Ylli Pata: Berisha të kthejë sytë nga Putini? De fakto e ka bërë prej vitesh!

Ylli Pata: Berisha të kthejë sytë nga Putini? De fakto e ka bërë prej vitesh!

Këshilla publike e Arjan Çanit që Sali Berisha nuk duhej të mbante flamurin amerikan por të kthehet nga Putini, u quajt si “provokacion” nga drejtuesja e emisionit dhe nga autori.

Megjithatë, parë në thelbin e saj, ajo këshillë, edhe pse mund të ishte një “fluturim” në një realitet tjetër, nuk është gjë tjetër veçse një zhvillim politik që jo mund të pritet se do ndodhë, por ka ndodhur.

Edhe pse nuk ka pasur një qëndrim politik të qartë pro vendeve që i qëndrojnë përballë Perëndimit, në realitet opozita shqiptare zyrtare ka vite që ka instaluar një qëndrim politik antiamerikan.

Një qëndrim politik që është praktikuar dhe ngjizur që në krye të herës, kur Sali Berisha humbi pushtetin drejtues në vend, ndërsa Ilir Meta ishte në majat e shtetit shqiptar.

Për herë të parë që nga rrëzimi i komunizmit, në Shqipërinë e pas vitit 2013, është zhvilluar demonstrata e parë politike përpara ambasadës amerikane në Tiranë.

Një demonstrim politik i bujshëm që u transmetua live nga organet e propagandës së Kremlinit siç janë RT dhe Sputnik.

Bëhet fjalë për demonstratën për të ashtuquajturën kauzë për të mos lejuar shkatërrimin e armëve kimike të Bashar al Asadit.

Një kauzë që nuk kishte asnjë lidhje me probleme mjedisore apo shëndetësore. Ai ishte një qëndrim politik i fuqishëm i opozitës shqiptare dhe si të tillë e mori edhe qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E cila me zërin e ambasadorit të atëhershëm në Tiranë, Alexandër Arvizu, drejtoi gishtin tek Partia Demokratike.

E cila ishte mbështetësja dhe financuesja e protestave të “shoqërisë civile”. Anëtarët e së cilës nuk kaloi shumë kohë e i pamë në trubunat politike të Partisë Demokratike dhe LSI-së, atëherë aleate qeveritare e Edi Ramës.

Ishte ai aksion politik që më pas vijoi pa u ndërprerë me fjalë dhe me vepra, të cilat ju kundërvunë thuajse të gjitha politikave dhe synimeve të aleatëve Perëndimorë të Shqipërisë; përkatësisht SHBA-së dhe Bashkimit Europian.

Kundërshtimi i reformës në drejtësi, që ishte aksion perëndimor, nuk ishte një qëndrim kundër strukturës akritektonike të drejtësisë së të ardhmes që u projektua me asistencën e OBDAT(SHBA) dhe Euralius(BE). Jo!

Ishte një aksion që kundërshtonte pikërisht bazën e reformës në drejtësi; monitorimin permanent të institucioneve të reja nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Që janë praktikisht një grup gjyqtarësh e prokurorësh nga SHBA dhe vendet e Bashkimit Europian.

Sali Berisha e kundërshtoi hapur OMN dhe refuzoi që kjo të futet në kushtetutë me tezën e “Sovranitetit”. Kjo tezë, e cila u mbush në banaqet televizive për mjaft kohë, ishte praktikisht një tezë politike e Moskës.

E cila akuzonte vendet e NATO-s, apo ato aspirante se po humbisnin sivranitetin karshi Perëndimit. Ndodhi kështu në Mal të Zi, ku shërbimi rus në 2016 udhëhoqi një puç të armatosur për ta ndaluar hyrjen e vendit në NATO, ndodhi po ashtu në Maqedoninë e Veriut në 2017, po për ta ndaluar hyrjen e vendit në NATO.

Nuk ishte aspak çudi që televizionet ruse jepnin live kur sulmohej Kryeministria me heshta e qysqi për të hyrë brenda.

Edhe sulmi ndaj SHBA-së e shpifjet bajate ndaj ambasadorëve, apo anëtarëve të ONM-së me fushata mediatike nuk ishte gjë tjetër veçse një qëndrim i qartë politik.

Shpifjet se politikanë perëndimorë si Knut Fleckenstein, ambasadorë, apo anëtarë të ONM-së vijnë në Tiranë se kanë gjetur dashnore nuk ishin aspak thashetheme të mediave bulevardeske.

Por narrativa politike të ngritura në emisionet e prime time, pikërisht nga liderët politikë të PD-së dhe LSI-së.

Përplasja me SHBA për të mbrojtur Adriatik Llallën, ishte sërish një qëndrim politik. Siç ishte po qëndrim politik shkarkimi i të gjithë prokurorëve që në atë kohë trajnoheshin në SHBA.

Ishte qëndrim politik më pas shpalljet “non grata”dhe fushatat ndaj diplomatëve perëndimorë nga Presidenti i Republikës i asaj kohe Ilir Meta, duke siluruar Perëndimin. Duke e goditur e hapur një temë se gjithçka bëhet sepse i “korrupton Edi Rama”.

Edhe pse gjithçka ndodhi për arsye praktike personale, ngaqë i frikësoheshin kësaj çfarë po ndodh tani, zgjodhën rrugën e konfrontimit politik me Perëndimin. Duke e kthyer në një kauzë të qartë politike. Ndryshimi në mos shpalljen e kësaj kauze si çështje anti-SHBA e anti-BE ndodh vetëm se e dijnë se nuk kanë mbështetje në publikun e tyre.

Është vetëm një pakicë e vogël e publikut opozitar që është kontaminuar nga propaganda antiperëndimore dhe prej vitesh sulmon egërsisht në rrjete sociale faqet e ambasadës së SHBA dhe të BE.

Në faqen e Ambasadës ruse, ka një numër të vogël adhuruesish të Putinit që shkruajnë nga Tirana, por aty asnjëherë nuk ka sulme bajate siç ndodh me ambasadat Perëndimore. Kjo sepse nuk ka një plan politik për të ndërsyer njerëz.

Kështu që ai “provokacion” të cilin Çani hodhi në televizion është një zhvillim që ka ndodhur e stërndodhur me kohë, por vetëm nuk është ambalazhuar. Nëse edhe kjo ndodh askush nuk do të çuditet, por do kuptohet qartë se si qëndrojnë raportet e forcave./Tema

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja