. Udhëtarët trokitën tek porta sipas zakonit. Para tyre u shfaqën dhjetra malesorë apo roje të bajraktarit, të armatosur deri në dhëmbë. Pasi mësoi se ishin tre italianë që kërkonin strehim, kreu i tyre lajmëroi bajraktarin e paemër, i cili i priti menjëherë. Sipas dorëshkrimit, zoti i shtëpisë “rrinte ulur këmbëkryq mbi një shilte dhe thithte nargjile” ndërsa “një shërbëtor besnik rrinte në këmbë pranë tij, i gatshëm për çdo porosi të zotnisë”. Dhoma e pritjes ishte madhe, plot me armë, zbukurime dhe sende me vlerë. Në mur ishte varur një lëkurë tigri ku ai falej. Kurse dyshemeja ishte shtruar “me qilima të mrekullueshëm të Manastirit, Prizrenit, Damaskut, Persisë dhe Egjiptit” [f. 97].
“Mirëseerdhët, miq të nderuar. Do të gjeni këtu çka dëshironi”, foli beu pa lëvizur nga vendi, duke pasqyruar qartë kodin e pashkruar vendas të mikpritjes.
Pasi u njoh se kush ishin, nga vinin, ku shkonin, dhe sidomos pasi mësoi se njëri prej tyre ishte mjek, i zoti i shtëpisë i kërkoi dr. Siminit të vizitonte menjëherë vajzën e vetme të sëmurë rëndë. Dr. Simini e vizitoi atë pa humbur kohë, e mjekoi me ilaçet që kishte me vete, dhe i qëndroi në kokë gjithë natën. Në mëngjes, kur beu shkoi për të pare të bijën e dëgjon të thotë: “Babë, tash jam mirë!”. Gëzimin dhe mirënjohja e të zotit të shtëpisë ishin të papërshkrueshme.
Ai i mbajti miqtë italianë me të gjitha të mirat edhe për disa ditë, i mbushi me dhurata, u dha secilit nga një kalë për udhëtim, i pajisi me shoqërues të ditur dhe të armatosur. Por mbi të gjitha, ai u dha një rekomandim për mikun dhe kolegun e vet në Shkodër, Sulejman Aga Hotin. Pas tre ditësh, italianët mbërritën në Shkodër.

Shkodra - qendër e diplomacisë rajonale
Në vitin 1853 Shkodra ishte kthyer në një farë qendre diplomatike rajonale. Aty përplaseshin interesa edhe të mprehta kryesisht midis qeverisë otomane dhe asaj austro-hungareze, që po e zgjeronte ndikimin e vet në atë pjesë të Ballkanit. Natyrisht që rajoni, për arësyen e mësipërme, por edhe për rëndësinë strategjike, politike dhe ekonomike të veçantë, si dhe fqinjësinë me Malin e Zi, tërhiqte vëmendjen edhe të Britanisë së Madhe, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë.
Nga ana tjetër, pavarësia e Greqisë, lëvizja revolucionare në Itali dhe fillimet e lëvizjes kombëtare shqiptare parashihnin shndërrime rrënjësore në gjendjen politike-juridike të rajonit dhe më gjerë.
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX në Shkodër kishin selitë e tyre pesë konsullata të vendeve evropiane. Konsull i Austro-Hungarisë ishte Vincenzo Ballarini, me prejardhje italiane por i konsideruar në dorëshkrim prej Siminit si “renegat” [f. 99], kurse dragoman i Konsullatës ishte Pjetër Gurakuqi [f. 101]. Konsull britanik fillimisht ishte Spiridon Bonatti, përndryshe italian nga Venediku, “me prejardhje e ndjenja” [f. 17, 99]. Më vonë u caktua Francis Gilbert. Konsullata italiane u hap fill pas shpalljes së Mbretërisë Italiane me ardhjen në Shkodër si Konsull të Enrico De Gubernatis me 23 shtator 1861. Në Shkodër kishin selinë e tyre edhe Konsullata francize e ruse. [f. 21].
Konsulli austro-hungarez Ballarini menjëherë kërkoi arrestimin e tre refugjatëve italianë, mirëpo ata i mori në mbrojtje Bonatti. Po ashtu, në mbrojtje të tyre, madje duke vënë në zbatim besën e kërkuar, u vu edhe Sulejman Agë Hoti, i cili siguroi edhe mbështetjen e Pashait të Shkodrës.
Simini filoi punën si mjek. Refugjati tjetër Italian, avokati Oronzio De Donno, u angazhua me avokatí, duke u bërë “mjaft i njohur” [popolarissimo], aq sa nga përfaqësimi i tij i suksesshëm i individëve që cënonin interesat austro-hungareze, konsulli austro-hungarez kërkoi dëbimin e tij, mirëpo konsulli britanik e mori në mbrojtje duke e emëruar përkthyes [dragoman] të Konsullatës britanike [f. 17]. Sipas dorëshkrimit, në atë kohë lindi një mosmarrëveshje juridike midis qeverisë austrohungareze dhe asaj të Malit të Zi. Avokati De Donno përfaqësote Malin e Zi. Përfaqësues i Austro-Hungarisë ishte Konti Leiningen. Sipas dorëshkrimit, i cili nuk na jep as thelbin e mosmarrëveshjes, dhe as forumin dhe vendin ku u zhvillua procedura, çështjen e fitoi De Donno [f. 17, 100-101].
Kurse Vittoli, shoku dhe bashkëpunëtori i Dr. Siminit, hapi pas ca kohe një shkollë fillore private. Madje, në dorëshkrim citohet edhe një letër e Dora D’Istria-s e cila lëvdonte këtë gjë duke shkruajtur se “një napoletan i strehuar në Shkodër ka hapur një shkollë ku mësonin fëmijët e familjeve më të mira të Shkodrës” [f. 99].

Veprimtaria mjekësore e Dr. Siminit
Dr. Simini filloi pa humbur kohë të ushtronte profesionin e tij në qytetin që do të bëhej atdhe i dytë. Gjendja e shëndetit publik në atë kohë në Shkodër ishte e mjerueshme. Kjo natyrisht lidhej edhe me zhvillimin e ulët ekonomik e rrethanat e kohës, por edhe me investimet e pakta të administrates otomane.
Sipas dorëshkrimit, në atë kohë në Shkodër nuk kishte asnjë mjek profesionist. Shërbimet mjekësore i kryenin mjekë popullorë, siç ishte njëfarë Xhemil, një farkëtar me emrin ose mbriemrin Lajci, dhe një berber i huaj me mbiemrin Bogamili. Dr. Simini fitoi menjëherë besimin dhe respektin e mbarë popullit, katolik dhe musliman. Vetë Pasha i Shkodrës [f. 99] dhe madje princesha e Malit të Zi kërkuan ndihmën e Dr. Siminit. [f. 101]
Në atë kohë në Ballkan plasi një epidemi e madhe kolere. Shumë mjekë nga vende të tjera të Evropës vizitonin rajonin për të studiuar sëmundjen. Vijnë në Shkodër dy mjekë austriakë, të cilëve vetë Konsulli u kërkoi të vizitonin një qytetare shkodrane dhe motrën e Pjetër Gurakuqit, përkthyesit të Konsullatës, që në dorëshkrim jepet me emrin “Cecca”. Ajo vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte kuruar deri atëhere nga Dr. Simini. Sipas dorëshkrimit, mjekët austriakë konfirmuan dhe mbështetën ndihmën mjekësore të Dr. Siminit duke e vlerësuar atë si “mjek të famshëm dhe me aftësi të rralla” [f. 101].
Sipas dorëshkrimit, Dr. Simini “shihej nëpër rrugët e qytetit me kalin e tij të bardhë, duke vizituar të sëmurët, ditën dhe natën, të cilët nëse ishin të vobekët, ai u jepte ndihmë mjekësore dhe ilaçe falas nga farmacia e tij, u siguronte dru dhe qymyr për ngrohje, dhe madje u jepte edhe të holla që të blenin mish për gjellën dhe supën”. [f. 104]. Atë e quanin “shpirti i nevojtarëve” [f. 105]. Pavarësisht se dorëshkrimi me autor të birin duket se vuan nga subjektiviteti dhe sikur zbukuron cilësitë e Dr. Siminit, nuk mund të mohohet shërbimi i ri profesionist dhe cilësor që mjeku italian ofroi në atë kohë në Shkodër.

Familja
Më 1856 Dr. Simini u martua me Elena Bonattin, vajzën e tretë të Konsullit britanik në Shkodër. [f. 102]. E lindur në Shkodër, Elena ishte grua e nderuar dhe respektuar nga mbarë populli. Ata lindën pesë fëmijë: Guljelmin, Angjolinën, Gjiacintin, Atilion dhe Emilion. Vajza vdiq në moshë të re [[f. 103].
Në vitin 1855 u ngul në Shkodër edhe i jati i Dr. Siminit, Xhiaçinto, i cili në atë kohë i kishte mbushur të shtatëdhjetat. Ai solli me vete ato pak sende me vlerë të familjes që mund të sillte nga përtej detit. Xhiaçinto ndërroi jetë në moshën 74 vjeçare në korrik 1859 dhe u varros në Shkodër. Shënimi në gurin e varrit, që thekson se Xhiaçinto Simini u ngul në Shkodër për t’u strehuar prej përndjekjeve të qeverisë borbonike, jepet në dorëshkrim [f.102-103].
Sipas dorëshkrimit, familja Simini u lidh pazgjidhshmërisht me atdheun e ri. Pas pavarësisë së Italisë Simini u kthye në Leçe më 1861, dhe më pas shkoi edhe në kryeqytetin e Torinos, ku u takua me autoritete të larta të shtetit të ri, të cilët i ofruan ofiqe të ndryshme. Por ai nuk i pranoi, dhe u kthye sërish në Shkodër [f.103-104].
Më 30 shtator 1873 vdiq e shoqja, Elena. Sipas dorëshkrimit, humbja e kësaj gruaje të virtutshme shkaktoi pikëllimin e Shkodrës mbarë [f. 102].
Një mbrëmje, me 5 prill prillit 1880 Dr. Simini u thirr në një urgjencë mjekësore. U ngrit nga shtrati, u vesh nxitimthi, i hypi kalit dhe u nis. Ishte ora dy e natës. Binte dëborë dhe frynte murlani. Pas disa orësh ai u kthye në shtëpi dhe ra në shtrat. Të nesërmen nuk u ngrit dot. E kishte goditur një pneumoni e rëndë. Dr. Simini ndërroi jetë të Premten, më 9 prill 1880. [f. 105].
Sipas dorëshkrimit, qyteti i Shkodrës u mbulua në zi. Konsullat e huaja i valëvitën flamujt e tyre në gjysëm shtize. Të gjitha dyqanet, përfshirë pazarin e Shkodrës, u mbyllën. Në funeral moren pjesë autoritetet qeveritare, konsullore, kleri, qytetarë, malesore, të krishterë dhe myslimanë, kurse arkivoli shoqërohej nga një trupë ushtarakësh otomanë të kryesuar nga colonel Hodo Bej. Në krye të kortezhit ishte banda muzikore e qytetit, arqipeshkopi tetëdhjetvjeçar, etj. Kallja e trupit në dhé u shoqëria me breshëri të shtënash [ff. 105-106].
Vdekja e Dr. Siminit ishte humbje e rëndë për familjen, madje edhe ekonomikisht. Sipas dorëshkrimit, Konsulli Italian Zerboni u deklaroi disa tregtarëve katolikë se “fëmijët e Dr. Siminit nuk mund të kërkonin kthimin e borxhit prej 6,000 napolonash flori që i detyroheshin të ndjerit, sepse, përderisa kishin kaluar përmbi 15 vjet qysh nga marrja e kredisë, ajo tashmë quhej kredi në parashkrim” [f. 107]. Këtë deklarim e shfrytëzuan edhe mjaft banorë myslimanë, që refuzuan kthimin e borxhit nën parimin e merur-i-zaman [afati i parashkrimit] të së drejtës otomane [f. 107]. Ndërsa nuk jemi të sigurtë nëse e drejta otomane vërtet otomane e zbatuar në Shqipëri parashikonte dispozita parashkrimi për borxhet, duket i habitshëm qëndrimi i konsullit italian për zbatimin esktraterritorial të legjislacionit Italian ndaj shtetasve italianë rezidentë në Shqipëri duke patur parasysh se midis shtetit të ri italian dhe Perandorisë Otomane në atë kohë nuk kishte marrëveshje kapitulacionesh.
Tre fëmijët e Siminit të mbetur gjallë u kthyen në Itali. Shtëpia e Siminit në Shkodër sot nuk ruhet më. Ajo u shkatërrua në vitin 1912 si pasojë e bombardimit të qytetit nga trupat malazeze.

Përplasje fetare – Shkodër 1856
Dorëshkrimi përmend edhe një përplasje fetare në Shkodër më 1856. Bëhet fjalë për protestën e një pjese të popullsisë vendase ndaj veprimtarisë së seminarit jezuit, që mbështetej nga Austro-Hungaria. Pa hyrë në shkaqet dhe arësyet e kësaj ngjarjeje, që u takon historianeve vendas për t’i shtjelluar, përmendim se Austro-Hungaria dhe Selia e Shenjtë në Romë ishin në aleancë, çka ishte në kundërshtim me interesat e Stambollit, por edhe të lëvizjes kombëtare italiane. Madje edhe kleri katolik në Shkodër ndalohej më vonë, në vitin 1863, që të kishte lidhje me konsullatën italiane në Shkodër të kryesuar nga Eugenio Durio [f. 23]. Në krizën e vitit 1856 në Shkodër Simini ndërhyri menjëherë në vendngjarje dhe, duke shfrytëzuar autoritetin dhe besimin e padiskutueshëm që gëzonte në popull, shmangu gjakderdhjen, qetësoi krerët dhe mbrojti etërit jezuitë, kreu i të cilëve, P. Neri, u strehua për disa ditë në shtëpinë e Siminit [f. 101].

Në mbështetje të lëvizjes kombëtare italiane dhe shqiptare
Refugjatët italianë në Shkodër përbënin një qelizë të rëndësishme të lëvizjes revolucionare italiane në vitet 1848 e më tej. Sipas dorëshkrimit, italianët e Shkodrës madje kishin korrespondence edhe me vetë Giuseppe Mazzini-n, që u shkruante atyre më 1858 për t’u organizuar për pavarësinë e Italisë [f. 18-19]. Dr. Simini, sipas dorëshkrimit, u lidh aq shumë pas vendit që i shpëtoi jetën aq sa e mbështeti “gjithmonë” pavarësinë e Shqipërisë nga turku. Madje, pas pavarësisë së Italisë Simini nuk pranoi ofertat për poste qeveritare ndërkohë që miku i tij, avokati Del Donno, u kthye në Itali dhe madje u zgjodh edhe deputet.
Aq shumë u lidh Simini me atdheun e ri sa u përfshi edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare pas Kongresit të Berlinit me 13 korrik 1878. Sipas dorëshkrimit, “Gennaro Simini ishte një ndër krerët e lëvizjes së Lidhjes së Prizrenit dhe punoi që Kongresi i Berlinit të njihte pavatësinë e Shqipërisë nga qeveria turke” [f. 104], mirëpo as dorëshkrimi dhe as studiuesja Galletti nuk japing ndonjë të dhënë konkrete.

Incident diplomatik në Shkodër
Në vitin 1861 komuniteti italian në Shkodër përbëhej prej të paktën 30 personash. Dr. Gallettina sjell në vëmendje një incident të pashembullt diplomatik në Shkodrën e vitit 1865. Raportin për ngjarjen, me autor Gennaro Siminin që mban datën 18 mars 1865, sikurse përmendëm, e ka zbuluar dr. Galletti në arkivat italiane. Raporti, i cili i është dërguar si ankesë Ministrisë së Jashtme italiane, është pasqyrë e rëndësishme e gjendjes së bashkësisë së të huajve në Shkodër në vitin 1865. Nga një këndvështrim original, aty mësojmë për trupën konsullore, për raportet e tyre me pushtetin dhe me vendasit, dhe për emigracionin Italian në Shkodër.
Incidenti e ka zanafillën tek një varg artikujsh kritikë për gjendjen në Shkodër të botuar në gazetën e përditshme “Il Tempo” të Triestes në fillim të viteve 1860. Në to denoncohej konsulli Italian, ipeshkvi si dhe mbarë kleri katolik, përfshirë edhe trupin konsullor dhe Pashain. {[Numrat 5.11.1863; 8.12.1863; 29.12.1863; 20.1.1864, 2.2.1864; 16.3.1864, 25.4.1864], f. 32}.
Dyshimet për autorësinë e shkrimeve ranë tek njëfarë Luigi Cattalinich [Kataliniç], italian me prejardhje nga Dalmacia, dhe nënshtetas austriak, i cili kishte kohë që jetonte në Shkodër. Konsulli austro-hungarez e thirri Kataliniç-in në zyrë dhe i kërkoi të kthehej menjëherë në Dalmaci pasi i kishte skaduar pasaporta. Kataliniç refuzoi dhe, në mbarim të afatit, u zhduk pa lënë gjurmë. Pa dijeninë e Ismail Pashës, guvernatorit otoman të Shkodrës, konsullli austriak u kërkoi kolegëve të vet të kontrollonin tek shtetasit përkatës nëse Kataliniç fshihej atje. Konsulli francez u mjaftua me një njoftim sa për të shkuar rradhën. Konsulli rus nuk kishte shtetas të vet në Shkodër. Konsulli britanik nuk ndodhej fare aty. Vetëm konsulli Italian iu përgjigj kërkesës austriake, madje me bindje të habitshme, po të kemi parasysh se dy shtetet nuk kishin marrëdhënie diplomatike në atë kohë.
Kësisoj, dy nëpunës të konsullatës italiane, dragomani dhe kavasi, filluan me 4 mars 1865 të ushtrojnë kontroll nëpër banesat e qytetarëve italianë në Shkodër për të zbuluar nëse Katalinich strehohej atje. Një kontroll i tillë, mjaft i imët dhe në orët e vona të natës, u ushtrua edhe në shtëpinë e Dr. Siminit. Dr. Simini kishte mbetur shumë i fyer dhe i indinjuar për këtë veprim, duke vënë në dukje madje se kontrolli nuk kishte kursyer as dhomën e fëmijëve që po flinin, dhe as papafingon ku mbanin orenditë dhe sendet e tepërta. Simini pyeste se si ka mundësi që konsulli Italian dhunonte të drejtat e shtetasve të vet duke kërkuar një shtetas të padënuar austriak në banesën e një shtetasi Italian dhe duke iu nënshtruar kësisoj kërkesave të konsullit austriak ndërkohë që dy qeveritë përkatëse nuk kishin marrëdhënie diplomatike.
Ndërkohë konsulli britanik Read, me t’u kthyer në detyrë me 7 mars 1865 refuzoi t’i përgjigjej kërkesës austro-hungareze duke vënë si kusht që t’i paraqitej një dokument me shkrim ku të përcaktohej shkaku i kërkesës si dhe të jepeshin garanci për shpagimin e nderit të cënuar të zotërve të shtëpive të kontrolluara [f. 27].
Ankesa e Siminit pati jehonë tek qeveria italiane. Konsulli Durio u thirr pas një viti në atdhe dhe u zëvendësua nga Lorenzo Perrod, i cili u përpoq të vendoste lidhje më të mira me bashkësinë italiane në Shkodër [f.28].

Në vend të mbylljes
Eshtrat e Dr. Siminit, të jatit dhe të shoqes Elena Bonatti, u tërhoqën nga varreza katolike e Shkodrës për në Monteroni di Lecce në fund të viteve 1960 [f. 29]. Ndërkohë, dorëshkrimi na njeh edhe me një jurist të shquar arbëresh nga Spezzano Albanese, me mbiemër Skura, i cili ishte pushuar nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm pasi kishte filluar çështjen penale ndaj priftit Vincenzo Peluso për vrasjen e bujshme të Costabile Carducci-t [Kostabile Karduçi], kundërshtar i Mbretit të Napolit. Gjatë një vizite në Spezzano Albanese në vitin 1852 të Ferdinandit II, Mbreti i Napolit, këtij i del para gruaja e Skurës me fëmijën në dorë dhe i lutet mbretit ta rimarrë në punë të shoqin, kërkesë që Mbreti e refuzoi duke deklaruar se Skura “kishte guxuar të proçedonte dikë që kishte luftuar për të” [f. 51].
Libri i Dr. Mirella Galletit me dorëshkrimin e Dr Siminit si dhe dokumentacioni arkivor i zbuluar prej studiueses italiane përbëjnë kontribut të çmuar në ndriçimin e raporteve shoqërore e institucionale në rrafshin juridik-zakonor dhe diplomatik në trevën e Shkodrës së gjysmës së dytë të Shekullit XIX. Kësisoj, ai ndihmon historianët, juristët dhe studiuesit e tjerë për të kuptuar më gjerë e më thellë rrethanat historike të atij cepi strategjik të Perandorisë Otomane, që së shpejti do të ishte në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare si dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare. Ndër vërejtjet për librin mund të përmendim mangësinë në konsultimin me historian vendas si dhe në moskonsultimin e arkivave shqiptare. Nëse në dorëshkrim dhe studim thuhet se Simini ishte pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, ky fakt mund të mbështetej edhe me burimet shqiptare. Gjithsesi, libri është i vlefshëm për studiuesit e historisë, të drejtës zakonore dhe histories së shtetit dhe së drejtën në Shqipëri në Shkodrën e viteve 1853-1880.


Letra e Dr. Gennaro Simminit

“Luigi Cattalinich është një i ri dalmat, i ndershëm dhe liberal, antiklerikal par excellence dhe mik i zjarrtë i Italisë. Ka arësim mesatar, por nuk është sa duhet i kujdesshëm për njerëzit dhe vendin që e rrethon, që janë vërtet të rrallë. Përreth një vi tai ishte korrespndent secret i gazetës “Tempo” të Triestes dhe shkrimet e tij ishin tejet kritike për veprimet e burrave më të rëndësishëm të vendit […]. Kritika e tij nuk kursente as peshkopin e trevës, onsullin Durio, etërit e misionit, jezuitët, priftërinjtë, dhe madje as vetë Pashën. Fshehtësia e emrit të vërtetë të autorit të atyre shkrimeve u ruajt për shumë kohë, por më në fund, dikush e zbuloi. Qysh nga ai çast, Cattalinich fitoi urrejtjen e personave të fyer dhe të kritikuar me shkrimet e tij. Pritej veç rasti për shkatërrimin e tij, dhe ky nuk voni të paraqitej.
Me 18 shkurt [1865] u mbajt një festë me ballo dhe këngë në shtëpinë e ish-konsulles britanike, vejushës Bonatti. Aty morën pjesë Konsulli anglez me bashkëshorten, Konsullesha austriake me të shoqin Lipich, Luigi Cattalinich, familja e të nënshkruarit dhe të tjerë. Aty u këndua, u kërcye, dhe ndër këngët ishte edhe këmisha e kuqe garibaldine, që u ndërpre menjëherë për të mos fyer Lipich.
Dy ditë më pas, me 20 shkurt [1865] martohej një këpucar i quajtur Coteli. Midis gazit dhe haresë, disa të ftuar dalmatue kënduan këngën këmisha e kuqe garibaldine.
Të nesërmen, me date 21. Dalmatët u thirën në konsullatë nga Z. Lipich, i cili i qortoi për këngën që ishte kundër qeverisë austriake, dhe i kërcënoi se do t’i dëbonte në hekura po ta përsërisnin. “Ne, këpucarëve të varfër, ju na kërcënoni, ndërsa atij që ua këndoi ballasi, Cattalinich-it, as nuk i thoni gjë dhe as nuk e keni kërcënuar”.
Letra e Dr. Gennaro Simminit, Shkodër, Shqipëri, 18 mars 1865; ASMAE, s. Regno d’Italia, 1861-1887, ivi, Dispaccio del Cnsolato d’Italia a Scutari indirizzata al Signor Generale Alfonso La Marmora, Presidente del Consiglio dei Ministri .e Ministro degli Affari Esteri, Torino; ff. 24-27].

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin

Bido denoncon: Gjikuria 'fushatë' në 2 të mëngjesit në Kuç, Gjekmarkaj fushatë me foton e Spiromilos që dogji Borshin