Ylli Pata: Çfarë kërkon Lulzim Basha e si shpjegohet histeria kundër tij?

Ylli Pata: Çfarë kërkon Lulzim Basha e si shpjegohet histeria kundër tij?

Lulzim Basha

Lulzim Basha është shfaqur sot si “i bukri shejtan” me mëngë të shkurtra, i relaksuar, pa nerva që e kishim parë vite e vite, i qeshur në një takim me të rinjtë.

Por në fakt prej ditësh këtu ziejnë diskutimet: Do vijë Basha, priteni Lulin. Ja erdhi ai! Po edhe?

Jo jo, këtu duhet ndalur. Se Lulzim Basha nuk është as Alibeaj, as Land Bejko që kanë dy vite që mbajnë në shpinë një presion të madh politik e mediatik, pa pasur realisht fuqinë e një lidershipi politik.

Kjo që ka ndodhur gjithë këto kohë shpjegon një gjë. Se të gjithë ata zëra, lobe, grupime që kanë mbështetur Lulzim Bashën kur ai ishte lideri i opozitës shqiptare, nuk e kanë mbështetur realisht atë. Siç ndodhi më vonë, është e qartë se të gjithë, e kanë mbështetur, lavdëruar, lazdruar, e mikluar si “më i miri kandidat për kryeministër”, e kanë bërë këtë sepse e konsideronin si protektor të Sali Berishës. Fill në momentin kur Lulzim Basha bëri atë që bëri, pra për herë të parë në krye të PD-së u tregua lider, ç’farë nuk thanë për të. Dhe e braktisën të gjithë, të gjithë. 

Shikojeni çfarë po ndodh sot, kur jemi para një situate kur prej më shumë se një viti Sali Barisha konsiderohej si njeriu që mund të bëjë atë që Lul Basha se bënte sot. Madje shtonin edhe faktin se doktori do ta bëjë atë që do ta bëjë, edhe për arsye se në krah ka edhe Ilir Metën. Por ja që doli se edhe me Metën, Sali Berisha nuk e bëri dot vezën e Lulit. Madje është qullosur aq keq, sa kush ka logjikë të ftohtë e kupton që ky është rezultati më i rëndë që ka marrë opozita edhe në vitin 1997.

Lulzim Basha doli sot, me shumë gjasa i çliruar si për të thënë: more ç'patët, e patë se unë nuk jam problemi? Por kjo nuk mjafton! Luli të gëzohet e relaksohet sa më shumë, se i bën mirë kujdo që të jetë i kthjellët, por Basha do të duhej që të ishte aktiv me kohë. Atë që pyet se ç’do Lul Basha, përgjigja është e thjeshtë : Basha ka të drejtën e madje edhe detyrimin që të tregojë çfarë ka ndodhur në opozitën shqiptare që nga viti 2013 kur ai ka marrë në dorë drejtimin, e sidomos pjesën e tmerrshme të përplasjes në vitin 2021- 2022. Basha duhet të flasë, madje shumë, për atë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë kohës kur ishte lider por nuk ishte lider. Kur u dogjën mandatet, kur u bojkotuan zgjedhjet lokale, kur u shpall Sali Berisha Non Grata, 8 janari por mbi të gjitha çfarë ndodhi kur i kërkuan dorëheqjen.

Lulzim Basha duhet të flasë, e është i detyruar ta bëjë atë, sepse u ka dhënë një besë strukturave të Partisë Demokratike në 61 bashkitë e vendit kur ata mbrojtën PD-në nga agresioni i paramilitarëve të Sali Berishës. Lulzim Basha, natyrisht e sipas gjasave nuk do të kërkojë kreun e PD-së, por i takon se ka dhënë fjalën për të mbështetur faktin që strukturat e PD-së të kenë peshën e tyre për të qenë ajka e zhvillimeve politike në opozitën shqiptare. Nëse e bën këtë Basha ka bërë detyrën, e madje ka dhënë një kontribut për tu çarë sistemi piramidal partitokrat që vepron si piramidë nga lart poshtë. 

Nëse PS i zgjedh të deleguarit e qarqeve nga lart si tip sekretarësh të parë nga Byroja Politike, le ti bëjë PD që baza të ketë fuqinë potenciale në një parti politike. Nëse e bën këtë është një revolucion, që më pas do të sjellë zhvillime të reja.

Ndërkaq ata që kanë histeri për rikthimin e Bashës, kundërargumenti është i gatshëm. Po pse jo Basha e Berisha e Meta po. A mos e kanë bërë ata vezën më të madhe e më të kuqe? Natyrisht jo! A janë ata, pra Berisha e Meta më të aksesueshëm në strukturat ndërkombëtare të aleancës së PD-së? Përkundrazi, janë të izoluar! Po atëherë! Sot Lulzim Basha, ka në dorë një fuqi edhe më të madhe sesa kur ishte lider i opozitës. Pasi mund të jetë një rast për të rrëfyer një të vërtetë që do të trondisë opinionin, por do të qetësojë njerëzit që duan sot në Shqipëri një alternativë politike të djathtë por qeverisëse. 

Nuk është keq që Basha, të flasë edhe sesi ai e shikon identikitin e një lideri të ri të opozitës shqiptare. Natyrisht emrin e ka të ndaluar, por të propozojë madje sesi duhet përzgjedhur dhe zgjedhur ai, mesia i ri i së djathtës shqiptare. Gjëra të thjeshta, por duhet t’i thotë tani, pa shkuar me pushime.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU

VKM e Qeverisë/ Ndryshon emri dhe numri i Këshillit Kombëtar të Territorit, nga 9 bëhet me 11 anëtarë! Shtohen Mbrojtja dhe Shëndetësia, tani do jetë KKTU