Kthimi që Presidenti Nishani i bëri hartës së re administratito-territoriale të miratuar nga kuvendi nuk është pritur aspak mirë nga mazhoranca. Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani ka deklaruar për mediet se kreu i shtetit ka humbur atributet e dhëna nga Kushtetuta dhe prej kohësh nuk është garant i unitetit kombëtar.

“Nishani nuk është kryetar shteti, ka një shtet paralel që është shteti i PD. Nishani nuk përfaqëson dot unitetin e shtetit shqiptar. Me sjelljen e tij ai përfaqëson përçarjen dhe tregon që ka qenë dhe është anëtar i kryesisë së PD”, u shpreh Manjani.

Sipas nënkryetarit të LSI-së, qëndrimet e kreut të shtetit janë kompromentuese dhe nuk lidhen thjesht me kthimin që ai i ka bërë ligjeve të qeverisë. Manjani shpreh bindjen se sjellja e Nishanit është e motivuar politikisht, duke bërë që vetë presidenti të mos sillet si kryetar shteti.