TIRANË, 25 Nëntor/ATSH- I. Vata/- Bashkia e Tiranës ka përkujtuar sot në një aktivitet të veçantë pranë Akademisë së Shkencave të ekzekutuarit, si dhe ata që u burgosën dhe u internuan nga regjimi komunist në Shqipëri, duke nderuar 39 intelektualë akademikë, klerikë dhe oficerë të lartë që u pushkatuan në harkun kohor 28 tetor-16 nëntor 1944.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi, theksoi se duke kujtuar të shkuarën e regjimit komunist, ne do ta ndalim rikthimin e tij sot e përgjithmonë.
"E ndjeva përgjegjësi të jem prezent në këtë aktivitet, në respekt të kujtesës së Tiranës së përgjakur, nga gjaku i 105 bijëve të saj. Në respekt të atyre që menduan të lirë, e deshën Shqipërinë të lirë dhe menduan të jetonin në demokraci. I vrau terrori dhe terroristët komunistë, iu vrau idealet, iu vrau lirinë. Me mijëra të tjerë i burgosi në 40 burgje dhe i internoi në 50 kampet e pafund. Të shkuarën nuk e ndreqim dot, por nuk e harrojmë dot dhe sot e kujtojmë me shumë respekt dhe për ta ndalur përgjithmonë rikthimin e saj. Sot jemi këtu, si një sfidë, një sfidë për lirinë, jemi një dëshmi e idealit të tyre. Jemi triumfi i së mirës ndaj së keqes, jemi shkëputja totale nga e keqja. Sot ne jemi garancia e një Shqipërie evropiane, larg terroristëve komunistë. I kristaltë qoftë kujtimi i tyre dhe dielli ndriftë aty ku ata i kanë shpirtrat sot", theksoi Xhindi.
Regjimi komunist në Shqipëri është konsideruar më i egri dhe më i përgjakshmi ne Evropë. Nga të dhënat zyrtare, gjithsej të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit numërohen 6535 viktima. Prej tyre numërohen klerikë katolikë 120 persona, myslimanë 60 persona, bektashinj 83 persona, ortodoksë 39 persona. U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare, prej të cilave 740 xhami, 608 kisha e manastire ortodokse, 157 kisha e manastire katolike, 530 teqe e tyrbe.
Statistika të viktimave të sistemit komunist:
Të pushkatuar 5548, nga këta 91 gra
Të burgosur 14563, nga këta 445 gra
Të vdekur në burg 987, nga këta 7 gra
Të futur në psikiatri 308, nga këta 35 gra
Të internuar 21401, nga këta 322 gra. Në total janë shënuar 143 mijë vite burg përfshirë dhe interrnimin me tela me gjemba./m.m/