Ylli Pata: Linçuesit anti-amerikanë të Lulzim Bashës!

Ylli Pata: Linçuesit anti-amerikanë të Lulzim Bashës!

Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha

Ka 24 orë, që artileria e rëndë e enturazhit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, kanë gjetur te Lulzim Basha agjentin më të rrezikshëm të Vladimir Putinit në Europë.

Njerëz që, kur doli artikulli i Birn në Tiranë, më pas i Mother Jones, e me radhë, jo thjesht e kanë mbrojtur Bashën, por sulmuan; njëra palë Sorosin siç e kanë bërë zakon, e njëra palë Amerikën zyrtare, qeverinë e saj, Departamentin e Shtetin e Ambasadorin e saj në Tiranë.

E mbrojtën Lulzim Bashën, jo thjesht për çështjen e lobimit në SHBA, por e mbrojtën më shumë, kur opozita udhëhoqi, organizoi dhe frymëzoi protesta të dhunshme para kryeministrisë dhe para Parlamentit në vitin 2019. Madje frymëzuan protestuesit se këtu duhet bërë si 1997-a, pushteti nuk rrëzohet pa armë e dhunë.

E gjithë kjo fabul siç e dimë u bë me trashje zëri, forcë, inat, mërzi e pezm ndaj mazhorancës, për të shprehur një qëndrim revolucionar.

Në fund, ai qëndrim nuk qëlloi të ishte i efekshëm, njerëzit nuk hynë dot në kryeministri e parlament, qeveria nuk u rrëzua, por erdhëm te zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, me këtë frymë, me inatin që shqiptarët në kutitë e votimit duhet ta hedhin ndaj amerikanëve që mbajnë në pushtet Edi Ramën.

Patën pak shpresë natën e 25 prillit, kur Baton Haxhiu u mbajti me gajret për ca orë, por më 26 gjithçka ndryshoi. Nuk arritën që ta rrëzonin Edi Ramën.

Një nga arsyet pse Edi Rama mori mandatin e tretë qeverisës, është natyrisht edhe se pala që kishte përballë ishte një çetë politike antiamerikane. Të gjitha sondazhet e dala më pas e të bëra në një atmosferë jo shumë të nxehtë, tregojnë se sidomos elektorati gri në Tiranë e qytete kryesore si Durrës, Korçë, por edhe Elbasan, etj, nuk donte të votonte pë rata eksponentë që janë identifikuar si kundërshtarë të SHBA. Siç u pa, madje edhe në ditët e fundit të fushatës zgjedhore, njeriu më i rëndësishëm antiamerikan në Shqipëri ishte Ilir Meta, në atë kohë President i Republikës.

Më pas, ndodhi Non Grata për Sali Berishën, ku çdo gjë u bë krejt e qartë dhe palët dolën hapur në shesh.

Ndaj dalja sot, për të drejtuar gishtin ndaj Lulzim Bashës si njeriu i Putinit, duket së paku një veprim jo aq i dinjitetshëm. Megjithatë problemi këtu është politik, e si i tillë duhet trajtuar.

Ka dy fakte të rëndësishme në lidhje me financimin rus në politikë, e cila prej 24 orësh po diskutohet mprapsht në opinionin publik.

Fakti i parë është se SHBA ka shpërndarë informacion me shumicë, i cili ka pushtuar të gjitha mediat e rëndësishme europiane, në lidhje me financimet ruse në politikë jo thjesht në të shkuarën, por tani.

Siç po sot, ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka takuar kreun e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirian Celibashi, dhe numrat dy të PS e PD, për të ndarë këto informacione, e siç bëhet e ditur në njoftimin, ka kërkuar të gjurmojë sot, ku janë kanalizuar financimet e Moskës.

Në raportimin e djeshëm të Zërit të Amerikës, ndërkaq, u ripublikua fakti i 500 mijë eurove tashmë të njohura e të dokumentuara në qeverinë e SHBA si pagesë lobimi nga PD për të ndikuar në politikën amerikane të vitit 2017. Siç dihet, përveç fotos së famshme të Lulzim Bashës me Presidentin Donald Trump, pati edhe një intervistë të tij në Breibart Nevvs, një media pro trump, por edhe zë ekstremist në politikën amerikane, e natyrisht takime me senator e kongresmenë.

I gjithë ky lobim, siç dihej është bërë jashtë logjikës normale të marrëdhënies së PD-së me Departamentin e Shtetit, përkatësisht ambasadën Amerikane në Tiranë. E cila gjithmonë ka qenë miqësore dhe e hapur me Partinë Demokratike.

Por, sidomos pas reformës në drejtësi, natyrisht edhe më përpara, eksponentë të lartë të PD-së, por edhe të LSI-së, ku kanë shkëlqyet Sali Berisha dhe Ilir Meta, por edhe mbështetësit e tyre mediatikë e politikë nuk kanë qenë miqësorë me SHBA. Madje mund të thuhet se kanë qenë antagonistë.

Fajësimi i sotëm që Berisha, Meta, apo njerëzit e tyre i bëjnë Lulzim Bashës, përveç se pa sens, është në një farë mënyre mungesë dinjiteti njerëzor dhe politik. Kjo pasi Basha nga ana e tij, vërtet që ka pasur probleme e ndoshta edhe përplasje me eksponentë të SHBA, BE-së apo edhe të tjerë perëndimorë, për të cilët në foltoren e çadrës tha se thonë “bullshit”, por Lulzim Basha nuk ka qenë ai i cili është i dizenjuar si antiamerikan. Nuk ka qenë ai që i ka akuzuar ambasadorët si “guvernatorë” apo ka bërë deklarata të tipit “të më bombardojë edhe flota e 6 amerikane nuk pyes”.

Apo deklarata të tjera se “armë bërthamore ka dhe Rusia e Koreja e Jugut, ndaj amerikanët nëse duan të më vrasin të më gjuajnë një bombë te Mali me Gropa”.

Kushdo e mban mend një postim absurd të Ilir Metës për protestat në Kirgistan. Nuk kishte pse politika shqiptare të bënte çështje publike një tension politik të një vendi aziatik që nuk kishte as lidhje, e as simbolikë më Shqipërinë. E gjitha kjo u bë vetëm për një fakt të thjeshtë; pasi atje ambassador ishte Donald Lu, i cili ka qenë mankthi politik i Berishës e i Metës. Sot, Donald Lu është numri dy i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ç’do të thotë kjo? Do të thotë, se qeveria amerikane e di mirë se kush ka përfaqësuar interesat antiamerikane dhe ato ruse në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë etj. E ka shumë gjasa që fakte zyrtare të dalin për këtë epope, për të cilët prej vitesh është folur me detaje. Kush e ftoi partinë e Gruevskit në fushatën zgjedhore të 2017-s, kush u bë aleat politik me VRMO-DPMNE e kush u kërkoi mediave që Ali Ahmeti të rikthehej në koalicion me Gruevskin? Këto janë zhvillime politike në Shqipëri, të cilët përveç Ilir Metës, i kanë shprehur edhe mbështetës të njohur mediatikë. 

A nëse realisht duan të sulmojnë atë që quhet “invazioni politik rus në Ballkan”, mjafton të pranojnë, dhe të tregojnë se qëndrimet antiamerikane kanë qenë të gabuara. Pasi realisht qëndrimet e Metës dhe Berishës kundra SHBA nuk kanë sens politikisht. Sikur ata do të mbështesnin reformën në drejtësi, të kërkonin gjithëpërfshirjen në drejtësinë e re, të përkrahnin hetimet e SPAK, por edhe zhvillimet rajonale të kësaj linje, askush nuk do t’i shikonte si antiamerikanë. E mbani mend linçimin ndaj Federica Mogherinit, Romana Vlahutinit, Donald Lu-së, e sot sulmin ndaj ambasadores Yuri Kim?

Mendoni një çast sikur e gjitha kjo nuk do të ndodhte? Askush nuk do të mendonte apo deklaronte se në Shqipëri ka një politikë antiamerikane e në rrjedhojë që favorizon ata që quhen “palë të treta”. Po përse Berisha e Meta e nisi këtë luftë me Amerikën? Me logjikë, ata ishin të humbur që në nisje, e siç dhe u vërtetua. Por siç duket jot ë gjitha gjërat kanë qenë në dorën e tyre…

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit