Xhezair Zaganjori: Ju tregoj jetën time

Xhezair Zaganjori: Ju tregoj jetën time
TIRANË - Një portret i kandidatit presidencial të maxhorancës i ndërtuar nga njerëzit që e njohin më mirë dhe nga ai vetë. Që nga vitet studentore, pedagogët që e kanë përkrahur, anëtarësimi në PPSH, dorëzimi i teserës, Gjermania, dashuria e tij e deri tek aktiviteti si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Cili ka qenë rrugëtimi i djalit nga Shkodra, që ka punuar dhe si punëtor ndërtimi dhe që sot i premtohet si destinacion final karrigia e kreut të shtetit? Gjithë vendimet e tij në vite dhe pse ka votuar pothuaj gjithmonë kundër opozitës socialiste
E martë në mbrëmje, datë 29 maj. Koalicioni qeveritar, Berisha-Meta-Idrizi-Mediu, kishte përmendur emrin e tij si kandidat presidencial.
E mërkurë paradite, ora 08:30. Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, si rrallë herë, qëndroi vetëm pak minuta në zyrë. I ftuar nga kolegët e tij, zbriti sërish shkallët në pjesën anësore të ish-godinës së Komitetit Qendror dhe hyri në barin e katit përdhes për të pirë kafe. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës, Vladimir Kristo, Admir Thanxa e Fatmir Hoxha u ulën në bar duke pasur kësaj here në qendër Zaganjorin. “Urime, urime, zoti President!”, “Faleminderit, faleminderit, por të shohim. Unë vetë nuk e prisja!”, ishin dialogjet e përsëritura në ato pak minuta të qëndrimit në bar mes kolegëve juristë, që befas shohin se njëri prej tyre ka përpara shansin e artë të katapultimit në karrigen kreut të shtetit. Në dy muajt e fundit, ndokush nga ta, me siguri kishte dëgjuar, edhe pse me mosbesim, se me “Xhezairin pritej të ndodhte diçka e madhe”. Emri i tij dhe i dy-tre juristëve të tjerë të njohur ishin përmendur në tavolina të rezervuara politike në Tiranë, si një mundësi e fundit në rast të dështimit të kandidaturave nga politika për postin e Presidentit të Republikës. Kur ndodhi realisht, thjesht e uruan. Mbase-mbase edhe me pak xhelozi të kuptueshme njerëzore mes të barabartës, që në një moment të caktuar shohin shkëputjen e njërit prej tyre “për lart, shumë lart”.
E mërkura, më pas, vazhdoi rrjedhën e saj normale. Të pazakonta ishin telefonatat e shumta në numrin e tij celular, 06..20417…, kryesisht miq, të afërm, por dhe politikanë. Këta të fundit, kur i kishin komunikuar vendimin e tyre për ta kandiduar, edhe e kishin këshilluar që, mbi të gjitha, të mos fliste me gazetarë. Në fakt foli pak. Me modesti, duke kujtuar se vendi ka dhe shumë personalitete të tjerë që e meritojnë një nder të tillë, me mprehtësi kur pohonte se shpresonte që të mund të votohej në mënyrë konsensuale. Kaq! Pastaj heshtje dhe rutinë e prishur nga e panjohura që do të zgjidhet të paktën pas dy javësh.
Po të mërkurën, pak mbas mesditës, Zaganjori bëri ritualin e tij të kthimit në shtëpi, diku mbas restorant Piazza-s. Kësaj here, me ndryshimin se brenda harkut të një 24 orëshi, 55 vjeçari Zaganjori, ishte bërë i famshëm. Deri të martën në mbrëmje, në emrin e tij dilnin rreth 10 mijë rezultate nga kërkimi në Google. Një ditë më pas, ato kapërcyen në rreth 15 mijë. Të enjten fluturuan në 41 mijë. Natyrisht, këto rezultate, jo të gjitha të lidhura me të. Gjykatësi Zaganjori ishte bërë i famshëm sipas asaj teknologjisë që afron vetëm politika.

“Urdhëroni, më pyesni”
Telefonatës së parë të revistës “Java” nuk i përgjigjet, por mbas një mesazhi telefonon vetë. Është elokuent. Ndjehet i lodhur, pothuaj i bezdisur nga vëmendja maksimale që mori emri i tij, por nuk refuzon asnjë pyetje. Shpreh një lloj habie të kontrolluar kur mëson se JAVA ka kontaktuar me shumë njerëz që e njohin, duke nisur që nga koha kur ishte student, dhe mirëkupton se tashmë, çdo detaj i jetës së tij, normalisht, është më shumë se objekt kurioziteti e kërshërie për publikun dhe më shumë se material i nevojshëm për 140 gratë e burrat në Kuvend, që eventualisht do të votojnë për të. Gjithmonë, nëse emri i tij do të përfundojë në votim. Korrigjon ndonjë detaj dhe, mbi të gjitha, pabesueshmërisht, nuk ka asnjë pyetje tabu. I sjellshëm dhe jashtëzakonisht korrekt, edhe kur dëgjon diçka që nuk i pëlqen. “Më vjen keq se kanë nisur të thuhen gjëra që nuk janë të vërteta, madje edhe për vendimet që kam firmosur në Gjykatën Kushtetuese”, thotë, por nuk kërkon të justifikohet. Ka një lloj distance në të folur edhe ndaj vetes, që e bën vërtet interesant. Pak, fare pak nëpërmjet përgjigjeve të tij dhe shumë më shumë nëpërmjet rrëfimit të të njohurve të tij, JAVA tenton të bëjë një portret të parë të kandidatit Presidencial. Duke nisur me rininë e tij të hershme, për të përfunduar me të martën e kësaj jave e cila, i ka ndryshuar përfundimisht jetën, pavarësisht se cili do të jetë epilogu në Kuvend.

Deri në vitin ’90
I gjatë, i pashëm, pa vese. Nuk pinte dhe nuk përdorte as alkool dhe as duhan. Që student njihej si një djalosh gati-gati i përkorë. Rezultatet e larta në shkollë e diferencuan nga bashkëstudentët e tjerë. Ndryshe nga shumë shokë të tij që studionin në jurisprudencë, “bij të prindërve”, shkodrani Zaganjori vinte nga një familje e thjeshtë dhe dy prindërit e tij punëtorë i kishin dhënë vetëm bekim dhe asnjë përkrahje tjetër. Babai i tij kishte ardhur në Shkodër që në moshën 15 vjeçare nga fshati Ana e Malit, që ndodhet në rrugën që të çon në Murriqan, në kufi me Malin e Zi, meqënëse i ati, gjyshi i Xhezair Zaganjorit kishte vdekur shumë i ri. Ai kishte studiuar në Stamboll për hoxhë.
Zaganjorii ri ka njohur kur ishte student jetesën e shtrënguar, tipike për varfërinë e kohës. Tip sportiv, luante futboll, volejboll dhe merrej me atletikë. Shpejt bie në sy të dy pedagogëve të njohur, Arben Puto dhe Luan Omari. Bashkë me studentin tjetër të drejtësisë Maks Haxhia – një mik i hershëm me të cilin nuk ka më miqësinë e vjetër – ai viziton shpesh selinë e e Akademisë së Shkencave, ku takon dy profesorët dhe studion në bibliotekën e institucionit. Mëson gjermanisht dhe më pas edhe anglisht e frëngjisht.
Bëhet asistent i Putos. Edhe sot, e konsideron profesor Puton një mik të mirë që i detyrohet shumëçka. Edhe pse jeta e tij, falë mirësisë së Putos, mori një rrjedhë më të mirë. Profesori i vjetër e njoftoi diku nga fundi i vitit 1987, në dimër, që ishte diskutuar për t’u pranuar si kandidat i Partisë së Punës. 25 vjet më pas Zaganjori e pohon këtë fakt. Ka pak, fare pak dëshmitarë që mund ta kujtojnë apo ta dinë një gjë të tillë, por gjykatësi nuk e ka problem: “Eshtë thjesht e vërtetë. Ka ndodhur kështu”, thotë ai. Dilemën e atëhershme se çfarë do ta bënte e kishte zgjidhur shpejt, madje pa u këshilluar me askënd. Për shkak të biografisë i ishte refuzuar viza për studime në Francë; një anëtarësim në PPSH do ta çonte në ato dyer që regjimi i hapte vetëm për të besuarit e tij. I pranohet kërkesa për kandidat partie dhe i nënshtrohet regjimit të stazhit. Punon një vit si punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit 21 Dhjetori, në Tiranë. Punëtor që përziente llaç dhe transportonte tulla në një nga ndërtesat e kompleksit spitalor në Tiranë. Kur u pranua në parti, regjimit i kishte ardhur fundi dhe, siç thotë vetë Zaganjori, “Isha i fundit që u pranova dhe i pari që u largova nga partia”.
Një tjetër specializim në Greqi i refuzohet, por fati i tij do të vinte nga gjermanishtja. Njihet me një punonjës së ambasadës së sapohapur gjermane në Tiranë, Verner Daum – personazhi i famshëm që hapi derën e ambasadës në 2 korrik 1990 – dhe prej tij gjen mundësinë e një specializimi në Gjermani. Por nga premtimi i bërë në dhjetor 1987, realizimi vjen gati një vit më pas, në tetor 1988. Dhe jo një vit, sa ishte parashikuar, por vetëm për dy muaj e gjysëm, ai shkon në Gjermaninë e atëhershme Federale, i shoqëruar nga mentori i tij, profesor Arben Puto.

Pluralizmi
Me kthimin në Tiranë dhe nisjen e Dimrit fatlum Shqiptar të studentëve që solli pluralizmin, Zaganjori afrohet me grupin socialdemokrat të Gjinushit, por pa u bërë anëtar partie. Në 1991 udhëton sërish drejt Gjermanisë, në fondacionin Max Planck, për disa muaj. Sërish në Shqipëri, bëhet drejtor për Tiranën i forumit të të drejtave të njeriut. Bashkëpunon në atë kohë me Maks Haxhinë, Zef Brozin e Abdi Baletën. Mbas zgjedhjeve të marsit 1992, me propozim të Skënder Gjinushit – Eduard Selami pretendon se është ai propozuesi i Zaganjorit – dhe dekret të ish-presidentit Berisha, emërohet ambasador i Shqipërisë në Gjermani. Ka pak të dhëna për atë kohë. Dëshmi të paverifikuara pohojnë se në stilin e tij të punës ishte që të rrumbullakoste shqetësimet që ngrinte pala gjermane ndaj politikës shqiptare, sidomos mbas referendumit për kushtetutën e vitit 1994. Me dy bashkëpunëtorë të tij në ambasadë, Pëllumb Kulla dhe Gafur Muka, reflekton marrëdhënie korrekte. Në përgjithësi ishte karakter i mbyllur. Miq të tij thonë se atëherë ai u afrua shumë me Berishën dhe në kohën e skizmës mes PD-së dhe PSD-së mbas vitit 1994, ai këputi marrëdhëniet me Gjinushin. Po në këtë periudhë u bë mik me shumë pjesëtarë aktivë të diasporës shqiptare nga Kosova në Gjermani dhe, që nga ajo kohë, kishte krijuar miqësi të fortë me ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe me ish-kryeministrin e Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshin.
Në përgjithësi vitet 90’ ishin mjaft të mbarë për Zaganjorin. Në 1991 zgjidhet anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë, në vitin 1993 merr gradën Doktor i Shkencave Juridike dhe 16 vjet më pas, bëhet edhe profesor.
Në vitin 1997, mbasi mbaron mandatin e tij diplomatik, e thërrasin në Ministri të Jashtme. Pyet nëse kishte vend për të në sistemin diplomatik, mirëkupton refuzimin e autoriteteve të kohës dhe si pakkush, dorëzon me rregull detyrën dhe pasaportën diplomatike për t’iu rikthyer mësimdhënies dhe botës akademike.
Në vitin 1998, për ironi të fatit, ka qenë një nga kritikët e kushtetutës së re të Republikës. Burime të besueshme nga PD-ja pohojnë se Zaganjori dhe një grup i ngushtë juristësh ishin njerëzit që përgatisnin tezat e Berishës kundër projektit të kushtetutës. Vetë Zaganori e mohon atë fakt dhe pretendon se ka bërë vetëm komente për pjesë të veçanta të Kushtetutës që ja ka përcjellë mikut të tij të vjetër Haxhia. Atëherë askush nuk mund ta dinte, që jo një trill i fatit, por i marrëveshjeve politike, do ta lidhte të nesërmen e Zaganjorit pikërisht me kushtetutën. Fillimisht, në rolin e garantit të saj, më pas, edhe në kapërcimin që bëri drejt pragut të presidencës.

Gjykata Kushtetuese
Duhet një rikthim në kohë. Në vitin 2002, me zgjedhjen e Presidentit Moisiu dhe shtensionimin e situatës mes PS-së në pushtet dhe opozitës së PD-së, zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese ishte pjesë e detantës mes Nanos e Berishës, siç ishte emri i kryeprokurorit, largimi i shefit të SHISH dhe disa detaje të tjera. Emri i Zaganjorit u propozua nga Berisha dhe u pranua nga Nano. “Më ka propozuar Moisiu, pretendon Zaganjori, emri im doli mbasi socialistët kishin refuzuar të votonin kandidaturën tjetër të Kudret Çelës, ish-ministër drejtësie dhe në atë kohë, dekan i fakultetit juridik.
Në votim ai mori 89 vota pro, 9 vota kundër dhe 5 abstenime nga të pranishmit në votim. Që atëherë, kjo majë piramide e karrierës normale për një jurist, do ta linte disi në hije Zaganjorin, sidomos për shkak të natyrës së vetë institucionit. Emri i tij u përmend disa herë në disa nga vendimet më të nxehta të kësaj gjykate dhe, kur u duk se u mbyll kjo histori, për të hapet një tjetër histori: propozimi për kandidaturën si President i Republikës.
Është për t’u shënuar se, që nga pranvera e vitit 2010, mandati i gjykatësit për Zaganjorin ka mbaruar. Ai është i detyruar të qëndrojë në detyrë deri sa të vijë pasuesi, por dy vjetët që kanë kaluar, e bëjnë tërësisht një faull, së paku moral, qëndrimin e tij në ish-godinën e Komitetit Qendror. Një koleg i tij, Petrit Plloçi në të njëjtat rrethana, dha dorëheqjen. Vetë Zaganjori votoi në një vendim të fundëm të gjykatës kundër kërkesës së Presidentit aktual, që synonte zgjidhjen e këtij ngërçi. Ashtu siç ka votuar vendimin tjetër për t’i kërkuar Kuvendit “inisiativë kushtetuese” për zgjidhjen e problemit të mandatit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

Si ka vendosur në emër të Kushtetutës
Është shumë interesante të vihet re se si ka votuar në proceset e zhvilluara në Gjykatën Kushtetuese kandidati i sotëm Presidencial. Në një kërkim të hollësishëm që JAVA bëri në vendimet e shpallura të gjykatës gjatë viteve 2005-2012, kur në pushtet erdhi miku i tij Berisha, del një e dhënë befasuese. Nga 13 kërkesa që ka bërë opozita në këtë gjykatë, Zaganjori ka votuar 11 herë kundër tyre.
Në të paktën dy raste, vendimmarrja e zotit Zaganjori, ngjan problematike. Në të parin dhe më të ndjeshmin për opinionin publik, në vendimin për kushtetutshmërinë e marrëveshjes së detit me Greqinë, në të cilën Zaganjori ka qenë edhe relator i çështjes. Ka dyshime të bazuara – madje ato edhe janë publikuar dy vjet më parë – se megjithë cilësinë e tij si anëtar i Gjykatës së Lartë, Zaganjori ka shërbyer si konsulent i ministrisë së Jashtme në formulimin e marrëveshjes. Emri i tij, si një nga specialistët e rrallë të së drejtës ndërkombëtare në Shqipëri, madje, është përmendur dhe në një nga mbledhjet e komisionit të jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë nga një prej negociatoreve të Ministrisë së Jashtme, Ledia Hysi. Një akt ky, që në thelb është i papajtueshëm me detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Por vetë Zaganjori e mohon. “Nuk e kam bërë një gjë të tillë. Kam qenë vetëm një herë në grupin e punës që përgatiti argumentet për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që do të shqyrtonte legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thotë ai.
Më pas vijojnë dy momente: së pari, legjitimimi si palë në proces i kërkuesit, Partisë Socialiste dhe shqyrtimi i çështjes në themel. Në momentin e parë, Zaganjori, Kristo, Tusha dhe Thanxa ishin katër gjykatës të cilët ishin për mospranimin e PS-së si palë dhe rrjedhimisht, për lënien në fuqi të marrëveshjes. Pesë gjykatësit e tjerë ishin kundër dhe bënin shumicën. Me votim pesë me katër, u vendos që çështja të shqyrtohet në themel. Zaganjori ishte relator i saj dhe siç pohon dhe vetë: “E kam shkruar unë vendimin që u votua unanimisht. Ishte një marrëveshje me probleme të rënda dhe duhej të rrëzohej si antikushtetuese”, thotë ai për JAVA.
Në një vështrim cinik të problemit, mund edhe të rezultojë se mbas matjes dhe ekuilibrit të forcave, në kohën kur pesë gjykatës e kishin “ndarë mendjen” se si do të votonin, ishte e kotë të krijohej kosto votimi pro saj.
Një tjetër çështje e ndjeshme për cilësinë e votës së Zaganjorit ka qenë dhe ajo për vendimin për prishjen e Piramidës në Tiranë. Ai ishte vota “Pro” e moslegjitimimit në proces të jo më pak se një të pestës së deputetëve për të qenë palë në proces. Vetë Zaganjori, në librin e tij “Demokracia dhe shteti i së drejtës” duke folur për kontributin e Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane për mbrojtjen e “rendit juridik nga ligjet që bien në kundërshtim me Ligjin Themelor (kushtetutën)” ka vënë në pah se “kjo kompetencë, ndër të tjera, i krijon mundësi reale veçanërisht opozitës, që të jetë sa më aktive”. Duke mbrojtur tezën e moskushtëzimit të të drejtës së pakicës parlamentare për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, autori i referohet një studiuesi gjerman, i cili nënvizon: “Po të hiqej kjo e drejtë (pra po të hiqej e drejta e mundësisë së paraqitjes nga opozita në Gjykatën Kushtetuese të çështjeve lidhur me kushtetutshmërinë e ligjeve – Xh.Z.), klima ndërmjet pozitës dhe opozitës do të histerizohej. Përmes saj, opozita i kujton pozitës se në demokraci pushteti kufizohet me ligj”. Në të kundërt të tekstit të tij, Zaganjori voton ndryshe, duke krijuar mundësinë që e perifrazuar do të thotë: Afroi një shkas për të histerizuar klimën e marrëdhënieve mes PD-së dhe PS-së në Tiranë.

Konflikt interesi?
Prej disa kohësh, Xhezair Zaganjori është anëtar i KALSH, komiteti për arsimin e lartë në Shqipëri, një organ këshillimor pranë ministrisë së arsimit. Ky është një institucion i cili harton strategjitë për zhvillimin e arsimit të lartë, ligjet që kanë të bëjnë me arsimin e lartë e të tjerë. Po ky komitet kaloi dhe ligjin për Akademinë e Shkencave, një çështje e cila pati gjithashtu një konflikt për kushtetutshmërinë e saj dhe kaloi edhe në duart e gjykatësit Zaganjori. I cili mori pjesë në votim. Por dhe kjo është pjesë e të shkuarës. Të paktën për pak ditë do të mësohet nëse ai do të votohet në postin e Presidentit të Republikës, në të cilin do të qëndrojë për pesë vjet. Dhe që, duke nisur që nga nëntori, do të duhet të zgjedhë emrin e prokurorit të ri të përgjithshëm dhe do të dekretojë gjykatësit e lartë në vend.

Kundër opozitës

Në trembëdhjetë herë që opozita ka trokitur në derën e Gjykatës së Lartë, njëmbëdhjetë herë gjykatësi Zaganjori ka votuar kundër ose ka rrëzuar kërkesat e saj. Qoftë dhe në këtë pikë, ka shumë arsye që opozita të ketë dyshimet e saj të justifikuara për këtë kandidaturë në postin e Presidentit të Republikës, duke e konsideruar atë, që në gjenezë, si të njëanshëm. Proceset për të cilat opozita ka kontestimet e saj nisin që me kërkesën për shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë””;
kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt për të shpallur si antikushtetues vendimin e Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e objektit të kërkesës së 35 deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për verifikimin e lidhjeve nepotike, konfliktin e interesit dhe përfitimeve pasurore që rrjedhin prej tyre për Kryeministrin, familjarët dhe të afërmit e tij”;
kërkesën për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Ligjit “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”; për shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të publikuar të Kuvendit të Shqipërisë;
kërkesën “Për mosdhënien e pëlqimit për emërimin e Zamir Podës si anëtar i Gjykatës së Lartë”;
kërkesën për shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore të disa neneve të ligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”;
kërkesën për shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, (marrëveshja për detin me Greqinë);
kërkesën për interpretimin përfundimtar të neneve 69, 70, 71 dhe 72 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë;
kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;
kërkesën për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011” të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe pezullimin e këtij vendimi;
kërkesën për konstatimin e papajtueshmërisë me mandatin e deputetit të zotit Ilir Beqja;
kërkesën për shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të disa neneve të ligjit “Për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë”.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje