Ylli Pata: Protagonizmi në OKB për Ukrainën, pesha reale për Shqipërinë përtej gallatave në rrjet

Ylli Pata: Protagonizmi në OKB për Ukrainën, pesha reale për Shqipërinë përtej gallatave në rrjet

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergey Lavrov

Ka disa ditë që memet e gallatat në rrjet e mediat kritike ndaj qeverisë kanë vijuar në seri, ku tallen e satirizojnë Edi Ramën e Olta Xhaçkën, madje dhe Niko Peleshin, për protagonizmin që ka marrë Tirana zyrtare në OKB, me rezolutën e përbashkët me SHBA për Ukrainës, natyrisht kritike ndaj Rusisë.

Natyrisht, satira, ironia, sarkazma t aquajmë, janë mekanizma të shëndetshëm të një shoqërie, sidomos në një kohë si kjo e sotmja kur shikon emisionet e darkës ka vetëm trishtim, pikëllim për “hallet e popullit” që përfundojnë me sharje sipas librit të shtëpisë.

Gjithsesi, përtej gallatave e memeve, bëhet fjalë për një moment të rëndësishëm politik të Shqipërisë, ngaqë për herë të parë bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pra organit vendimarrës global, ku natyrisht rëndësinë vitale e kanë pesë anëtarët e përhershëm që kanë të drejtë vote: SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Kina.

Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë këtë rol diplomatik, të cilin, e kanë rrotulluar mes vetes disa vende të rëndësishme të rajonit, si Sllovenia, Kroacia, Rumania, Turqia, Greqia, e kanë provuar disa herë këtë përvojë diplomatike.

Për vende të vogla si Shqipëria, natyrisht që ngrefosja në arenën ndërkombëtare më shumë se i takon do të kthehet në parodi, por nuk është përjashtim që shtete që janë të përpasave të afërta të kenë peshë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Siç është Jordania përshembull, e cila shikohet si referencë e zhvillimeve dhe negociatave për çështjet e Lindjes së Mesme.

Në këtë rast, Shqipëria, pra Tirana zyrtare, si për kryesinë e OSBE-së, ashtu edhe për anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit kanë një sponsor të nivelit të lartë, përveç disa të tjerëve më pak me peshë. E që është SHBA, e cila natyrisht kërkon që të ketë një vend aleat në një tryezë ku do të diskutohen çështje të rëndësisë primare botërore.

Roli i diplomatëve e zyrtarëve tanë në KS të OKB-së, natyrisht ka peshë proceduriale e protokollare në diskutim, më shumë sesa vendimarrëse, e siç dihet në një trupë votuese ku vetoja rrëzon gjithçka, edhe diskutimi përbën një procedurë që lëviz gjërat, edhe kur kanë të vështira të lëvizin. Siç ndodhi në vitin 1999, kur Rusia e Kina kërcënonin me veton e tyre për ndërhyrjen në Kosovë, e ndodhi ai zhvillim që dihet tashmë.

Megjithatë, kush e trajton këtë çështje si thjesht një “argat” i SHBA, nuk ka kuptuar asgjë, ngaqë Uashingtoni në rajon ka shumë aleatë të tjerë dhe mjaft të rëndësishëm, në territoret e të cilëve nuk ka vetëm trupa ushtarake, por edhe arsenal strategjik ushtarak si mbrojtja raketore. Bëhet fjalë për Rumaninë, e cila është vend fqinj në konfliktin aktual në Ukrainë, Bullgarinë, Kroacinë, Slloveninë, që kanë qenë në rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

E vërteta në këtë rast është se Shqipëria, nëse do të nisemi në nivelin e lidhjeve me SHBA-në do të duhet të bëheshim anëtarë të KS me kohë. Por nuk ka ndodhur, ngaqë qeveritë e Tiranës, nuk janë treguar partner të besueshëm. Edhe pse Sali Berisha që u mbështet fort në vitin 1992 vizitoi dy herë Shtëpinë e Mardhë, ai u përplas me Amerikën në momentin e parë kur Uashingtoni kërkoi nga qeveritarët e Tiranës që të ruanin standardet demokratike dhe të mbanin një rol kontruktiv në rajon. Për të mos folur më pas për vitet 1996 e 1997. Prapë me Berishën? Do të thonin menjëherë autorët e memeve e gallatave, megjithatë është fakt se për tu bërë partner i besueshëm kërkon kohë por edhe fakte konkrete. E mbi të gjitha, e çështë më e rëndësishme, është se problemet e marrëdhëniet me partnerët nuk duhet të bëhen asnjëherë pjesë e sherrit politik të ditës, që të banalizohen e përdoren si shantazhe përfitimesh momentale. A nuk ka ndodhur edhe për rastin e muxhahidinëve pra opozitës iraniane që erdhi në Shqipëri pas një marrëveshje me qeverinë amerikene, ku një pjesë e politikës, e sidomos mediave që mbështeten nga opozita, u kthye në aleate e ajatullahëve kot fare, kur në fund të fundit ajo është një çështje, që siç e tregoi edhe koha nuk ka asnjë lidhje politike.

Ashtu ndodhi edhe për rastin e Afganistanit, kur jo vetëm u sulmua qeveria, por edhe Joe Bidenin për “dështimin e turpshëm” në panelet e darkës, e cila shërbente vetëm për problemet ditore të politikës.

Nejse, duket se ne si “fshat i madh” do të vijojmë me këto polemika e debat të nivelit të ulët për një çështje ku pjesëmarrja në majën e politikës globale nuk se sjell humbje. Madje duhet të jenë të gjithë për të ndikuar në një diskutim të përgjithshëm.

E këtu natyrisht faj ka edhe qeveria e ministria e Jashtme që nuk kanë krijuar një bazë të gjerë gjithëpërfshirëse diskutimi, që nga diplomatët e rëndësishëm e më përvojë të Shqipërisë, sidomos ata që kanë qenë ambasadorë e diplomat në OKB por edhe më gjerë, e si ekspertë të politikës së jashtme e gazetarë në debate televizive. Qeveria, më mirë të themi Rama e Xhaçka e kanë fiksuar reflektorët vetëm te vetja, e natyrisht kjo do të sjellë edhe koston e një telendisje nga ata që janë jashtë. Megjithatë, pyetja që shtrohet sa përfiton vendi e qytetarët nga ky rol shqiptar në Këshillin e Sigurimit, apo edhe në rastin e protagonizmit për Ukrainën?

Natyrisht që nuk bëhet fjalë për para që bien shi nga qielli menjëherë, por fakt është që në rastin e Sllovenisë e Kroacisë, që e kanë pasur këtë rol para Shqipërisë, e janë treguar partnerë të besueshëm për SHBA-në, përfitimi ka qenë imediat. Qytetarët e këtyre vendeve tashmë udhëtojnë në SHBA pa pasur nevojë për viza, ndërkohë që imazhi i rritur është përkthyer në shtim galopant të turistëve që janë vizituar këto vende. E që në ekonomi do të thotë të ardhura të rritura në nivel të konsiderueshëm.

Rritja e imazhit dhe stabiliteti i rëndësisë politike të vendit, është një asset që natyrisht nuk i shërben vetëm Edi Ramës, por çdo qeverie që do të vijë në të ardhmen…/TemA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arbërori: 15/02/2022 03:24

    Tradhëtia nuk ka bisht, ky e ka detyrë primare asgjësimin e shteteit të Kosovës!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këto janë pemët më të veçanta në mbarë botën për festat e fundvitit

Këto janë pemët më të veçanta në mbarë botën për festat e fundvitit