Ylber Ramadani po kalon një sezon mjaft pozitiv me Leccen, duke u shndërruar në një nga pikat kyçe të skuadrës italiane. Mesfushori i kombëtares shqiptare ka treguar vazhdimësi dhe nivel të lartë performance në Serinë A, çka pasqyrohet qartë edhe në statistikat individuale.

Sipas të dhënave, Ramadani renditet i treti në pesë kampionatet kryesore të Evropës për numrin e ndërhyrjeve të sakta këtë sezon, me plot 88 të tilla. Ai lë pas emra të njohur të futbollit europian si Manuel Locatelli, Casemiro apo Declan Rice, duke konfirmuar rolin e tij të rëndësishëm në mesfushë.

Para Ramadanit në këtë renditje janë vetëm Lynen i Werder Bremenit dhe kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka. Shqiptari i Zvicrës kryeson listën me 103 ndërhyrje të sakta në Premier League, duke treguar ndikimin e madh që ka pasur pas rikthimit në kampionatin anglez.

Ylber Ramadani

Ramadani shquhet gjithashtu si një nga lojtarët që vrapon më shumë në Serinë A. Ai ka qenë titullar në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni me Leccen, duke fituar besimin e plotë të trajnerit Eusebio Di Francesco dhe duke u kthyer në një element të pazëvendësueshëm të formacionit.

Ndryshe paraqitet situata e tij te Kombëtarja, ku në edicionin e fundit Ramadani humbi vendin e titullarit, kryesisht për shkak të formës së mirë të mesfushorit Juljan Shehu. Megjithatë, paraqitjet e tij në Itali e mbajnë atë ende në mesin e emrave më të rëndësishëm të mesfushës kuqezi.