Ka një tendencë për të veneruar në absolutizëm efektin e pasojat e protestës së nisur prej një muaji e gjysmë në Tiranë, prej atyre që janë të shpallur si përkrahësit mediatik të saj. Protesta plaku qeverinë Rama, thotë dikush, zbythi detashmentin e biznesit pranë qeverisë thotë dikush tjetër, e të tjerët shajnë mbarë e mbrapsht Taulant Ballën në rrjete, duke e konsideruar këtë si një trofe politik.

Le të kthehemi 13 vite pas, në vjeshtën e vitit 2013, kur në Tiranë, papritur shpërtheu një „lëvizje e madhe qytetare”. Bëhet fjalë për atë të ashtuquajtur të armëve kimike të Bashar Al. Asadit.

Kur administrata e Barack Obama-s i ofroi një shportë të madhe me dhurata Edi Ramës që të pranojë që në territorin e Shqipërisë të shkatërrohen disa arsenale kimike të makazinave luftarake të ish-kreut të Sirisë.

Ishte shansi i jetës politike për Edi Ramën, që ta niste qeverisjen e vendit me një mbështetje „el blanche” nga Shtëpia e Bardhë, të shoqëruar me një çek, për të cilin u fol se ishte shumë i majmë.

Edi Rama, siç e dimë, u tërhoq, pasi mazhoranca e tij e brishtë qeverisëse mund të rrëzohej menjëherë, praktikisht sapo drafti i sjellë nga amerikanët të shkonte në Parlament. Që do të thoshte një rrëzim të qeverisë së tij të sapo votëbesuar nga Kuvendi.

Ai rezultat ishte një sukses politik i „Lëvizjes qytetare”, e cila nga ai rezultat kishte të gjitha mundësitë të ngrihej lart në një lëvizje politike e re, e fuqishme, reaktive, e natyrisht rinovuese.

Por siç e dimë, „Lëvizja qytetare” u shpërnda pa asnjë shenjë, ku jo vetëm nuk u mor vesh kush janë liderët, por as se si u ngrit dhe u shua sa hap e mbyll sytë.

Ajo lëvizje kishte mjaft aktorë të njohur dhe mbështetës mediatikë, që nga Sazan Guri e disa aktorë të lëvizjeve ambjentaliste, por ata nuk ishin shtyllat e saj. Shpërndarja aq e rrufeshme e asaj proteste që ja arriti qëllimit, por që nuk përfitoi asnjë centimetër politikisht, la të kuptojë shumë gjëra. Por në radhë të parë se ajo nuk ishte një lëvizje reale, me një synim të caktuar, mbi bazën e të cilit ngrihet një kauzë dhe frymë socjale apo edhe politike.

Ajo ishte një lëvizje ad-hoc, me një synim të caktuar; të ndalonte aksionin që SHBA i kërkonte Shqipërisë, dobësimin e Edi Ramës, me objektivin për ta rrëzuar sa më shpejt.

Ja ku jemi sot pas 13 vjetësh. Edi Rama nuk është rrëzuar. Lëvizja e nisur në fillim të muajit qershor, u ngrit me një kauzë të caktuar kundër ndërtimit të rezortit të shtyrë nga Jared Kushner e Ivanka Trump në lagunën e Zvërnecit. Prej saj, mori edhe termin Flamingo Revolution-s, i cili përpara se të vinte në Tiranë ishte përcaktuar në qarqet anti-Trump në SHBA. Një ish-bashkëpunëtor i afërt i Edi Ramës, sot një nga kundërshtarët më të ashpër të tij, deklaroi në një intervistë televizive, se drejtoresha ekzekutive e CNN kishte vendosur logon e Flamingo Revolution në zyrën e saj, sapo nisën protestat në Tiranë.

Mirëpo, sot kauza kryesore e protestës nuk ekziston më. Kjo pasi mbështetësit ndërkombëtarë e duan si një kauzë kundër familjes Trump dhe opozita kërkon tërheqjen e Jared Kushner dhe Ivanka Trump nga projekti.

Aktorët opozitarë që e mbështesin protestën, madje kanë deklaruar që në ditët e para se ky nuk është një investim i familjes Trump, por thjesht ata janë promotorë, ndërkohë që mbështetësit ndërkombëtarë e kanë reklamuar si një pronë e vajzës dhe dhëndrit të Presidentit amerikan.

Në shtypin ndërkombëtar, edhe sot ka rreth 33 mijë tituj që protestën në Tiranë e konsiderojnë një lëvizje anti-Trump. Kauzë që nuk e pranojnë aktorët lokalë të saj. Të cilët kanë braktisur flamingot totalisht dhe sulmojnë me radhë drejtues, politikanë, mbështetës, biznesmenë, gazetarë që i cilësojnë si kundërshtarë.

E gjitha kjo ndodh sepse protesta nuk është një lëvizje, por një skenar, i cili synon dobësimin deri në rrëzimin e Edi Ramës.

Synimi i saj, siç u pa, sidomos në pjesën e dytë të protestës, pas kalimit të fazës World Wide, kishte pezullimin e caktimit të Tiranës si vend për samitin e ardhshëm të NATO-s, stopimin e procesit të anëtarësimit në BE dhe dështimin e sezonit turistik, për ta përdorur si kartë politike. Deri tani nuk jemi në asnjë objektiv, edhe pse protesta vijon si një rudiment spontan me aktorë ambulantë.

Është qartë se protesta sot, por edhe në fillimin e saj përfaqëson opozitën reale ndaj mazhorancës socialiste. Opozitë që nis nga e majta ekstremę, socialistët e rënë nga fiku, të pakënaqurit në elektoratin gri, si dhe opozitën konvencionale në terren, qoftë në Kuvend qoftë jashtë tij.

Opozitë, e cila e mbledhur së bashku ka edhe numrat, por edhe mundësinë jo thjesht për të rrëzuar Edi Ramën dhe socialistët, por për t’i mundur ata në zgjedhjet më të para të mundshme.

E kjo sfidë është shumë afër, më pak se një vit nga sot, kur Shqipëria hyn në garën e madhe të zgjedhjeve vendore. Një fitore në Tiranë apo e qyteteve të mëdha të kësaj opozite, nuk është gjë tjetër veçse një parathënie e triumfit politik në zgjedhjet parlamentare në zgjedhjet parlamentare të 2029-s.

Por deri tani nuk kemi parë një fuzion politik të kësaj opozite të gjerë, e cila i ka mundësitë por nuk ka vullnetin për tu bashkuar në një front edhe në një lider. Sipas të gjitha gjasave, në vitin e ardhshme, Sali Berisha do të tentojë të vendosë si fakt të kryer kandidatët për kryebashkiakë, duke ua imponuar gjithë kësaj masę.

Siç ka bërë gjithmonë xhanëm, por që vetëm akt politik nuk është. Natyrisht protesta ka shkundur, ka sjellë sinjale edhe frymë në opinion, ndoshta edhe risi të tjera në dinamizmin e aktivitetit të shoqërisë me qeverinë.

Por në thelb, ajo nuk ka sjellë asnjë produkt real e të vlefshëm deri tani. Jo se nuk i ka mundësitë, por sepse nuk është vullneti i drejtuesve realë për të ndërtuar një „Shqipëri të Re”. Ka gjasa që të ndodhë siç e pamë me armët kimike të Bashar al Asadit, ku përfituesit nuk ndodheshin në shesh por në pallatet e politikës së vjetër, ose jashtë Shqipërisë./TemA