Ylli Pata: Nga zonja Molotov, te zonja Napalm-Metamorfoza balistike prej Voltanës, te Monika!

Ylli Pata: Nga zonja Molotov, te zonja Napalm-Metamorfoza balistike prej Voltanës, te Monika!

Monika Kryemadhi, Voltana Ademi

Kur ndodhi gjëma e madhe nga Uashingtoni, që solli fermanin pelin të Non Grata-s, nisi një reflektim i thellë në panele. Ku Çani i kërkonte Currit të gjente në librat e vjetër, Odisenë e sotëm, Kronosin, Cikllopin me një sy, por edhe kushërinjtë e tyre, që nga Sizifi e Herkuli. 

Pati një përpjekje të madhe shkencore për të gjetur gjurmë antike në marazin e madh që kishte shkaktuar jo thjesht vendimi i Antony Blinken për Berishën, por edhe akti i Lulzim Bashës. Që duket ka çakorduar me radhë ideologë e shkëncëtarë, teologë e politikanë që nuk bëjnë gjë tjetër veçse dalin e hyjnë nga studiot, me burime e frymëzime.

Kësaj qasje, ju përball dhëmb për dhëmb artileria e rëndë akademike e PD-së së vulës, me më të mirët në fushë që nxorrën në skenë Romën e Lashtë. Profesor Zekthi, siç dihet, e quajti Lulin një Mark Brut, që për Romën ja futi shpatën në ije babit të tij të ngratë.

E debati, këtu pati nivel, e mund të shkonte edhe më shumë sikur profesor Xhevat Lloshi të mos kishte shkuar në studion e emisionit të Eriona Rusit, “Shqipëria Live”, ku i nxori kasht e koqe “akademikët” e njohur Eleni Kocaqi e Arben Llalla, të cilët duket tentuan të hyjnë në lëminë e kërkimit shkencor si alternativë e ONM-së, por që duket nuk i la reforma në drejtësi.

Megjithatë, siç u pa, këtë trend apo stekë të ngritur nga Curri e Çani, e prishi Dr.Monika te emisioni i Erlës. Pasi ktheu një debat që e kishte lënë pezull një tjetër doktoreshë shkencash në vitin 2019.

E cila është pikërisht kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, që u bë BBV në atë kohë me tezën e lezetit të molotovit si një aljazh eksploziv. “Më pëlqen shumë molotovi”, tha zonja Ademi, në kulmin e përdorjes së shishes me benzinë e fitil të ndezur në grykë që hidheshin në Parlament apo kryeministri. Armë që njihet si një mjet luftarak konvencional, kryesisht për luftën guerile. Molotovi, maksimumi sjell dëme e plagë të lehta, si puna e prerjes së gishtave të oficeres së policisë, Ina Nuka.

Atëherë u tha se molotovi është qamet dhe e sulmuan shumë zonjën Ademi, e cila kishte treguar se në zbor kur ishte studente përgatiste mjaft të tilla. Pas disa vitesh, teoria e kryebashkiakes së Shkodrës do të përqafohej me forcë nga Volodomir Zelensky, i cili në fillim të luftës i bëri thirrje grave të Ukrainës të prodhonin me shumicë bomba Molotov e ti hidhnin ndaj blindave të Putinit.

Por siç thotë ideologu i madh, profesor Lubonja, nuk mjafton lufta guerile ndaj bandave të pushtetit, duhet një luftë frontale, totale, pa marrë parasysh pasojat. Natyrisht profesori në fjalë, dha vijën ideologjike, pastaj kjo vijë duhet zbërthyer në sensin e masave, por edhe të situatës konkrete.

E ndaj ishte e natyrshme një kërkuese shkencore që vjen nga kimia, një pasardhëse e denjë e Marie Kyrisë, e cila i vuri pikat mbi “i” këtij muhabeti, duke gjetur edhe lëndën ekzakte të luftës, e cila përcakton edhe natyrën e saj.

“Napalm”, tha Monika te Erla. Atë do të përdorte ndaj armiqve, frazë e cila nuk ndryshon vetëm municionin luftarak, por edhe natyrën e konfliktit. Nga luftë guerile në betejë të hapur, frontale e totale.

Napalmi i dr. Monikës, përveçse një lëndë shpërthyese moderne, është edhe një nga “yjet e Hollywod”-t. Është epik monologu i Robert Duvall alias nënkoloneli Bill Kilgore në “Apokalypse Now” të Francis Ford Copola-s. “Napalm, bir. Asgjë nuk mban erë si ai. Unë vdes për erën e napalmit në mëngjes. Sidomos kur është hedhur në masë një bombardim prej 12 orësh. Vdes për napalmin, sepse ka aromën e fitores”!

Kështu tha Nënkoloneli Kilgore që i dha një çmim të madh Rober Duvall, e çoi më pas në ndaljen e luftës së Vietnamit, edhe si pasojë e namit të erës së napalmit që solli Copola.

E prej asaj kohe, napalmi që konsiderohet si një armë e shkatërrimit në masë u konsiderua një lëndë që duhet reduktuar apo hequr nga arsenalet luftarake. Madje ka gjasa që kryeministri i Shqipërisë në vitin 1994, Aleksandër Meksi, i cili ka firmosur në Shtëpinë e Bardhë, i ftuar nga presidenti Bill Clinton, pikërisht një konventë për të shkatërruar arsenalet kimike të ushtrisë shqiptare, të ketë pasë në listë edhe napalmin.  I cili ishte në masë, e një nga municionet më të rëndësishme të arsenalit balistik.

Napalmi i Monikës, në ndryshim nga molotovi i Voltanës është një lëndë që çon për bojë gjithçka gjen përpara. Sipas gjasave, siç dhe e tha  vetë doktoresha, mund të gjejë edhe ambasadoren Yuri Kim, që duket e ka futur në rrezen e shënjestrës së saj.

Po që fusha e betejës mbetet shumë misterioze; do të jetë lugina e Osumit, apo Mali me Gropa? Eh, do njerëz me mend kjo punë! Le të presim panelet e së premtes apo të javës tjetër ta zgjidhim. Tema

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë