Prej 5 javësh, banorët e Rrjollit protestojnë çdo ditë kundër ndërtimit të resortit të ndërtuesit dhe botuesit Bashkim Ulaj. Më 28 shkurt, pati edhe një përplasje të fortë mes tyre dhe policisë private Breçani Security që më pas çoi edhe në vetëdorëzimin e 11 banorëve, të shpallur në kërkim.
Por ajo që ndodh në prapaskenë është edhe më tronditëse. Edhe pse deri në këtë moment Bashkim Ulaj pretendon se dokumentacioni i tij është i rregullt, veprimet e tij nuk reflektojnë të njëjtën gjë. Në një lidhje direkte me “Studio Live” në Report Tv, banorja e Rrjollit Luçiana Kokaj thotë se në rrjetet sociale të Gener 2 thuhet se “me dhunë nuk i ndryshon dot dokumentacionet”.
Në këtë pikë, ajo ngre pyetjen: “Nëse nuk jemi pronarë, pse Ulaj na thirri në zyrë?”, duke zbuluar takimin ku banorëve iu ofrua një marrëveshje e panegociueshme për 150 dynymë nga botuesi pranë familjes Berisha, ndërkohë që sipërfaqja e ndërtimit është 1500 dynymë.
Luçiana Kokaj: Gener 2 për një gjë është shumë i vetëdijshëm: po qe se ne nuk do të ishim pronarë, nuk do të na kishte thirrur për të na takuar. Na ka thirrur 3 herë në zyrë për të na takuar, për të gjetur një zgjidhje. Nëse ne nuk do të ishim pronarë, pse do të na thërriste?
-Jeni thirrur me pronarin faktik të Gener 2, z. Ulaj apo kanë qenë përfaqësues?
Luçiana Kokaj: Jo, ka qenë z. Ulaj në zyrë.
-Keni zhvilluar tre takime?
Luçiana Kokaj: Po. Takimi i parë kanë qenë të gjitha fiset veç e veç që kanë folur dhe i dyti e i treti, një përfaqësues për fis.
-Si ka qenë reagimi i tyre?
Luçiana Kokaj: Ata bënë një ofertë të njëanshme. Ata duan që oferta e tyre, të bëjnë negociata për 150 dynymë, ndërkohë që në letër kanë 1500 dynymë leje ndërtimi, gjë që ne absolutisht s’mund ta pranojmë që ti të më paguash 10% të tokës dhe të më shfrytëzosh gjithë tokën sepse nëse ajo sipërfaqe është futur në leje ndërtimi, ajo tokë është ezauruar. Çdo investitor e di këtë. Marrëvehsja që është ofruar nga Gener 2 ka qenë komplet e njëanshme, me kushte të paracaktuara nga ata dhe pa mundësi negocimi nga ana jonë.
Kokaj thotë se protesta dhe rezistenca e hekurt nuk do të reshtë, pavarësisht përpjekjeve për t’i trembur banorët.
“Do të vazhdojmë derisa e drejta të dalë. Do të vazhdojmë të rezistojmë çdo ditë. Kjo që bënë këtë herë me arrestimet, shoqërimet, shpalljet në kërkim dhe hetimet ka ditë që ndodh, thjesht u bë pak më e madhe dhe po tentojnë ta bëjnë pak më të madhe për të na trembur, por nuk jemi të trembur”, thotë banorja.
Ajo thotë se edhe vetë ka shkuar në polici, ku të shoqin ia kanë arrestuar, ndërsa atë vetë e kanë lënë nën hetim në gjendje të lirë.
“Ditën e shtunë unë kam shkuar vetë në polici, më kanë marrë në telefon. Kam shkuar me bashkëshortin për të dhënë sqarimet. Bashkëshortin e kanë ndaluar, mua më kanë lënë nën hetim në gjendje të lirë. Unë nuk jam e trembur fare sepse nuk kam bërë asgjë të padrejtë.kam hyrë për të qetësuar situatën, ndërkohë që policia e sheh si sulm ndaj Breçani Security. Nuk ësht ëpër t’u justifikuar, po të kishte qenë për të sulmuar, do të sulmoja, por nuk doja. Doja që gjërat të sheshoheshin dhe të ishte vëtrte një protest paqësore. Pavarësisht se ne uafruam te punonjësit e Breçani Security dhe iu kërkuam shumë paqësisht që të largoheshin, ata dy ditë përpara një punonjës i tyre ka goditur një prej djemeve tanë dhe revolta e banorëve ndaj tyre ishte shumë e madhe. Shteti nuk ndërhyn, ai punonjësi që gjuajti djalin tonë, shkon në polici, qëndron 30 minuta dhe largohet ndërsa djali për 5 orë, normalisht që banorët do të reagonin, ndoshta edhe intensivisht duke qenë se institucionet nuk na japin zë”, thotë Kokaj.
Në kantier, Luçiana e përshkruan gjendjen si “shtetrrethim”. Ajo thotë se ka numëruar deri në 9 makina policie, ndërsa përreth muri është ngritur deri në 2 metër. Por më e tmerrshme i duket terrori i panevojshëm ndaj banorëve prej policisë.
“Shteti shqiptar na ka proceduar neve brenda natës dhe ka bërë terror në familjet e shtëpitë tona duke shkuar dhe arrestuar njerëzit. Kanë shkuar për të arrestuar kushëririn e burrit tim, tre furgonë policie, një burrë gati 70 vjeç, tre furgonë nuk e di për çfarë kanë shkuar. Mund të kishte shkuar një makinë e vogël policie dhe ai do të kishte shkuar pa problem ose mund ta kishin marrë në telefon se numrat i kanë pasur dhe nuk kishin pse të shkonin terror. Atë natë, ka qenë policia shtëpi më shtëpi, pa njoftuar askënd. Një terror komplet i panevojshëm”, tha banorja.
Në fund, theksoi se kanë qenë punonjësit e Breçani Security që i kanë sulmuar të parët dhe ndaj tyre s’është ndërmarrë asnjë masë.
“Asnjë nga punonjësit e Breçani Security nuk është proceduar, nuk është në kërkim a në hetim. Kjo është një gjë shumë e padrejtë dhe e pabarabartë”, përfundoi ajo.
Komente












